Futboll sipas parimit qëllimi justifikon mjetin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Po ndodh në vendin tonë. Në çdo kategori. Pothuajse në çdo ndeshje. Ata që kanë marrë në dorë fatet e kësaj loje magjike, kanë vendosur të na sfidojnë, përkundër frymës së këtij sporti, me synimin e tyre për të fituar me çdo çmim.
Dhe, në këtë pikë, nuk ka më asnjë diskutim për fitues të një ndeshje dhe të një gare, por për përfitues dhe të ndëshkuar, për heronj dhe martirë të vetëshpallur.
Ndërkohë që e gjitha kjo, një ndeshje qoftë, një fundjavë apo një kampionat do të duhej të përjetohej si një festë, si një element përbashkues për shumicën e qytetarëve të një komuniteti të caktuar. Partizani-Skënderbeu, një finale e humbur me tifozët Ajo do të duhej të ishte reklama më e mirë për kampionatin e këtij sezoni.
Dhe, në favor të këtij objektivi, kishte shumë elementë. Mbi të gjitha, protagonizmi i të dyja skuadrave. Cilësitë e futbollistëve dhe eksperienca e trajnerëve respektivë. Ndeshja që luhej në një ditë feste zyrtare, në një orar të përshtatshëm për tifozët në stadium dhe shikuesit, si dhe evitimi i konkurrencës me ligat më të forta europiane.
Por, të gjitha këto pritshmëri "minohen" qysh në momentin e parë, kur, në mënyrë absurde dhe fyese, tifozët e shumtë, që pikësëpari janë qytetarë të lirë, detyrohen deri në torturë për të hyrë vetëm nga njëra portë e tribunës D2, "të ngjishen si sardele" me njëri-tjetrin, të mos u krijohet mundësia më minimale për të parë dhe duartrokitur skuadrën e tyre.
Dhe e gjithë kjo sakrificë, sepse organizatorët e ndeshjes dhe policia e shtetit nuk kanë rakorduar me njëri-tjetrin për të hapur edhe dyert e tribunave të tjera!!! Sepse, siç shumëkush e di, vetëm në Shqipëri ndodh që tifozët janë të detyruar ta shohin ndeshjen vetëm në një tribunë dhe jo siç ndodh gjithkund, ku tifozi-qytetar i lirë mund ta blejë biletën jo vetëm sipas çmimit dhe vendndodhjes, por edhe të zgjedhë nëse do të bëhet një ultras apo jo. Dhe e gjitha kjo torturë përse?
Sepse në klubet tona të futbollit tifozin vazhdojnë ta konsiderojnë si turmë, ndërkohë që duhet ta respektojnë si një klient. Dhe klienti, si në çdo fushë tjetër, ka kapriciot, por mbi të gjitha kërkesat e tij minimale që mbrëmjen e 14 marsit në "Qemal Stafa" u shkelën me këmbë. Ende vazhdoj të besoj se është fat i madh që atë mbrëmje nuk ndodhi ndonjë gjë serioze për të rrezikuar jetën e shumë njerëzve që zgjodhën për të shkuar në stadium.
90 minuta, për gjithçka ose asgjë
Një ndeshje futbolli "dreqi e mori" nuk mund të luhet nga fillimi deri në fund vetëm për ta fituar atë. Me të gjitha mënyrat. Me çdo çmim. Sepse e luajtur në këtë mënyrë, e përgatitur me këtë fiksim, rrezikon të prodhojë zhgënjim të madh dhe mbi të gjitha t'u mbyllë "portat" atyre sportdashësve që janë në dilemë për t'u rikthyer në stadiume.
Ndeshja Partizani-Skënderbeu ishte një tjetër konfirmim se si klubet tona (pasi kjo është një sëmundje e të gjithave) bëjnë gjithçka për të fituar një ndeshje.
Dhe këtu përfshihen faullet e panumërta, një pjesë e madhe e të cilave të konsideruara taktike, vonesat e pajustifikuara, futbollistë që, pavarësisht se e dinë se janë në sytë e të gjithëve, bëjnë sherre si në rrugicat e lagjes, apo ngjajnë me fëmijët që u mësohen hile për të vonuar lojën dhe të gjitha këto të marra së bashku prodhojnë një "çorbë" të pagëlltitshme, në vend të gatimit të "brand-i" të lakmuar nga të gjithë.
Mbrëmjen e 14 marsit, në duelin e dy skuadrave tona më të mira, do të duhej të merrnim mesazhin se futbolli ynë është në drejtimin e duhur, ku dominon festa, ku loja efektive është në nivelet më të larta, ku mbretëron "fair-play" dhe ku fati i ndeshjes vendoset nga klasi i futbollistëve dhe rregullat kapricioze të kësaj loje. Kam frikë se ky mesazh nuk u dha.
Gjithë fajin e ka... arbitri
Tanimë është bërë një refren i bezdisshëm sulmi ndaj arbitrave. Që ata kanë pjesën e tyre të fajit, kjo është diçka e vërtetuar katërcipërisht, por edhe të justifikohesh vetëm me mëkatet e tyre, duhet konsideruar vërtet e tepërt.
Në këtë pikë të sezonit, askush nuk mjaftohet vetëm me moviolën e ndeshjes, por në skenë nuk ngurrohet të hidhen për diskutim skenarë apo teori konspirative nga më të çuditshmit dhe shpeshherë qesharakë, të cilët më shumë dëshmojnë një lloj dëshire për t'u bishtnuar problemeve reale të skuadrave të tyre, sesa për zgjidhjen e kësaj problematike.
Një vërtetim për këtë është se drejtuesit e klubeve tona, të gjithë, i vënë në shënjestër të akuzave të tyre gjyqtarët vetëm në ditën kur ata janë penalizuar dhe asnjëherë kur përfitojnë prej tyre. Nëse këta drejtues do të ishin realisht të interesuar për ndryshime radikale për "skuadrën e gjyqtarëve" do të duhej më së paku të bëheshin bashkë për t'u ankuar në Asamblenë e Zakonshme të FSHF-së për padrejtësitë e bluzave të zeza.
Por, në vendin e duhur, askush nuk foli dhe nuk propozoi një mënyrë për të dalë nga kjo situatë e pakuptimtë. Dhe tanimë, klubet, për punën jo të mirë të bërë për çdo element të lojës së futbollit, i përdorin arbitrat si "dordolecë" për të trembur çdo zë kritik dhe çdo analizë të mirëfilltë teknike.
Futbolli ynë ka mbërritur në një moment ku protagonistët e tij duhet të reflektojnë dhe më në fund të binden për të mbjellë farën e besimit për këtë sport të magjishëm, duke e zëvendësuar fitimin e një ndeshjeje, mbijetesën, një biletë europiane apo një trofe, ekskluzivisht sipas parimit "Qëllimi justifikon mjetin". Shqiptarët e kanë provuar mbi kurriz dhe me shumë kosto se ku të çon një filozofi e tillë.
