e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Flamurtari, koktejli i fitores: 80 perqind vlonjatë!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Flamurtari, koktejli i fitores: 80 perqind  vlonjatë!
Ekipi i Buducnosti-t ka mbërritur dje në orët e paradites në Vlorë. Ethet ndjehen kudo.

Ekipi i Flamurtarit ndërkohë është i grumbulluar në Radhimë. Është thuajse e njëjta skuadër që mbylli sezonin, me ndryshime fare të vogla, largimin e dy tre lojtarëve dhe zëvendësimin e tyre. Ekipi ka ruajtur stafin e mëparshëm nën drejtimin e Maganit. Faza parapërgatitore në Ohër të Maqedonisë shërbeu për konsolidimin psikologji për ndeshjen e parë, çka rezultoi me sukses. Flamurtari rikujton ende shijen e vitit 1987 kur arriti të kalojë tre ture të kupave të Evropës.

Buducnost është akomoduar në hotel New York, ndërsa pasdite ka zhvilluar stërvitje në stadiumin “Flamurtari”. Traineri Sasha Petrovic u pushua menjëherë pas humbjes ndaj Flamurtarit, ndaj Buducnost do të drejtohet nga traineri Miodrag Radunovic, vetëm për këtë ndeshje. Pas aventurës në kupat europiane malazezët pritet të sjellin një tjetër emer në krye të ekipit të tre. “Do tëkërkojmë të bëjmë më të mirën,pse jo edhe surprizën” ka theksuar Radunovic për ndeshjen e ditës së enjte. “Natyrisht jemi të vetdijshëm se rezultati i ndeshjes së parë është i vështirë,po do të tentojmë. Në futboll,nuk i dihet kurrë”.

Petraq Bifsha, specialist futbolli, inspektor në klubin e futbollit Flamurtari

“Pozitive mendoj unë, është ruajtja në masën 80% e grupit.  Skuadra shprehu në Podgoricë nivelin e saj fizik, intelektual, duke marrë edhe një rezultat shumë optimal 3 me 1, duke hedhur një hap shumë të fuqishëm drejt kualifikimit. Lojtar dominues për këtë rezultat ishte Daniel Xhafa, që me eksperienën e tij, arriti të spikasë.

Ndeshja e kthimit ka po kaq rëndësi. Ekipi është përgatitur psikologjikisht për këtë ndeshje. Dhe unë kam besim që do ta kalojë turin me rezultat pozitiv. Më pëlqen të ritheksoj faktin se gati 80 % luajmë me vlonjatë.

Biletat

2000 L kushton bileta për Tribunën VIP Qendrore (SHITUR)

1000 L kushton bileta Tribunën VIP Krahët (SHITUR)

500 L kushton bileta për Tribunat A, B (NË SHITJE)

300 L kushton bileta për Tribunën C (NË SHITJE)

5000 vende ka stadiumi Flamurtari

“Dragonjtë Kuq e Zi”

“Dragonjtë Kuq e Zi” ka tre vjet që është krijuar. Erdhi si një nismë nga 10 persona, të cilët e rregjistruan edhe si shoqatë. Përfaqësues të saj pretendojnë të kenë në rradhët e saj rreth 150 vetë. Kryetifozi në shoqatë, orienton zakonisht me daulle. Sa për sharjet, përfaqësues të shoqatës pohojnë se nuk kanë lidhje me to, por justifikojnë tifozët e tjerë se gjithçka vjen spontane dhe lidhet paksa edhe karakterin e vetë vlonjatëve “kur bëhet një padrejtësi, gjithçka vjen me shpirt dhe bërtiten sharje, qofsh në San Siro, Barcelonë a Uembli… nuk është e panjohur”

“Dragonjtë Kuq e Zi” dhe një koreografi flamujsh në stadium

Agron Sinanaj, kreu i shoqatës së tifozëve shprehet se po punohet në drejtim të organizimit për të patur një dekor të mirë tek Tribuna C. tifozët janë pajisur me kapele, do të shpërndahen kapele dhe shalle kuq e zi, si edhe disa stilolapsa dhe çakmake me siglën e Flamurtarit.

Posterat e Daniel Xhafës dhe Sakajt, kapitenit dhe sulmuesit kryesor, janë gati. Flamuri i Flamurtarit me gjatësi 30 metër si edhe shumë banderola me “Forca Flamurtari”, “Kuq e zi do të fitojnë”, presin orën e valëvitjes.

Tifozë priten të vijnë nga Fieri e deri dhe nga Tivari, por, problem mbetet sasia e kufizuar e vendeve në stadium.

Pretendim: Ultrasit e Vlorës, të izoluar në Podgoricë

Fakti që kanë patur të gjithë kapele, shall, flamuj, që në hyrje të Malit të Zi ka nxitur shoqërimin e tyre drejt stadiumit. Agron Sinanaj tregon se ditën e ndeshjes në Podgoricë, janë nisur duke kaluar Hanin e Hotit dy furgonë me rreth 40 tifozë. “Fillimisht një kamion malazez ishte pengesa e parë dhe pas kësaj na shoqëruan me mjetet e policisë malazeze në Tivar. Kujtuam se ishte shenjë respekti, por drejt Podgoricës na thanë të hiqnim flamurin nga makina e më pas u shtua edhe një mjet tjetër pas furgonave tanë. Na çuan drejt e në stadium. Nuk na lanë as të blinim nga një shishe ujë të paktën.  Në stadium ishim të rrethuar.  Mesa morëm vesh, u vepruam kështu se na konsideronin “ultras”. Vetëm për këtë nuk na lejuan të lëviznim. Pas ndeshjes donim të rrinim pak me ekipin për t’ju gëzuar fitores, por nuk na lejuan. Vijuan shoqërimin drejt kufirit. Madje as në Tivar nuk na lejuan të ndalonim”