e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

FSHF, ne mars drejt zgjedhjeve ku Armand Duka garon pa rivale

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
FSHF, ne mars drejt zgjedhjeve ku Armand Duka garon pa rivale

Zgjedhjet e FSHF-së pritet të zhvillohen para fundit të muajit mars për të legjitimuar mandatin e katërt të presidentit aktual të këtij institucioni, i cili garon në kushte ideale

Mandati i katërt

Këtë radhë, presidenti aktual i FSHF-së do të garojë pa pasur “kërcënimin” e një kundërshtari që ka mbështetjen shtetërore

2002 - Armand Duka u zgjodh për herë të parë president i FSHF-së në Asamblenë e vitit 2002, kur konkurroi përballë Mehdi Bushatit
2006 - Triumfi në zgjedhje përballë Salvador Kaçajt dhe Edmond Haxhiajt i siguroi 4 vite të tjera në drejtimin e futbollit shqiptar
2010 - Duka u rizgjodh nga Asambleja e FSHF-së për herë të tretë duke triumfuar në raundin e parë përballë Refik Halilit dhe Rudi Vatës

Armand Duka pritet të konfirmohet në mandatin e tij të katërt radhazi në kreun e FSHF-së. Pavarësisht polemikave në distancë me drejtuesit e klubeve apo figurave të futbollit shqiptar në këto vitet e fundit, gjithçka pritet të jetë shumë më e lehtë sesa në zgjedhjet e mëparshme për numrin 1 aktual të FSHF-së. Mungesa e rivalëve në garë dhe e zërit kundër ka bërë të sigurt rizgjedhjen e tij, që pritet të zyrtarizohet brenda muajit mars.

Të gjithë zërat e mundshëm për një kandidaturë të Igli Tares për postin e presidentit të FSHF-së, janë hedhur poshtë nga vetë ish-futbollisti i kombëtares shqiptare. Pak kohë më parë ai bëri të ditur se për momentin i interesonte të vazhdonte karrierën si drejtues sportiv në Itali, ndaj nuk do të kandidonte në këto zgjedhje. Një gjë e tillë i ka hapur rrugën Dukës për të kërkuar të mbyllë sa më parë çështjen e rikandidimit të tij dhe të sigurimit të mandatit të katërt. Burime të Shqip kanë konfirmuar se sekretariati i FSHF-së ka filluar procedurat për përgatitjen dhe shpalljen e datës së Asamblesë Zgjedhore brenda muajit mars, datë që do të zyrtarizohet në ditët në vazhdim.

Presidenti aktual i FSHF-së, ka mbështetje shumë të fortë ndërkombëtare nga UEFA dhe FIFA, e cila pritet të konfirmohet edhe nga vizita e 19 shkurtit në Tiranë e Mishel Platini. Presidenti i UEFA-s ka ardhur në vendin tonë personalisht, apo ka dërguar persona të afërt pranë tij sa herë që Duka ka pasur përplasje me shtetin shqiptar, si në rastet e Asambleve Zgjedhore të mëparshme, apo edhe në ato të auditimit të financave të FSHF-së. Duhet kujtuar se në zgjedhjet e katër viteve më parë në FSHF, vëzhguesi i UEFA-s ishte Angel Maria Vijar Lona, presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, i cili mban atë post që nga viti 1998 dhe që shpesh ka mbështetur edhe publikisht presidentin e FSHF-së. Vizita e Platinisë pritet të jetë pjesë e fushatës zgjedhore të Dukës, ndërsa sigurisht që edhe këtë radhë, një emër i shquar i futbollit europian do të vijë si vëzhgues në zgjedhjet e këtij institucioni.

