Gërçaliu: De Biazi hero kombëtar, Austria favorite
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ronald Gërçaliu "zbulon" Shqipërinë në Austri.
Mbrojtësi i Tiranës në një rrëfim për të përditshmen "APA" bën prognozën e ndeshjes së të shtunës. Sipas tij, favorit në këtë duel janë vendësit, pasi janë më në formë dhe lojtarët kanë më shumë minuta në këmbë.
E krahason Xhani de Biazin me trajnerin e Austrisë, Marsel Koler, ndërsa e cilëson Bulkun si krahun e djathtë të italianit. Jo vetëm kaq, pasi në fund 30- vjeçari pranon se dëshiron që të kthehet në Austri, duke medituar kështu largimin nga bardheblutë.
"Austriakët janë një hap përpara. Ata po kalojnë një formë të mirë momentalisht. Shqipëria ka shumë legjionarë, por jo të gjithë luajnë rregullisht. Ndërsa ata austriakë janë në pjesën më të madhe të ndeshjeve zgjedhje të para", kështu e nis deklaratën e tij Gërçaliu.
Përmirësimi
E, megjithatë, ai e sheh Shqipërinë gjithnjë e në rritje, teksa përmend edhe infrastrukturën. "Shumë futbollistë janë formuar jashtë vendit, por edhe akademitë e klubeve brenda Shqipërisë po përmirë- sohen, infrastruktura po ashtu. Po rikonstruktohen dhe ndërtohen stadiume", shtoi ai, duke i cilësuar këto faktorë si të rëndësishëm në konkretizimin e ëndrrës europiane.
"Tani entuziazmi është i madh në fakt, skuadra ka bërë historinë. Shqiptarët shpresojnë për më shumë, pse jo që këtë surprizë ta bëjnë edhe në fazën e grupeve", tha ish-mbrojtësi i Kombëtares austriake.
De Biazi
Sipas tij, "bosi" i Shqipërisë është De Biazi, të cilin e quan "Koler"-i i Shqipërisë. "Në Shqipëri është një hero kombëtar. Ka dhënë një kontribut të madh në këtë sukses dhe ka ndërtuar një skuadër kompakte, që e respekton çdo kundërshtar".
Bulku
Tirana nuk ka asnjë lojtar të grumbulluar me Kombëtaren, por me ekipin do të udhëtojë krahu i tij i djathtë, siç e quan Gërçaliu. "Bulku është ekstremisht i rëndë- sishëm, pasi bën katalizatorin mes trajnerit dhe skuadrës", tha mbrojtësi për kapitenin 35- vjeçar.
Kujtimet
Për herë të parë në një Europian ka luajtur me fanellën e Austrisë, në 2008- ën, konkretisht kundër Kroacisë. "Më vjen keq që nuk do të jem, po ky është futbolli. Tashmë do t'i shoh dhe do t'i mbështes nga televizori".
Refuzimi
Që i vogël shkoi në Austri dhe ekipi i parë me të cilin luajti si profesionit ishte Strum Graz, ndërsa me kombëtaren ka debutuar në 2005-ën. Asokohe i bëri ftesë edhe Shqipëria, por duket se mbrojtësi nuk është bërë pishman për zgjedhjen e tij. "Kur isha 17 vjeç, Shqipëria më kërkoi, por vendosa për Austrinë dhe jam krenar", tha Gërçaliu, i cili tashmë është martuar me një austriake dhe ka dy fëmijë, të cilët jetojnë në Insbruk.
Rikthimi
Pas një karriere të gjatë në kampionatin austriak, në verë iu bashkua Tiranës. Ka një kontratë deri më 2017-ën, por duket se që tani po mediton "divorcin". "Objektivi im ishte gjithnjë që të luaja qoftë edhe një herë në Shqipëri, por tani dua të rikthehem në Austri. Jam shumë mirënjohës ndaj Austrisë. Aty mund që të bëhesha një profesionit", përfundoi Gërçaliu.