Gjici: Mund te kalojme edhe raundin e dyte te Europa League
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas suksesit në Europa Ligë, presidenti i Kukësit, Safet Gjici ishte i ftuar në studion e “Sport News”, ku analizoi ecurinë e skuadrës përballë Flora Talin ashtu siç foli dhe për synimet e të ardhmes. Deklarata e parë e numrit 1 të skuadrës kuksiane ishte një falënderim për impenjimin e futbollistëve të tij, e njërit në veçanti, Gerhard Prognit. “Falënderoj ekipin për kalimin në raundin tjetër të Europa League. Mund të them që ndeshjet ishin stresuese.
Dëshiroj të përgëzoj dhe Prognin për paraqitjen e tij”. Në raundin e dytë detyra bëhet më e vështirë për nënkampionët e vendit që do të gjejnë përballë një skuadër eksperte, si Sarajeva e Bosnje Hercegovinës por Gjici sheh me optimizëm dhe drejt këtij ballafaqimi aq sa e ka gati dhe batutën. “Objektivin e parë e realizuam, mendoj se i kemi aftësitë për të kaluar dhe raundin e dytë të Europa League”.
E ardhmja e trajnerit Armando Cungu, por dhe zërat për një afrim të mundshëm të Tirana lidhur me prezencën e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, Lulzim Basha në stadium ishte gjithashtu një prej çështjeve për të cilën Gjici u prononcua.
“Prezenca e Lulzim Bashës në stadium? Nuk ka lidhje me ekipin e Tiranës. Përsa i përket merkatos kam kontakte me disa menaxherë, por është e vështirë të gjesh një sulmues që bën diferencën”,- theksoi ai. Kukësi do t’i luajë dy ndeshjet e tij me boshnjakët e Sarajevës në datat 18 dhe 25 Korrik.