Me përjashtim të mandatit të parë, ku ai u zgjodh me konsensusin e komuniteti sportiv dhe me miratimin edhe të kundërshtarëve të tij, Duka është ndeshur në mandatet e tjera me rivalë që jozyrtarisht kanë pasur mbështetje shtetërore. Si në vitin 2006, ashtu edhe në vitin 2010, zgjedhjet për President në Asamblenë e FSHF-së kanë pasur ngjyrim të thellë politik. Kjo bëri që procesi të mos kalojë pa incidente, akuza për manipulime delegatësh e votimesh, apo edhe presion të vazhdueshëm edhe në ditën e zgjedhjeve. Por në vitet e fundit, marrëdhënia e FSHF-së me shtetin është normalizuar dhe duket se këtë radhë nuk do të ketë një kundërshtar të Dukës që do të gëzojë mbështetjen shtetërore në garë. Fakti se pjesa më e madhe e klubeve të futbollit janë ende në varësi të bashkive, bën që mbështetja e fuqishme “jozyrtare” e shtetit ndaj një kandidati të caktuar të mund të ndikojë në garën për president dhe për përbërjen e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Por këtë radhë, presidenti aktual pritet të jetë vetë “kandidatura shtetërore”, duke bërë më të thjeshtë rizgjedhjen e tij për një mandat të katërt.

Në një situatë kaq të favorshme, në një moment kur asnjë drejtues klubi nuk shprehet publikisht kundër presidentit aktual të FSHF-së, ndërsa duket se po merr rrugë edhe plani i ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar, pritet vetëm caktimi i datës së Asamblesë Zgjedhore. Përveç riemërimit të Dukës, edhe Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së nuk do të pësojë ndryshime të shumta, duke ruajtur një bërthamë të besuar që për 8 vitet e fundit ka drejtuar futbollin shqiptar. Ndryshimet më të mundshme pas zgjedhjeve, siç ka ndodhur në dy mandatet e fundit, janë vetëm ato në aparatin e administratës së FSHF-së, me lëvizje kryesisht brenda institucionit nga një post në tjetrin. Kjo do të thotë se futbolli shqiptar, me përjashtim të një surprize të paparashikuar të minutës së fundit, nuk do të përjetojë ndryshime të mëdha në mandatin e ardhshëm të drejtuesve të saj, duke vazhduar në të njëjtën rrjedhë me 4 vitet e fundit.

 

Asambleja
Si veprohet për të zgjedhur drejtuesit e futbollit shqiptar

Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së është organi më i lartë legjislativ i këtij institucioni dhe një herë në katër vite, ajo mblidhet për të zgjedhur presidentin dhe Komitetin Ekzekutiv që drejton për një mandat katërvjeçar. Ndërkohë, ky organ i lartë mund të marrë edhe vendime shumë të rëndësishme si përshtatjen dhe ndryshimin e statutit apo rregulloreve të FSHF-së, votimin e buxhetit të këtij institucioni, apo edhe të lirojë nga detyra një anëtar të caktuar të një organi ekzekutiv të FSHF.

Delegatët

E drejta e votës gjatë Asamblesë Zgjedhore i garantohet me Statut të FSHF-së të gjitha klubeve të anëtarësuara në FSHF (aktualisht 54 të tilla), 8 Shoqatave Rajonale, Shoqatës së Trajnerëve, Shoqatës së Mjekëve Sportivë, Shoqatës së Arbitrave dhe Shoqatës së Futsallit. Të gjithë këta anëtarë të mësipërm kanë të drejtën e vetëm një vote në zgjedhje. Me shpalljen e datës së mbajtjes së Asamblesë Zgjedhore, ata kanë të drejtën të dorëzojnë në FSHF brenda datës së caktuar propozimin për vetëm një kandidat për president apo anëtar për Komitet Ekzekutiv në përputhje me kërkesat e statutit të FSHF-së. Secili nga anëtarët e FSHF dërgon në Asamble vetëm një delegat me të drejtë vote, i autorizuar me prokurën përkatëse nga organi që i autorizon.

Në këtë pikë, FSHF nuk përcakton se kush mund të jetë i pranishëm gjatë Asamblesë si delegat me të drejtë vote, duke lënë gjithçka në dorën e klubeve dhe shoqatave në bazë të statutit individual. Për këtë arsye, në Asamble gjatë viteve të fundit ka ndodhur rëndom që kanë votuar administratorë dhe shefa klubesh, përfaqësues të pushtetit vendor të qyteteve përkatëse, futbollistë apo trajnerë, të cilët kanë marrë mandatin përkatës nga klubet e tyre. Në zgjedhjet e mëparshme ka pasur shpesh incidente për sa u përket të mandatuarve me të drejtë vote, ku jo rrallë ka pasur edhe pretendime për falsifikimin e vulës së klubeve dhe incidente me dy persona që pretendonin njëkohësisht se kishin të drejtën e votës në Asamble.

