e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Frajburg, Munshengladbah, Xhenoa e Siena interesohen per Sadikun

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Frajburg, Munshengladbah, Xhenoa e Siena interesohen per Sadikun
Një bomber i lindur dhe që po rritet në çdo ndeshje ku zbret në fushë. Ky është Armando Sadiku, talenti elbasanas që vetëm 10 muaj më parë rrezikonte të braktiste futbollin (ishte pezulluar dy vjet nga Disiplina), e që tashmë kërkohet nga klubet e disa prej ligave më të rëndësishme europiane. Paraqitjet e 20-vjeçarit, por mbi të gjitha golat që i realizon me një rregullsi mbresëlënëse, kanë bërë që lojtari i Kombëtares Under-21 të shndërrohet në një prej emrave më të lakuar në merkato. Edhe pse luan në Challenge League (kategorinë e dytë), të gjithë në Zvicër e njohin lojtarin që po shkëlqen me Lokarnon, skuadër në të cilën u transferua vetëm 7 muaj më parë, në mars 2011. Jo më kot, për shërbimet e Sadikut janë interesuar tri skuadra elitare në kampionatin helvet, Grasshopers, Jang Bojs e Tun, si edhe Belinzona e kategorisë ku ai luan aktualisht.

Megjithatë, fama e Armando Sadikut po përhapet me shpejtësi dhe emri i tij ka nisur të qarkullojë edhe në dy prej kampionateve më të rëndësishme në “Kontinentin e Vjetër”: Bundesligën gjermane dhe Serinë A italiane. Përveç kontakteve me klubet zvicerane, menaxheri i sulmuesit ka zhvilluar biseda edhe me drejtuesit e Frajburgut dhe Borusia Mynshengladbah, të cilat militojnë në elitën e futbollit gjerman. Ndërkohë, garës i janë shtuar edhe Xhenoa, një nga skuadrat e Serisë A që tradicionalisht shërben si trampolinë për mjaft futbollistë drejt klubeve më të mëdha italiane. Sadiku i intereson gjithashtu edhe Askolit, që militon në Serinë B italiane. Për kuqeziun, ato që flasin më mirë janë statistikat: në këtë sezon ai ka realizuar 10 gola me Lokarnon, nga të cilët 7 në kampionat dhe 3 në Kupën e Zvicrës. Ndërkohë, në vetëm 3 ndeshje me Kombëtaren Shpresa, në kualifikueset e Euro 2013 për U-21, elbasanasi ka realizuar 4 gola, dy në portën e Moldavisë dhe dy në portën e Polonisë.