e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Fetel 4 here kampion, tani mes te medhenjve

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Fetel 4 here kampion, tani mes te medhenjve

Sebastian Fetel ka shkruar emrin e tij mes legjendave të sportit të automobilizmit, duke fituar për herë të katërt, për më tepër radhazi, titullin kampion në Formula 1. Një sukses më se i merituar i gjermanit të Red Bull që ka dominuar plotësisht në këtë sezon.

Fitorja e 10 sezonale, ajo e djeshme në Çmimin e Madh të Indisë, mjaftoi për t’i dhënë titullin kampion, ndërsa e vendosi atë përkrah emrave legjendarë të botës së Formula 1. Fetel bëhet i katërti pilot që fiton 4 tituj, pas Fanxhio (5), Prost (4) e Shumaher (7), por është më i riu që ka arritur në këtë etapë të rëndësishme të karrierës, pasi nuk ka mbushur ende 27 vjeç.

Suksesi i djeshëm ishte një tablo e qartë e lehtësisë me të cilën Fetel ka fituar këtë titull. Ai u nis nga vendi i parë, por hyri në bokse vetëm pas dy xhirosh, për të ndërruar gomat. Por nëse kthimi në pistë në vendin e 18 në këtë pikë të garës do të ishte një makth për cilindo pilot tjetër, për Fetel ishte thjesht argëtim. Gjermani filloi të parakalonte një pas një këdo që i dilte para dhe në xhiron e 28 e pa veten përsëri në kryesimin e garës, i ndjekur vetëm nga shoku i tij i skuadrës, Mark Ueber. Gjithsesi, ky i fundit i dha lamtumirën garës në xhiron e 40-të, pas problemeve të zakonshme teknike, duke bërë që Fetel të shkonte i pashqetësuar drejt finishit. Gjermani kërkoi edhe rekordin e pistës për xhiron më të shpejtë, por ndërhyrja e drejtuesve të Red Bull nga bokset ia pengoi këtë kënaqësi.

Në fund, pas kalimit poshtë flamurit bardhezi, Fetel festoi pa menduar shumë për rregullat, apo për gjobën prej 25 mijë eurosh që vendos FIA për eksese të tilla. Gjermani filloi të digjte gomat në pistë, ndërsa më pas u ndal, u përkul para makinës Red Bull dhe e puthi atë, njëvendshen që në drejtimin e tij u bë e pakapshme për çdo rival edhe në këtë sezon. Çmimi i Madh i Indisë ishte festë edhe për skuadrën Red Bull që me meritë fitoi titullin e konstruktorëve për të katërtin vit radhazi, duke vërtetuar se në dominimin e Fetel, ka gisht edhe makina perfekte që ndërtojnë sezon pas sezoni.

Suksesi i Fetel kaloi thuajse në plan të dytë renditjen e pilotëve të tjerë në garë. Groszho dhe Rosberg plotësuan podiumin, ndërsa në zonën e pikëve, sipas radhës u renditën Masa, Perez, Hemilton, Raikonen, Di Resta, Sutil dhe Riçiardo. Vetëm vendi i 11-të për Fernando Alonson, i penalizuar nga një përplasje me Ueber në fillimin e garës që e detyroi të hynte në bokse për të ndërruar pjesën e përparme të makinës, duke mbyllur shumë shpejt çdo pretendim për të mbajtur gjallë shpresat për titullin kampion. Por duke parë formën e Fetel dhe makinës Red Bull, dihet që spanjolli i Ferrarit po mendon prej shumë javësh si të mbrojë vendin e dytë, atë që kohët e fundit është parë si objektivi i vetëm madhor i mundshëm për çdo pilot me përjashtim të atij që edhe në sezonin e ardhshëm do të mbajë numrin 1 mbi makinën e tij.

 

Rekordet që mban Sebastian Fetel

Kampioni më i ri i botës: 23 vjeç e 135 ditë. Më parë mbahej nga Luis Hemilton me moshën 23 vjeç e 301 ditë.

Piloti më i ri që fiton dy kampionate radhazi: 24 vjeç e 99 ditë. Më parë mbahej nga Fernando Alonso me moshën 25 vjeç e 86 ditë.

Piloti më i ri që fiton tre kampionate: 25 vjeç e 146 ditë. Më parë mbahej nga Airton Sena me moshën 31 vjeç e 214 ditë.

Piloti më i ri që fiton tre kampionate radhazi: 25 vjeç e 146 ditë. Më parë mbahej nga Mikael Shumaher me moshën 33 vjeç e 200 ditë.

Piloti më i ri që fiton katër kampionate: 26 vjeç e 117 ditë. Më parë mbahej nga Mihael Shumaher me moshën 32 vjeç e 229 ditë.

Piloti më i ri që fiton katër kampionate radhazi: 26 vjeç e 117 ditë. Më parë mbahej nga Mihael Shumaher me moshën 34 vjeç e 283 ditë.

Fituesi më i ri i një Çmimi të Madh: 21 vjeç e 74 ditë. Më parë mbahej nga Fernando Alonso me moshën 22 vjeç e 26 ditë.

Piloti më i ri në “pole-position”: 21 vjeç e 37 ditë. Më parë mbahej nga Fernando Alonso me moshën 21 vjeç e 237 ditë.

Piloti më i ri që hipën në podium: 21 vjeç e 74 ditë. Më parë mbahej nga Fernando Alonso me moshën 21 vjeç e 238 ditë.

Piloti më i ri që fiton një pikë në kampionat: 19 vjeç e 349 ditë. Më parë mbahej nga Xhenson Baton me moshën 20 vjeç e 73 ditë.

 

 

Botërori i Formula 1

Renditja për pilotë

Sebastian Fetel 322 p.

Fernando Alonso 207

Kimi Raikonen   183

Luis Hemilton   169

Mark Ueber 148

Niko Rosberg    144

Felipe Masa     102

Romen Groszho   102

Xhenson Baton   60

Pol Di Resta    40

Niko Hulkenberg 39

Serxhio Perez   33

Adrian Sutil    28

Daniel Riçiardo 19

Zhan Erik Vernje     13

Esteban Gutierrez    6

Pastor Maldonado     1

Renditja për konstruktorë

Red Bull-Reno   470 p.

Mercedes   313

Ferrari    309

Lotus-Reno 285

MekLaren-Mercedes    93

Force India-Mercedes 68

Sauber-Ferrari  45

Toro Roso-Ferrari    32

Uilliams-Reno   1