e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Gjici: Do e le ekipin e Kukesit, dua te marr Tiranen

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gjici: Do e le ekipin e Kukesit, dua te marr Tiranen

Presidenti i ekipit të Kukësit, Safet Gjici, ka ndryshuar mendje. Pak ditë më parë ai tha se do të vazhdojë me këtë ekip, por tani në një intervistë për GSH thotë se do e lërë Kukësin për të marrë Tiranën.

“Tifozët e Kukësit i vlerësoj shumë, janë njerëz të mirë, besnikë. Për hatër të tifozëve të Kukësit unë edhe jam nderuar si qytetar nderi, ndaj jam akoma më i lidhur me ta. Dhe jam përpjekur që t’ua shpërblej, sidomos me arritjen e fundit. Do Zoti kalojmë dhe “play-off”-in. Gjithsesi, edhe kaq sa është bërë, ka shënuar rekord për vendin tonë, dhe për këtë ndihem shumë krenar. Mirëpo Kryetari i Bashkisë së Kukësit, z. Hasan Halili, i cili po ashtu ka qenë i lidhur me futbollin, kohët e fundit i ka përzier pak punët me politikën. Së fundmi prej tij kam dëgjuar edhe shumë deklarata tendencioze, të cilave as nuk begenis t’u kundërpërgjigjem, pasi janë shumë dashakeqe,” thotë Gjici.

Ai vazhdon më tej sulmet ndaj kryebashkiakut të Kukësit.

“Ai është i përfshirë personalisht në politikë si përfaqësues i Partisë Demokratike. Një muaj para zgjedhjeve kaloi me LSI-në si individ, se nuk e la bashkinë. Ai kërkoi të përdorte ekipin për fushatë elektorale, pra për problemet e veta individuale. Por ne si drejtues të klubit jemi fokusuar vetëm tek arritjet në sport, pa dashur të përziejmë gjëra të tjera. Ne jemi disa aksionerë. Aksioneri më i madh jam unë, por janë edhe dy zëvendëspresidentë, z.Bashkim Gjoka dhe z.Flamur Hoxha, të cilët kanë kontribuar për ekipin dhe i falenderoj pa masë. Por ka edhe donatorë të vegjël nga Kukësi, të cilët kanë dhënë po ashtu kontribut në forma të ndryshme. Mirëpo që ekipi të arrijë në nivelet ku është, kërkon investime kolosale. Të ardhura vijnë nga UEFA, por gjithsesi duhet sërish shumë. Bashkia e Kukësit ka 10% të aksioneve, që nuk janë personale të kryetarit, por të taksapaguesve.

Qëllimi i sportit është të kënaqë qytetarët e Kukësit dhe ky duhet të jetë fillimisht qëllim i kryetarit të bashkisë, e jo ta përdorë skuadrën për qëllimet e veta personale. Nuk mund ta përdorë ai skuadrën që u ngrit nga hiçi dhe arriti këtu ku është sot, me paratë e biznesmenëve, për strategji elektorale e inate personale. Unë shumë mirë di t’u them tifozëve që prej tyre nuk iki, por për zotërinë në fjalë po nxjerr aksionet në shitje dhe po pati para le t’i blejë. Nëse është i zoti, ta marrë ekipin dhe ta çojë edhe më lart se kaq. Mua si kuksian që jam, qejfi më bëhet! Kjo është arsyeja që më ka vënë në dilemë, nëse duhet të vazhdoj me Kukësin apo të marr një ekip tjetër”.

I pyetur për ofertat për të marrë klubin e Tiranës, ai thotë: “Me thënë të drejtën, unë kam pasur oferta për ta marrë klubin e Tiranës dhe nuk i kam refuzuar. Por klubi i Tiranës nuk ka një dokumentacion të mirëfilltë. Ashtu siç kam bërë me Kukësin, – pra e kam marrë me dokumentacion nëpërmjet qeverisë vendore, – kështu dua të veprohet edhe me Tiranën. E shoh të vështirë hartimin e dokumentacionit për këtë grup, pasi duhet që anëtarët e këshillit, që u përkasin kaheve të ndryshme, duhet të bien dakord. Nëse e zgjidhin çështjen e dokumentacionit, jam i gatshëm ta marr Tiranën. Vetëm duhet të them që, më vjen shumë keq për tifozët e Kukësit, por më duhet ta lë prej këtij individi. Njerëzit e kanë parë që s’ka bërë asgjë për Kukësin, por duhet ta shohin edhe një herë”./ep