Fazliu mesazh për Agostinelin, shënon 4 gola në miqësore
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Partizani e ka mbyllur javën përgatitore me një ndeshje kontrolli brenda grupit. Stafi teknik, pas përgatitjeve me karakter fizik, e ka ndarë grupin në dy ekipe, duke i vënë përballë në një ndeshje testuese.
Mungesat kanë qenë të konsiderueshme në seancën e djeshme, ku Filipe Gomes dhe Arbnor Fejzullahu vijojnë me leje dhe pritet që t'i bashkohen ekipit vetëm në fillim të javës.
Gjithashtu, për arsye familjare dje nuk kanë qenë prezentë në stërvitje edhe Xhavahir Sukaj me Lorenc Trashin. Ndërsa Alban Hoxha, Jurgen Bardhi dhe Realdo Fili do të mungojnë deri në përfundim të angazhimeve me ekipet kombëtare.
Për shkak të mungesave të shumta, stafi teknik kishte marrë edhe dy lojtarë nga të rinjtë, Mema dhe Jaupaj. Takimi u gjykua nga trajneri Agostineli dhe ndihmësit e tij, Dalipi dhe Xhanoti. Takimi u zhvillua mes minutash të kufizuara, ku pjesa e parë zgjati 35 minuta, ndërsa e dyta 25 minuta.
Ndonëse u luajtën vetëm 60 minuta, golat ishin të shumtë, plot njëmbëdhjetë. Ajo që ra në sy në këtë test të djeshëm ishte shpërthimi i Astrit Fazliut, i cili shënoi katër gola të bukur. Sulmuesi kosovar e ka shfrytëzuar testin e djeshëm për t'i dhënë një mesazh të qartë trajnerit Agostineli, i cili thuajse "e harroi" në fazën e tretë.
Paraqitje pozitive bënë edhe sulmuesit e tjerë të ekipit, ku Vatnikaj e Raçiç shënuan nga dy gola dhe Vila një. Në këtë takim shënoi edhe Gëzim Krasniqi dhe një autogol nga Vidoviç. Takimi - Pjesa e parë u karakterizua nga një bollëk golash.
Në minutën e 6-të Vatnikaj hap serinë e golave për skuadrën e tij, që në fund rezultoi fituese. Një minutë më pas, Raçiç barazon rezultatin dhe në minutën e 9-të Vila përmbys disavantazhin. Në minutën e 17-të Vidoviç në tentativë për të larguar topin e gjuajtur nga Ismailaj, shkakton autogol.
Tri minuta më pas del në skenë Astrit Fazliu, që shënon golin e tretë për skuadrën e tij, dhe 2-3. Në minutën e 22-të, Festim Krasniqi nga këndi e dërgon topin në zonë dhe Fazliu kërcen bukur e me kokë e dërgon topin në rrjetë, 2-4.
Në minutën e 28-të, Vatnikaj me qetësi shënon golin e pestë për ekipin e tij dhe të dytin personal. Në shifrat 2-5 mbyllet pjesa e parë. Në të dytën ritmi ishte më i ulët. Në minutën e 12-të të kësaj pjese, Astrit Fazliu shënoi një eurogol dhe rezultati shkon në 2-6.
Një minutë më pas, Gëzim Krasniqi realizon dhe shkurton shifrat në 3-6. Në minutën e 15-të të pjesës së dytë, Raçiç shënon golin e katërt për skuadrën e tij dhe të dytin personal. Në minutën e 24-t, Fazliu kompleton "pokerin" personal dhe takimi mbyllet në shifrat 4-7. Fazliu ka qenë njeriu i testit të djeshëm dhe ndoshta ndikoi edhe pozicioni, pasi ai luajti si sulmues i dytë dhe jo në krahë, siç e vendosin zakonisht gjatë ndeshjeve.