Gjashtë ekipe për dy bileta, ka blofe dhe humor
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nëntë javë nga fundi i kampionatit, lufta për kreun jo vetëm që është e hapur, por shumë intriguese.
Pas ndeshjeve të së shtunës u përcaktua edhe kalendari i fazës së tretë dhe formula që po aplikohet në këto dy sezone të fundit po rezulton efikase. Në të dyja grupet janë nga tri skuadra në garë dhe nga vendi i parë në të tretin diferenca është vetëm dy pikë.
Një kampionat ku nuk ka asnjë ekip që të bëjë diferencën dhe për këtë mjafton të shohësh që në Grupin A tre ekipe, Besëlidhja, Kastrioti dhe Korabi, e kanë ndërruar kreun mes tyre brenda një muaji.
Ndërsa në Grupin B nuk është më Luftëtari i shkëputur gjashtë pikë dhe diferenca me dy ndjekëset e afërta është ngushtuar në vetëm dy pikë.
Në Veri, Korabi humbet kreun në javën më vendimtare. Pas sulmit që i rrezikoi jetën presidentit të skuadrës, Fehmi Mëziu dy ditë para ndeshjes, ishte radha e Korabit që mori goditjen, kësaj radhe në fushë. Kamza bëri gjithçka për të fituar duke thyer dibranët 3-0.
Korabi humbet kreun dhe zbret në vendin e tretë. Ndërsa kamzalinjtë kanë siguruar një premio të majme që ishte vendosur në rast fitoreje nga rivalët e Korabit. Kastrioti rikthehet në krye diçka më shumë se një muaj, pasi e humbi atë për shkak të heqjes së pikëve nga FIFA.
Ndaj Besës, krutanët fitojnë 4-3, ku dyshja e sulmit Malo-Raboshta është në një ditë të mirë. Besëlidhja bën detyrën dhe siguron 3- pikëshin e radhës në fushën e vet, pasi mund Ilirinë dhe ngjitet në vendin e dytë. Erzeni rikthehet te fitorja dhe thyen lehtësisht Adën 3- 0.
Ndërsa Mamurrasi duket se do ta ketë shumë të vështirë mbijetesën. Skuadra e drejtuar nga Sinan Bardhi mbetet në fund dhe në fushën e vet pëson një humbje të papritur nga Burreli. Në Grupin B, finalja e parakohshme mes Apolonisë dhe Luftëtarit mbyllet në barazim pa gola. Një pikë që kënaq bluzinjtë që mbeten në krye, ndërsa fierakët nuk dinë të shënojnë duke vuajtur presionin.
Në atë sfidë, të vetmet që fituan ishin dy tifozeritë. Pogradeci përfiton nga barazimi i dy kryesueseve dhe tashmë barazon Apoloninë dhe është vetëm dy pikë larg kreut. Skuadra e Stojkut rihyn fuqishëm në lojë. Ndaj Sopotit, liqenorët fitojnë 2-0, por nuk u mungon as fati, pasi librazhdasit humbasin penallti kur rezultati ishte 1-0. Sulmuesi Mirel Çota ishte ai që gaboi nga pika e bardhë duke e dërguar topin mbi traversë.
Elbasani jep shenja jete dhe shijon sërish një fitore pas afërsisht 4 muajsh. Në "derbin" me Shkumbinin vendos Abazaj. Tani, verdheblutë ngushtojnë më shumë diferencën me ekipet e tjera rivale. Turbina dhe Dinamo nuk shkojnë më shumë se një barazim 1-1 në sfidën e zhvilluar në një "moçal".
Por, ajo që ka bërë xhiron e rrjetit nga kjo ndeshje ka qenë hyrja e një gjeli dhe një pule në fushë, ndërsa tifozët kishin mbushur sheshpushimet e pallateve dhe tarracat e shkollave rreth stadiumit për të ndjekur sfidën, pasi fusha ishte e dënuar.
Butrinti mbetet sërish në zonën e ftohtë dhe nuk arrin të fitojë në takimin ndaj Lushnjës. Sarandjotët janë ndier të vjedhur në atë sfidë ku sipas tyre u është mohuar një penallti e pastër. Ndërsa trajneri mik Artan Bano u kap verbalisht me tifozët vendës në fund të sfidës.
Kalendari
Në fund të ndeshjeve të së shtunës u përcaktua edhe kalendari i fazës së tretë. Është viti i dytë radhazi që aplikohet një skemë me tri faza në Kategorinë e Parë. Avantazhi i pesë ekipeve të para është se luajnë pesë ndeshje brenda dhe katër jashtë. Ndërsa vendi i parë pret në takimin e fundit në fushën e vet vendin e dytë, një sfidë që kthehet në finale.
Përgatiti: Besar Bozgo