e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

FSV Frankfurt vendos te fale Kapllanin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
FSV Frankfurt vendos te fale Kapllanin

Dy humbjet radhazi në Bundesligën 2 dhe rreziku real i rënies nga kategoria, kanë shtyrë drejtuesit e FSV Frankfurt të falin Edmond Kapllanin. Sulmuesi durrsak ishte pezulluar nga klubi që pas ndeshjes së 22 nëntorit ndaj Energi Kotbus, ku ai u zu me një nga shokët e skuadrës për gjuajtjen e një penalltie. Por vendimi për ta mbajtur jashtë skuadre deri në janar dhe mundësisht për ta nxjerrë atë në shitje, është hedhur poshtë ditën e djeshme nga bordi drejtues. Një ide që bën të qartë se ky klub, pa sulmuesin shqiptar në përbërje, do ta ketë shumë të vështirë të sigurojë mbijetesën në Bundesligën 2.

Mediat gjermane kanë bërë të ditur se ka qenë kapiteni i skuadrës, Bjorn Shlike dhe përfaqësuesit e tjerë të skuadrës që kanë folur me drejtorin sportiv, Uve Stover, rreth kësaj çështjeje. Pastaj ka qenë radha për të bindur trajnerin Beno Mohlman, me këtë të fundit që ka dhënë aprovimin e tij, duke bërë që bordi drejtues i klubit të dekretonte fundin e dënimit të Kapllanit.

“Edmond Kapllani e ka kuptuar gabimin e tij, ka nxjerrë konkluzionet e duhura dhe është sjellë në mënyrën e duhur. Ky ka qenë kushti që i kemi vënë për të hequr dënimin e tij. Iniciativa e skuadrës tregon se ky incident ka kaluar”, deklaroi Stover para gazetarëve pas këtij vendimi. Ndërkohë, edhe trajneri Mohlman ka folur pozitivisht për sulmuesin shqiptar. “Kapllani na ka dhënë gjatë pezullimit të tij një përgjigje profesionale, duke u stërvitur si profesionist në maksimumin e tij dhe duke u integruar me grupin”, u shpreh tekniku i FSV Frankfurt.

Kuptohet që më i lumturi nga kjo situatë ka qenë pikërisht Edmond Kapllani, i cili është shprehur se është penduar për gjestet që ka kryer gjatë ndeshjes së tri javëve më parë. “Nuk jam lejuar që të qëndroj me ekipin, pasi jam sjellë keq në atë takim dhe e di se kjo nuk duhej të ndodhte. Jam i lumtur që kthehem përsëri në ekip, gjëra të tilla nuk do të ndodhin më as në stërvitje dhe as në ndeshje. Është një sinjal mjaft pozitiv që ishte skuadra ajo që kërkoi heqjen e dënimit tim. Ky është një besim të cilin unë dua ta shpërblej sa më shpejt në fushën e lojës”, tha futbollisti 31-vjeçar.

Kapllani është sulmuesi më i mirë i FSV Frankfurt, ndërsa ka shënuar 7 gola në 15 ndeshjet që ka luajtur në këtë sezon. Ai iu bashkua ekipit në korrikun e vitit 2012, duke nënshkruar një kontratë dyvjeçare, e cila përfundon me mbylljen e këtij sezoni. Gjatë eksperiencës së tij në radhët e kësaj skuadre, Kapllani ka shënuar 18 gola në 41 ndeshje, për t’u kthyer në një nga futbollistët më të rëndësishëm të ekipit.

Pezullimi

Kapllani ishte lënë jashtë skuadre pas zënkës me kapitenin Shlike për gjuajtjen e një penalltie