Galiani dhe skuadra kundër Berluskonit, votojnë Mihajloviçin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Zërat që flasin për një divorc të mundshëm në fund të sezonit mes Sinisha Mihajloviçit dhe Milanit janë shtuar së fundmi.
Presidenti i kuqezinjve, Silvio Berluskoni, nuk është i lumtur me punën që ka bërë në këtë sezon trajnerit serb, i cili, sipas këndvështrimit të "kavalierit", nuk është në gjendje që të bëjë ekipin të prodhojë një futboll tërheqës, ndërkohë që rezultatet e Sinishës nuk janë ato që prisnin drejtuesit në fillim të sezonit.
Alternativat- Janë të shumtë emrat që po qarkullojnë për momentin si pasues të 46-vjeçarit në stolin e "Djallit". Në "pole" është për momentin trajneri i Sasuolos, Eusebio Di Françesko, por gjithashtu Roberto Donadoni i Bolonjës dhe Vinçenco Montela i Sampdorias, të cilët ndiqen me interes nga Milani. Vullneti i presidentit është ai i italianizmit të ekipit, teksa po mendon që të "likuidojë" shumë të huaj, që nuk bëjnë më pjesë në planet e tij.
Opozitarët- Mirëpo, sipas asaj që raporton e përditshmja italiane "Il Corriere della Sera", brenda shtëpisë kuqezi ka edhe nga ata që nuk e shikojnë me "sy të mirë" largimin e Mihajloviçit nga Milani.
Bëhet fjalë për lojtarët e Milanit, të cilët i kanë qëndruar pranë trajnerit në momentet më të vështira dhe shpeshherë janë pozicionuar në krah të serbit, duke kërkuar konfirmimin e tij.
Të njëjtin mendim me grupin ndanë edhe administratori kuqezi, Adriano Galiani, i cili, pasi pa që t'i sfumonte ëndrra për të afruar Antonio Konten (trajneri i ardhshëm i Çelsit), nuk është më i orientuar për të ndryshuar emrin e teknikut.
Krahu i djathtë i Berluskonit mësohet se po bën të pamundurën për të bindur 79-vjeçarin që të konfirmojë Sinishën edhe në sezonin e ardhshëm.
Sakaq, Mihajloviç ka në dorë edhe "bonusin" e tij, që është Kupa e Italisë, pasi një fitore e mundshme kundër Juventusit në finale do të forconte pozitat e tij në stol. Berluskonit nuk i pëlqen kur vihet në diskutim dhe ndoshta mund të ndryshojë mendje në çastet e fundit për t'i dhënë besim trajnerit, por, për momentin, një gjë e tillë duket e vështirë.