Falcao, gati te reduktoje rrogen per Juventusin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Juventus po punon nën rrogoz për të joshur bomberin kolumbian për t’u veshur bardhezi. Lajmin e bën të ditur “Gazzeta dello Sport”, sipas së cilës, lojtari është gati të reduktojë rrogën e tij për t’u transferuar në Torino. Sipas të përditshmes italiane mësohet se Marotta ka nisur nën zë diskutimet me drejtuesit e klubit francez për të kuptuar nëse operacioni Falcao mund të realizohet dhe burime pranë klubit të principatës bëjnë të ditur se ideja fillestare është një hua me kosto 20 milionë euro dhe me të drejtë blerjeje gati 10 milionë euro pas një viti.
Problemi qëndron tek rroga. Pikërisht në këtë pikë dëshira e lojtarit për të ndryshuar ambient ngjitet në skenë dhe sipas medias italiane bëhet me dije se Juventusi është gati t’i japë Falcaos 4 milionë euro në sezon, shtuar këtu bonuset dhe të drejtat e imazhit, duke e rritur kështu rrogën vjetore në gati 7-8 apo dhe 10 milionë euro në rastin më të mirë. Kujtojmë që “El Tigre” është detyruar të rrijë jashtë fushave për një periudhë të gjatë për shkak të një dëmtimi në gju dhe kjo i bën skeptikë drejtuesit e Juventusit. Marota veç blerjes së Falcaos po mendon edhe për disa shitje, me qëllim mbledhjen e likuiditetit të nevojshëm për të joshur francezët e Monakos.
Këtu i vjen në ndihmë dhe tratativa me Valencian për Llorienten, si dhe largimi i Vidal drejt Manchester United apo Bayern Munych. Edhe pse lajmi duket gati i pabesueshëm, duke parë strategjinë e Juventusit për të kursyer, tekniku i bardhezinjve, Massimiliano Allegri e ka bërë të qartë sot nevojën që ka skuadra për një mbrojtës dhe një sulmues. “Më duhen dy lojtarë. I kam bërë të qartë klubit që lojtarët duhet të jenë cilësorë”, – u shpreh Allegri.