E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Fushaj: Besoj te kualifikimi ne shtepine e Thunit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Fushaj: Besoj te kualifikimi ne shtepine e Thunit
Vllaznia e ka shansin që të sjellë në Shqipëri një skuadër të njohur, Palermon e Serisë A. Ky ishte verdikti i shortit për turin e tretë të Europa League. Por më parë duhet të eliminojë Thunin në shtëpinë e këtij të fundit. Pas shortit, numri një i shkodranëve nuk ka preferuar të flasë për përballjen e mundshme me sicilianët, por gjithë theksin e ka vënë te 90 minutat e kthimit në Zvicër. “Nuk mund të jap asnjë koment për momentin. Mendojmë vetëm për turin e dytë: kemi edhe një ndeshje jashtë me Thunin dhe nuk e dimë nëse do të kualifikohemi apo jo”, tha Fushaj. Duke u kthyer te turi i dytë, bosi i shkodranëve nuk e fsheh kënaqësinë për paraqitjen e skuadrës të enjten në “Loro Boriçi”, por rrëfen edhe pengun për një gol të munguar në portën e Thunit.

“Më pëlqeu reagimi i skuadrës, ku në fakt e mira do të ishte po të kishim fituar, mundësitë i patëm, por edhe mund të ishim ndëshkuar, sqaron ai. Mendoj se ndoshta rezultati më i drejtë i këtij takimi mund të ishte fitorja me një gol, në favorin tonë. Megjithatë është e rëndësishme që nuk kemi pësuar gol. Jam i kënaqur në përgjithësi me gjithçka në këtë ndeshje, edhe me tifozerinë, e cila si zakonisht meriton vlerësimet maksimale, por kësaj radhe ka qenë vërtet e veçantë. Nga gjithë ajo mbrëmje e shkëlqyer në të gjitha drejtimet, të paktën i mungoi vetëm një gol Vllaznisë, pasi gjithçka tjetër ka qenë në lartësinë e duhur”. Për ndeshjen e kthimit ai thotë se gjithçka është hapur dhe se beson që Vllaznia mund të shkojë në turin III: “Janë edhe 90 minuta të tjera për t’u luajtur në Zvicër dhe ne do të luajmë shanset tona për t’u kualifikuar për më tej. Unë besoj te kualifikimi, pse të mos besoj! Ekipi është i plotë, ka optimizëm dhe kemi treguar se mund të fitojmë edhe jashtë. Nëse luajmë si në Shkodër, kam bindjen se Vllaznia mund të jetë në turin e tretë”.