Flamurtari con ne prokurori ndeshjen me Partizanin

Flamurtari con ne prokurori ndeshjen me Partizanin

Bordi i ekipit të Flamurtarit çon për hetim në prokurori ndeshjen mes Partizanit dhe Flamurtarit. I mbledhur dje në Vlorë bordi ka analizuar me kujdes çdo detaj të ndeshjes mes Partizanit dhe vlonjatëve dhe ka dalë në konkluzion se kjo ndeshje duket se ka qenë e toleruar nga Flamurtari. Në këto kushte bordi ka marrë vendim që çështjen t’ia kalojë prokurorisë, duke iu ofruar prokurorëve edhe prova të ndryshme, duke filluar që nga kaseta e ndeshjes.

“Duke marrë shkas nga ngjarjet e ndodhura në takimin Partizani-Flamurtari, ndeshje që u fitua 2-1 nga të kuqtë, dhe duke pasur dyshime të forta se ky takim është trukuar nga disa futbollistë, Bordi Drejtues i Flamurtarit vendosi të denoncojë takimin Partizani-Flamurtari duke i vënë në dispozicion organit të akuzës të gjitha mjetet që klubi disponon, si ato filmike, edhe me analizën teknike të ndeshjes. Kemi vënë në dijeni Komisionin e Etikës pranë FSHF për zbardhjen e kësaj çështjeje. Ne sigurojmë se asnjë individ apo grup individësh nuk mund të hedhin baltë mbi Flamurtarin dhe administratorin, duke premtuar se kushdo që do të dalë i implikuar në këtë çështje nuk do të ketë mundësi të jetë më pjesë e futbollit shqiptar”, është shprehur në një qëndrim zyrtar Bordi Drejtues i Klubit Flamurtari.

Presidenti dyshon te 80 për qind e skuadrës që mund ta pësojnë para se të mbyllet sezoni futbollistik. Për ata që nuk e dinë Prokuroria shqiptare ka një tjetër çështje në diskutim ku është “aktor” skuadra e Flamurtarit. Prokuroria e Rrethit Vlorë që në fund të janarit nisi kryesisht hetimet për takimin Flamurtari-Teuta, që përfundoi me fitoren 2-1 të vlonjatëve, pas golit të shënuar në sekondat e fundit. Kjo është ndeshja e dytë që çohet në prokurori pikërisht ekipi i Flamurtarit.

Vetëm të mërkurën administratori i klubit kishte hedhur akuza të rënda ndaj lojtarëve, duke kërcënuar se 80% e tyre do të largohen pa u mbyllur sezoni. “Unë dhe ju nga televizori pamë turpin e radhës në futbollin shqiptar. Turpin e ka bërë Flamurtari dhe lojtarët e tij. Fanella e Flamurtarit është shitur (emrat do t’i mësoni shumë shpejt) dhe mbi të gjitha ja dolën të na marrin trofeun,që me aq mund e fituam, trofeun e dinjitetit. Marrëdhënia jonë si drejtues ndaj çdo individi në klubin Flamurtari do të rishikohet dhe nga të gjithë lojtarët e klubit do të sanksionohen. Kjo është masa administrative, ndërkohë që nga masat do të jenë edhe ligjore. Prisni dhe do të shihni…”, është shprehur Sinan Idrizi, në reagimin e tij dy ditë më parë. Dhe kjo ka ndodhur të enjten paradite....

Rrahmani: Gol edhe kundër Vllaznisë

Shënuesi i golit të barazimit të përkohshëm në takimin Partizani-Flamurtari, Amir Rrahmani nuk e kthen kokën pas, por sheh përpara për ndeshjen me Vllazninë. “Jam shumë i lumtur për fitoren e arritur ndaj Flamurtarit. Ishte një ndeshje shumë e fortë. Flamurtari ka dalë nga objektivat dhe luajti lirshëm ndaj nesh, duke na krijuar shumë probleme sidomos në fazën mbrojtëse të tyre. Në pjesën e parë ata na vunë në vështirësi, duke kaluar në avantazh dhe e mbyllën pjesën e parë në favorin e tyre.

Fatmirësisht gjatë pjesës së dytë, ne reaguam siç duhet dhe arritëm të shënonim, pas disa aksioneve të njëpasnjëshme të humbura. Goli i barazimit personalisht më gëzoi dhe jam i lumtur që skuadra u fut në lojë pas barazimit. Më pas kërkuam me shumë ngulm golin e avantazhit dhe në fund ja arritëm qëllimit. Ishte një ndeshje shumë e fortë dhe e siguruam një trepikësh me shumë vlera. Unë mendoi se ekipi e ka kaluar ngërçin psikologjik dhe jemi gati për fitoren e radhës me Vllazninë”, është shprehur Rrahmani.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama