Fantazistin e pëlqen Josa/ Mara, talenti që po mahnit te Skënderbeu
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Akademia e Skënder beut është futur fu qimisht këtë sezon, falë edhe menaxhimit të presidentit Ardjan Takaj. Klubi ka përqendruar vëmendjen te moshat dhe frytet e para duket se po jepen.
Kjo rritje e nivelit solli edhe elementë të spikatur te Skënderbeu, teksa një prej të cilëve është edhe Uerdi Mara. 17-vjeçari nga Maliqi është një nga lojtarët më premtues të Skënderbeut. Talenti i tij ra menjëherë në sytë e trajnerit Josa, i cili e grumbulloi në fazën përgatitore të janarit.
Tashmë Mara konfirmon në një intervistë për "Panorama Sport" se pas tij janë vënë akademitë e Juventusit, Sportingut dhe Luganos, që kërkojnë të testojnë vlerat e fantazistit të Skënderbeut U-19.
Uerdi, kur keni nisur të luani futboll për herën e parë?
Në moshën 6-vjeçare kam nisur të luaj për herë të parë futboll me ekipin e moshave të qytetit të Maliqit, për të kaluar më pas tek akademia e Skënderbeut.
Cili është pozicioni juaj i preferuar në fushë?
Ndihem më mirë në rolin e trekuartistit, pas dy sulmuesve. Mendoj që është roli që i përshtatet më shumë karakteristikave të mia si futbollist. Sa herë luaj në atë pozicion, jam më i lirshëm dhe shumë komod në fushë.
Cili është idhulli juaj dhe kujt mendoni se i ngjasoni?
Idhulli im është Leo Mesi dhe mendoj se i ngjaj disi atij në fushë, pavarësisht se është një lojtar i paarritshëm dhe është shumë të thuash se mund të krahasohesh me Mesin. Por unë mundohem ta imitoj dhe të njëjtën gjë bëj edhe në fushë. Ndonjëherë e teproj, por më pëlqen të imitoj lëvizjet e tij.
Sa gola keni shënuar deri më tani në kampionat?
Ky ka qenë një sezon mjaft i mirë për mua, pasi kam shënuar 14 gola në momentin kur isha me paratërinjtë e Skënderbeut. Më pas kalova te ekipi U-19, ku dhe po aktivizohem aktualisht.
Nga U-17 tek U-19, ku është ndryshimi për ju?
Kampionati U-19 është më i vështirë për mua, sepse lojtarët janë më të mëdhenj dhe më të fortë fizikisht, por po mundohem që të përshtatem.
Cila është ëndrra juaj në futboll?
Ëndrra ime është që në të ardhmen të luaj me një ekip të madh europian, sigurisht edhe me Kombëtaren shqiptare.
Kur mendoni se do të bëni debutimin me ekipin e parë të Skënderbeut?
Pres sa më shpejt të debutoj me Skënderbeun, pasi është një nga dëshirat e mia. Fillimisht dua të fitoj besimin e trajnerit Josa për të qenë pjesë e ekipit, para se të aktivizohem diku tjetër.
Keni qenë pjesë e skuadrës së Josës në fazën përgatitore në janar, sa ju ka ndihmuar kjo eksperiencë?
Kreva të plotë fazën në Spanjë dhe së pari për mua ishte një kënaqësi e madhe që isha pjesë e ekipit kampion. Më ka ndihmuar shumë të stërvitem me lojtarë të mëdhenj si Salihi, Shkëmbi, Arapi etj.
A keni marrë oferta për të shkuar në akademi të tjera?
Po, me anë të një menaxheri kam mësuar se kanë shfaqur interes për mua akademitë e Juventusit, Sporting Lisbonës dhe Luganos. Agjentët e tyre kanë kërkuar të më testojnë si lojtar. Kjo ka qenë e papritur për mua dhe tepër befasuese, por shpresoj të realizohet.
LLAZI SARO