E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Gavazaj: Pres kombetaren, enderroj Realin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gavazaj: Pres kombetaren, enderroj Realin

Enis Gavazaj është një nga lojtarët e rinj më premtues, të kombëtares U-21 dhe të kampionatit belg. Mesfushori me origjinë nga Zhuri i Kosovës, i cili aktivizohet  për të dytin vit radhazi me ekipin belg të KAA Gent, flet për aventurën e tij në Belgjikë, përgatitjet për sezonin e ri, takimin me Besnik Hasin dhe ëndrrën për të luajtur me kombëtaren e madhe.

Enis, si kanë shkuar përgatitjet për fillimin e sezonit të ri me ekipin tuaj?

Kanë shkuar mjaft mire, megjithëse unë kam pasur një lëndim të vogël dhe nuk kam mundur të jem i gatshëm për ekipin.

A ka qenë i vështirë ambientimi juaj me jetën dhe futbollin në Belgjikë?

Normalisht, fillimi ka qenë shumë i vështirë, aq më tepër që nuk kisha as familjen pranë, gjithsesi them se tani ia kam arritur të përshtatem mirë dhe do të përpiqem të jap më të mirën time.

I keni munguar ekipit në dy ndeshjet e para, dhe skuadra nuk ka arritur të fitojë. Kur rikthehet në fushë Gavazaj?

Shumë shpejt. Kam rinisur stërvitjen dhe besoj se për një javë do të jem në dispozicion të ekipit. Pastaj do të vendosë trajneri nëse do të luaj apo jo.

Cilat janë objektivat tuaja me ekipin e Gent në këtë sezon?

Ne jemi përgatitur mirë që të zhvillojmë një sezon pozitiv dhe pse jo të arrijmë të kualifikohemi për në kupat e Europës. Ky është edhe synimi ynë madhor.

Po objektivat tuaja personale?

Së pari shpresoj shumë që të jem mirë fizikisht dhe të mos lëndohem. Këtë sezon pres të luaj sa me shumë, të shënojgola dhe të ndihmoj ekipin në arritjen e objektivave.

Besnik Hasi është trajneri i ekipit më të mirë belg, Anderlehtit. A keni pasur kontakte me të?

Isha i grumbulluar me ekipin kur luajtëm kundër Anderlehtit dhe aty takova Hasin. Ishte një takim shumë miqësor. Hasi po bën shumë mirë si trajner,e shpalli kampion ekipin e tij që në sezonin e parë.

Më datë 6 gusht Kombëtarja U 21 luan një takim miqësor kundër Katarit. A keni marrë ftesë për të qenë i pranishëm në këtë sfidë?

Sigurisht që po, por nuk mundem të vij në grumbullim për shkak të lëndimit që po më mban jashtë fushave. Unë jam shumë i kënaqur me trajtimin që më bëhet te Kombëtarja U21 dhe do të doja shumë të isha pjesë e ekipit në këtë takim.

Në shtator Kombëtarja e madhe luan ndeshjet eliminatore të vlefshme për europianin Francë 2016, kundër Portugalisë dhe Danimarkës. Duke parë mungesat e shumta të ekipit në repartin e mesfushës, a e prisni një ftesë nga trajneri De Biazi?

Kombëtarja është ëndrra dhe synimi im më i madh ndaj mezi e pres momentin kur të jem edhe unë i grumbulluar me ekipin. Gjithsesi çdo gjë është në dorë të trajnerit De Biazi. Unë nga ana ime jam i gatshëm dhe do të punoj pafund për ta merituar atë ftesë. Do të doja shumë që të luaja në këto eliminatore, veçanërisht ndeshjet ndaj Serbisë.

A e keni takuar ndonjëherë trajnerin italian De Biazi?

Jo, nuk e kam takuar asnjëherë, por në këtë periudhë nuk besoj se ai takohet me lojtarët. Gjithsesi unë jam i qetë sepse e di që kur ta meritoj do të më vijë ftesa për në kombëtare.

Lëmë pas Kombëtaren dhe flasim për Enis Gavazajn si futbollist. Cili është pozicioni ku ju ndiheni më mirë dhe jepni maksimumin në fushë?

Mesfushor krahu. I majtë apo i djathtë nuk përbën problem për mua, mjafton të luaj në krah. Gjithsesi mund të luaj edhe në pozicione të tjera nëse më kërkohet.

Goli më i bukur që keni shënuar?

Pa diskutim goli i shënuar para dy vitesh me kombëtaren U 19 në Vlorë. Luanim ndaj U19 belge dhe trajner kishim Foto Strakoshën. Shënova një gol të bukur nga 38m distancë.

Cili nga ligat evropiane ju tërheq më tepër?

Kampionatin spanjoll e ndjek vazhdimisht sepse zhvillohen ndeshje shumë spektakolare.

Po nga klubet, me cilin ekip jeni tifoz?

Real Madrid është ekipi që më pëlqen më shumë dhe e ndjek vazhdimisht. Zhvillojnë një futboll spektakolar dhe kanë në ekip disa nga lojtarët më të mirë në botë. E kam ëndërr të luaj me  ta por e di që më duhet shumë shumë punë t’ia arrij.