Fanellat e reja, Shqipëria kalon Anglinë dhe Spanjën
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Fanella e re e Kombëtares shqiptare renditet e 11-ta në sondazhin që gjiganti mediatik "Sky Sport" ka hapur në faqen online gjatë ditëve të fundit.
Në këtë anketim interaktiv, pasi janë zbuluar të gjitha uniformat e skuadrave në "Francë 2016", portali i "Sky Sport" fton tifozët të votojnë duke klikuar në shigjetën me drejtim lart apo poshtë në varësi të pëlqimit apo mospëlqimit të çdo fanelle për të votuar "fituesit apo humbësit".
Kësisoj, në votimin e hapur, Shqipëria me fanellën e saj të re të dizenjuar enkas për pjesëmarrjen historike në Europian, renditet në vendin e 11-të. Kuqezinjtë kanë lënë pas Kombëtare si Anglia dhe Spanja.
Për sa u përket rivalëve në grup, Franca mikpritëse e kompeticionit është e para në klasifikimin special të fanellave, ndërsa Shqipëria lë pas Zvicrën që ndodhet në vendin e 13-të dhe Rumaninë e pozicionuar në vendin e 22-të.
Vetëm dy ditë më parë skuadra kuqezi prezantoi në një ceremoni fanellat e reja të prodhuara nga firma e veshjeve "Macron". Nga kontrata me kompaninë italiane, FSHF do të përfitojë 6 milionë euro për 5.5 vite.