Gjermanet i ndeshkon shtylla kunder Italise
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Italia e pjesës së dytë detyroi Gjermaninë që të mos marrë më tepër se një barazim në “San Siro”, duke respektuar traditën që i sheh gjermanët të paaftë për t’i thyer të kaltrit prej 18 vitesh. 11-shja e Prandelit duhet cilësuar edhe me fat, pasi miqtë “koleksionuan” tri shtylla (i jashtëzakonshëm rasti i sekondave të fundit, ku pas shtyllës së Hëvedesit, Rojs e Bender ngatërrohen të shtyjnë topin në rrjetën e një porte të boshatisur). Sa i përket nivelit të lojës, Italia bën hapa para, krahasuar me paraqitjet e fundit, duke ruajtur personalitetin në fushë dhe reaguar me një gol spektakolar të Abates pas avantazhit të krijuar nga Humels.
Golat - Të kaltrit e nisin më mirë, me një Baloteli të frymëzuar, por e para që gjen rrugën e rrjetës është Gjermania; krosim i Krosit nga goditja e këndit, Humels fiton duelin me Barzalin dhe e dërgon topin në shtyllën e djathtë të Bufonit, për të shkundur më pas rrjetën e italianëve. Vendësit hidhen në sulm, me shumë dëshirë, por pa qartësinë e duhur. Khedira “tremb” sërish djemtë e Prandelit, duke goditur shtyllën, por mendoi Abate për të rikthyer qetësinë. Mbrojtësi “vodhi” një top në afërsi të zonës kundërshtare, kombinon bukur me Bonuçin dhe gjuan në diagonale duke mos i dhënë asnjë shans Nojerit për të evituar golin e barazimit. Deri në përfundim të pjesë së parë, gjermanët shkundën edhe një herë tjetër shtyllën e portës së Bufonit. Këtë radhë është Shrylle që, pasi merr një top “dhuratë” nga Bonuçi në hyrje të zonës, nxiton të godasë, por pa mundur që të festojë për gol. Nga ana tjetër, Nojer grushton bukur një gjuajtje të fortë të Markisios, pas një skeme të zgjuar gjatë goditjes së dënimit të Pirlos. Italianët u treguan më “autoritarë” në pjesën e dytë, me qarkullime të gjata të topit dhe pa frikën e kundërsulmeve të rrufeshme të kundërshtarit. Me një “filozofi” më tepër neutralizuese, se sa shpërthyese, ekipet ia dolën mbanë që të shmangin rastet e shumta për shënim dhe të lënë në fuqi rezultatin e 45 minutave të para.
Fundi drithërues – Kur po dukej sikur skuadrat do ndaheshin në një fund të qetë, vendësit përjetuan drithërima të forta. Hëvedes gjuan fort në hyrje të zonës dhe topi godet shtyllën e Bufonit, duke u kthyer sërish në qendër. Aty ndodhi edhe ajo që nuk duhej për gjermanët, pasi Rojs dhe Bender u ngatërruan me njeri-tjetrin, duke u dhënë shansin “axurrëve” që të merrnin frymë lirshëm, edhe pse dukej e pabesueshme që e shpërdoruan atë mundësi…
Nervozizmi – Osvaldo qëndroi vetëm pak minuta në fushë kur filloi pjesa e dytë, duke u zëvendësuar nga Kandreva. Në fakt, u duk qartë një reagim i ashpër i tij në pankinë, por që nga mjeku i Kombëtares u “justifikua” si thjesht një reagim alergjik dhe jo nervozizëm. Toni Kros humbi gjithashtu qetësinë, kur ndërhyri disa herë ashpër ndaj kundërshtarit, por që “zgjoi” agresivitetin e Tiago Motës, i cili e goditi më pas në fytyrë. Benkuerença mendoi të mos “skuqë” ndeshjen dhe i fali me karton të verdhë, për t’i lënë imazhin e miqësores një supersfide që të paktën në rezultat u nda në “paqe”…