e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Gjici: Kukësi im në formë, viti i duhur për Kupën

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gjici: Kukësi im në formë, viti i duhur për Kupën

Safet Gjici mendon se Kukësi i tij është skuadra më në formë e kampionatit. I ftuar në emisionin "Fair Play", të drejtuar nga Enkeleida Zeko në televizionin "News 24", presidenti i klubit verilindor foli për momentin e mirë që po kalon skuadra, ndeshjen ndaj Tiranës, synimet e klubit, si dhe trajnerët që ka shkarkuar.Gjici dhe Duka Kreu i klubit falënderoi mesfushorin brazilian, Erik Flores, që gjeti forca për të luajtur kundër Tiranës, edhe pse një ditë para ndeshjes pati një fatkeqësi familjare. "Mendoj se zhvilluam një lojë shumë të mirë ndaj Tiranës, ku patëm disa raste për gol.

E dominuam lojën, por fatkeqësisht nuk arritëm dot të fitonim, pasi nuk i shfrytëzuam shumë mirë rastet që krijuam. Tirana pati shumë fat dhe pikët nuk iu përgjigjën lojës që bëmë.

Dua të ndalem pak te Flores, i cili tregoi se është profesionist dhe i plotësoi amanetin nënës së tij, që ndërroi jetë një ditë para ndeshjes. Ai luajti, edhe pse i ngarkuar emocionalisht. Shënoi golin e barazimit dhe vetëm traversa i mohoi atë të fitores", deklaroi fillimisht presidenti Gjici.

Objektivat - Kreu i klubit foli hapur për objektivat, teksa sipas tij ekipi duhet t'ia arrijë me çdo kusht. Vendi i tretë dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë janë synimet e Kukësit. "Gara është e fortë, por Kukësi është një hap më shumë se dy ndjekëset, pasi e tregoi dhe në ndeshjen direkte me Tiranën.

Duam të arrijmë vendin e tretë nga kampionati, pasi kështu sigurojmë Kupat e Europës. Pastaj, objektivi ynë i dytë dhe ai më madhor është fitimi i Kupës së Shqipërisë. Mendoj që kemi ekipin më në formë dhe më të avantazhuar se të tjerët. Janë pjekur kushtet që pas dy humbjeve në dy finalet e viteve të kaluara, të arrijmë ta marrim Kupën këtë edicion. Kemi bërë përforcime në merkato dhe disa prej lojtarëve po e tregojnë veten", deklaroi Gjici.

Trajnerët - Presidenti komentoi edhe për trajnerët që ka larguar, duke lavdëruar punën e brazilianit Marcelo Trosi. "Sa për trajnerët, ne kemi shkarkuar Troisin, i cili pati sukses në Kupat e Europës, duke kaluar dy ture dhe në të tretin nuk ishte faji i tij që u eliminuam nga Legia e Varshavës.

Por, në kampionat nuk pati pritshmëritë e duhura. Në atë periudhë që ai punoi si trajner, kur e nisi së bashku me menaxherët e skuadrës, solli disa lojtarë brazilianë, me të cilët patëm sukses në Europë. Disa prej tyre i kemi akoma dhe janë lojtarë cilësorë. Dua të theksoj se futbollin tonë nuk e njohin vetëm trajnerët shqiptarë, por edhe ata të huaj si Troisi", ka thënë presidenti për brazilianin.

Përplasjet - Përplasjet e presidencës me Bashkinë e Kukësit duket se kanë marrë fund. Këtë e konfirmoi vetë Gjici, i cili sqaroi se është ulur me kryetarin e bashkisë, Bashkim Shehu, dhe ka gjetur gjuhën e përbashkët. "Është e vërtetë që kemi pasur mosmarrëveshje me Bashkinë e Kukësit, por jo aq sa e kanë fryrë mediat.

Deri tani bashkia s'ka kontribuar financiarisht, por unë jam takuar me kryetarin e bashkisë dhe jemi marrë vesh. Bashkia e Kukësit nuk është se ka buxhet të madh, por gjithsesi për pjesën që u takon, na kanë thënë se do ta shlyejnë. Megjithatë, Kukësi do vazhdojë të ecë përpara edhe nëse bashkia nuk do shlyejë pjesën e saj. Unë besoj që, sipas asaj që kemi folur, do të kemi korrektësi", ka përfunduar numri një i klubit verilindor