Gafa e FSHF-së/ Ish-sulmuesi i Partizanit dekorohet për kontributin e dhënë te Tirana
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ish-sulmuesi i Partizanit dhe i Kombëtares kuqezi, Ylli Shehu, që aktualisht bën rolin e specialistit dhe trajnerit të futbollit, u dekorua sot nga FSHF për kontributin e dhënë me titullin "Legjenda e Futbollit Shqiptar".
Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Zakonshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, u vlerësuan edhe emra të tjerë të futbollit shqiptar, por ndryshe ndodhi me Ylli Shehun, i cili u vlerësua për kontributin te skuadra e Tiranës, e jo për Partizanin.
"Për kontributin e dhënë si sulmues virtuoz me skuadrën e Tiranës dhe kombëtaren e Shqipërisë. Një nga emrat më të njohur të futbollit shqiptar në vitet 1980. Vazhdon të japë kontributin e tij edhe në trajningun shqiptar",-shkruhet në motivacionin e titullit.
Në ceremoninë e organizuar nga FSHF u vlerësuan disa personalitete nga bota e sportit për vitin 2015. Mes tyre ishte edhe trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, i cili mori titullin "Nderi i Kombit në Futboll". Çmimet u shpërndanë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka.