Fusha si moçal u bë hit në internet, kërkesë FSHF-së
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bashkia Cërrik i është drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit me një shkresë zyrtare në të cilën paraqet kërkesën për vendosjen e tapetit në stadiumin "Nexhip Trungu".
Mësohet se pushteti lokal e ka ndërmarrë këtë nismë pas përkeqësimit të terrenit dhe mjediseve të brendshme të stadiumit, gjë e cila u shfaq në mënyrën më të shëmtuar në "derbin" ndaj Sopotit.
Fotot e përbaltjes së fushës së Cërrikut bënë xhiron e rrjeteve sociale dhe mediave të shkruara, duke e cilësuar këtë si një arenë "skiatorësh" që nuk kishte asnjë lidhje me futbollin.
Mësohet se kryebashkiaku Altin Toska gjatë fillimit të këtij viti ka pasur një takim me zyrtarë të lartë pranë FSHF-së, të cilët kanë shprehur vullnetin e tyre për të financuar instalimin e një tapeti me bar artificial në "Nexhip Trungu".
Por, nëse federata jep zyrtarisht konfirmimin, institucionit vendor i lind detyra e krijimit të tribunës qendrore, sistemit të drenazhimit dhe rehabilitimit në tërësi të gjithë stadiumit. Florenc Manar