Furtunë te Tirana: Ndëshkime ish-drejtuesish, rihapje gjyqesh
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Klubi i Tiranës ka njoftuar nisjen e një procesi të gjerë auditi për të verifikuar shkeljet që janë bërë në vitet e fundit dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të tyre.
Në një deklaratë të publikuar pasditen e së premtes, klubi bardheblu njofton se auditi ka nisur në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës si aksionere e klubit.
Sipas njoftimit, në pak ditë thuhet se janë konstatuar një numër i madh shkeljesh, të cilat meritojnë zgjidhje dhe ndëshkime.
"Periudha e fundit pesë vjeçare, një periudhë transitive, rezulton të jetë periudha më negative, ku janë kryer një numër i madh abuzimesh. Auditi që po kryhet ka për qëllim të konstatojë gjithçka është bërë e më pas ti hapë rrugën një procesi ligjor për të ndëshkuar ish-drejtues, apo përfitues që kanë punuar në dem të klubit e për interesa të ndryshme",-thuhet në njoftimin e Tiranës.
Ndërsa shtohet se klubi do të jetë transparent për të publikuar shkeljet si dhe duke i ndjekur më pas ligjerisht ata.
"KF Tirana po punon per te rishikuar ceshtjet gjyqesore te humbura ne te shkuaren per shkak te paaftesie apo dashakeqesise se ish drejtueseve. Klubi po punon per te rihapur procese te mbyllura me dokumenta te falsifikuara apo deshmi te rreme qe sot jane fatura te demshme financiare per tu paguar. KF Tirana do te jete transparente dhe e hapur per te gjithe procesin intesiv qe ka nisur",-theksohet në deklaratën e klubit bardheblu.