Golat kuqezi qetesojne De Biazin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Roshi – Mesfushori ka shënuar golin e tij të dytë në dy ndeshje radhazi, duke siguruar 6 pikë për skuadrën e tij. Nëse ruan këtë formë, ai pritet të kthehet përsëri titullar në krahun e djathtë të mesfushës së kombëtares
Hysaj – Mbrojtësi ka rezultuar vendimtar për të dytën ndeshje radhazi, duke dhënë përsëri një pasim për gol me skuadrën e Empolit
Meha – Goli i 3 në këtë edicion të Bundesligës për mesfushorin e përfaqësueses erdhi me një goditje dënimi spektakolare
Lenjani – Zhgënjimi më i madh në muajt e parë të vitit është mesfushori i majtë, i cili nuk po shfaqet në nivelin e kërkuar te Stad Rene
Alban Meha dhe Odise Roshi kanë kthyer buzëqeshjen te Xhani De Biazi, i shqetësuar kohët e fundit për shkak të problemeve të futbollistëve që kanë pësuar dëmtime, nuk aktivizohen apo janë jashtë forme. Tekniku italian u kishte pohuar bashkëpunëtorëve të tij në javët e kaluara se ishte i shqetësuar për formën e lojtarëve që po planifikon të hedhë në fushë kundër Armenisë. Por me kthimin në nivelet më të mira të dy mesfushorëve që aktivizohen në Gjermani, ai tashmë ka alternativat e duhura për të planifikuar si duhet këtë ndeshje të rëndësishme për fatin e eliminatoreve të Euro 2016.
Të gjitha problemet e De Biazit lindin kryesisht në mesfushë, reparti që ka ekuilibruar lojën e kuqezinjve në këtë edicion. Transferimi i Ermir Lenjanit në Francë nuk ka rezultuar deri tani me sukses, pasi te Stad Rene ai nuk po arrin të shprehë vlerat e tij, duke marrë kritika si nga tifozët, ashtu edhe nga shtypi sportiv francez. Një situatë të ngjashme po kalon te Peskara edhe Ledjan Memushaj, i cili ka marrë vlerësime negative në disa ndeshje radhazi. Dëmtimi i Andi Lilës dhe pasiguria e aktivizimit të lojtarit te Parma pas largimit të drejtuesve shqiptarë, ka bërë që alternativat e De Biazit në këtë repart të zvogëloheshin ndjeshëm.
Fatmirësisht, duket se alternativat nga krahët nuk do të mungojnë. Edhe Alban Meha kishte përfunduar në listën e të kritikuarve pas paraqitjeve të tij. Por mesfushori i Paderborn ka dhuruar dje një nga paraqitjet më të mira të sezonit, duke qenë vendimtar në fitoren 2-1 të ekipit të tij ndaj Hanover. Mesfushori fillimisht ndërtoi aksionin e golit të barazimit të Lakiç në minutën e 72-të, ndërsa 7 minuta më vonë shkroi emrin e tij në listën e golashënuesve të takimit, duke realizuar golin e fitores me një goditje dënimi spektakolare nga distanca. Goli i tretë në 12 ndeshje të luajtura i dha mundësinë Paderborn të largohej përkohësisht nga zona e ftohtë e klasifikimit.
Kritikave u është përgjigjur pozitivisht edhe Odise Roshi, i cili me paraqitjet e tij po bind gjithnjë e më shumë drejtuesit e FSV Frankfurt t’i ofrojnë rinovimin e kontratës që mbaron në fund të sezonit. Futbollisti shqiptar shënoi për të dytën ndeshje radhazi, përsëri duke i dhënë 3 pikët skuadrës së tij, këtë herë në suksesin 1-0 në fushën e Laipcig. Ky ishte goli i tretë në Bundesligën 2 në këtë sezon për Roshin, i cili, nëse ruan këtë formë, nuk e ka të vështirë të kthehet në formacionin titullar të kombëtares shqiptare.
Këto paraqitje, të cilave u bashkohen golat e të zakonshmit Gashi, asisti i dytë radhazi i Hysajt, si dhe vazhdimësia në aktivizim të Berishës dhe Mavrajt, kanë bërë që De Biazi të marrë frymë më i qetë pas kësaj fundjave. Tashmë probleme për sa u përket alternativave ka vetëm reparti i sulmit, pasi Salihi i dëmtuar mendohet se nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e 29 marsit, Kapllani është kthyer në një zëvendësues te FSV Frankfurt, ashtu si Rama te Mynih 1860, ndërsa Vajushi ka luajtur për herë të fundit me 13 dhjetor.