e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Armenia, test i mire. Per Januzajn dhe Sadikun duhet te presim'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Armenia, test i mire. Per Januzajn dhe Sadikun duhet te presim'

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ndeshjen miqësore të së mërkurës mbrëma ndaj Armenisë e konsideron si një test të mirë, para sfidave të rëndësishme të shtatorit, në kualifikimet për Botërorin 2014. Trajneri italian mbajti një konferencë për shtyp sot, ndërsa foli në detaje rreth duelit të pasnesërm. Ai do të provojë disa lojtarë të rinj, të cilët mund të mbajnë barrën kryesore të Kuqezinjve në vitet e ardhshëm.

“Ndeshja vlen për të parë formën fizike të lojtarëve dhe për të bërë disa eksperimente që në miqësore janë të pranueshme. Kam grumbulluar lojtarë të rinj, për të krijuar një ide më të qartë në lidhje me të ardhmen e skuadrës”, theksoi fillimisht trajneri italian.

“Është një ndeshje e rëndësishme dhe test i vërtetë në prag të sfidave të shtatorit. I kam parë ndeshjet e fundit të Armenisë dhe them se është një skuadër e fortë, pasi e kam ndjekur në ndeshjen kualifikuese me Danimarkën, ku fitoi 4-0.

Mund t’ju siguroj që ka shumë cilësi. Nëse nuk futemi në fushë me mentalitetin e duhur, rrezikojmë të bëjmë figurë të keqe”, vazhdoi De Biasi. Ai foli edhe për prurjet e reja, Shkëlzen Gashin e Grasshopersit dhe Ermir Lenjani e St. Gallenit. “E kam ndjekur Gashin që para një viti, në fillim nuk shfaqi dëshirë të madhe për të luajtur me Shqipërinë, duke qenë se është aktivizuar me U-21 të Zvicrës.

Rezultatet e Kombëtares si dhe serioziteti me të cilën po punohet e bindën për ta veshur fanellën kuq e zi. Edhe Lenjanin e kemi vëzhguar, tani le t’ia lëmë fushës, aty do të flasin ata”, vijoi ish-trajneri i Udineses

De Biasi: Po presim momentin e duhur për ta ftuar Januzajn

Ndërkohë, italiani nuk e ka fshehur dëshirën e tij që në Kombëtare ta afrojë edhe njërin prej talentrve më të mëdhenj shqiptarë të momentit, Adnan Januzajn, i cili po shkëlqen në fanellën e Manchester Unitedit.

Talenti kosovar ka pasaportë belge, vend në të cilin është rritur, por nuk është i vendosur ende se cilën Kombëtare ta përfaqësojë.

“Januzaj është një talent i madh dhe do të ketë shumë sukses nëse nuk do të ketë probleme psikologjike. Po presim momentin e duhur për të biseduar me të dhe do ta ftojmë në Kombëtare”, vazhdoi De Biasi.

De Biasi: Sadiku s’ka vendosur ende

Trajneri i Kombëtares është ndalur të flasë edhe për një tjetër futbollist cilësor shqiptar, Loret Sadikun. Qendërmbrojtësi i Helsingborgut nuk ka vendosur ende nëse do t’i mbrojë ngjyrat kuqezi, apo do ta përfaqësojë Suedinë.

“Sadiku nuk e di akoma se cilën kombëtare do të zgjedhë. Për momentin do ta lëmë të mendojë i qetë, sepse nëse nuk e ka motivimin e duhur për të luajtur me Kombëtaren, më mirë të qëndrojë atje ku është”, nënvizoi De Biasi.