Debate të shumta në Asambletë e mëparshme të FSHF-së ka pasur edhe në lidhje me faktin se 8 Shoqatat Rajonale janë në varësi të këtij institucioni, me kandidatët që kanë akuzuar se këto janë vota të sigurta në favor të drejtuesve në fuqi të FSHF-së që rikandidonin.

Presidenti dhe KE

Presidenti është përfaqësuesi ligjor i FSHF-së dhe bashkë me KE-në mund të thuhet se merr vendimet më të rëndësishme për futbollin në vendin tonë gjatë mandatit katërvjeçar të tij. Kërkesat që duhet të plotësojnë kandidatët për president dhe anëtar të KE-së janë të njëjta: a) Të jetë shtetas shqiptar dhe të banojë në Shqipëri; b) Të mos jetë i dënuar për krim të rëndë;

c) Të lëshojë një deklaratë me shkrim se ai jep dorëheqjen nga funksionet brenda anëtarësisë së FSHF nëse zgjidhet; d) Të jetë nën moshën 70 vjeç në datën që mbahet Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore; e) Kushte të tjera në lidhje me shkollimin apo kualifikimin që përcaktohen në termat e referencës të miratuara nga KE.

Presidenti zgjidhet me votim të fshehtë dhe për të fituar nevojiten 2/3 e votave në raundin e parë. Nëse asnjë prej kandidatëve nuk siguron këtë shumë të nevojshme, në raundin e dytë kalojnë dy kandidatët më të votuar, me fituesin që shpallet ai që siguron më shumë vota. Në rast barazimi, kalohet në një tjetër raund votimesh, ndërsa barazimi i radhës sjell zgjedhjen nëpërmjet shortit që hidhet nga sekretari i përgjithshëm.

Për sa u përket zgjedhjeve të Komitetit Ekzekutiv, fitues nëpërmjet votës së fshehtë shpallen 9 kandidatët që kanë marrë më shumë vota në listën shumemërore, për sa kohë që ata kanë siguruar shumicën absolute (50%+1 vota) të të deleguarve votues. Nëse nuk plotësohet numri i 9 anëtarëve, kalohet në një votim të dytë ku nevojitet shumica e thjeshtë për të plotësuar vendet e mbetura vakante. Ndërkohë, një vend i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së i shkon automatikisht Presidentit të Zgjedhur të Shoqatës së Arbitrave Shqiptarë. 9 fituesit, bashkë me Presidentin e Shoqatës së Gjyqtarëve dhe Presidentin e zgjedhur të FSHF-së, formojnë më pas Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së për mandatin e ri katërvjeçar.

 
Asambleja Zgjedhore bazohet mbi parimin “një anëtar, një votë”, ndërsa të drejtën e votës e kanë 54 klube, 8 shoqatat rajonale, Shoqata e Trajnerëve, Shoqata e Mjekëve Sportivë, Shoqata e Arbitrave dhe Shoqata e Futsallit

Igli Tare

Drejtori sportiv i Lacios shihej si një rival shumë i fortë nëse do të kandidonte kundër Dukës. Por ish-futbollisti i kombëtares ka deklaruar publikisht se nuk po mendon aktualisht të kthehet në Shqipëri për të tentuar të marrë këtë post

Duka

Presidenti i FSHF-së deklaroi se ishte i gatshëm të tërhiqej nga gara nëse konstatonte se komuniteti sportiv kërkonte emërimin e Igli Tares si presidenti i ardhshëm i FSHF-së
 

Presidenti

Nuk ekziston kufizim mandatesh

Në vitet e kaluara është folur shpesh për ndryshimin e statutit të FSHF-së, rreth caktimit apo jo të kufizimit të mandateve të presidentit të këtij institucioni. Por pavarësisht polemikave në distancë, sa herë që ka Asamble të Përgjithshme apo Zgjedhore, një temë e tillë nuk shfaqet thuajse asnjëherë për diskutim. Nga ana e tyre, drejtuesit aktualë të FSHF-së kanë marrë për bazë rregulloret e FIFA-s dhe UEFA-s ku nuk ekziston kufizimi i mandateve, për të mbështetur tezën e tyre se ndryshimi nuk është detyrimisht i nevojshëm për sa kohë që kandidaturat kanë mbështetje të gjerë dhe të vazhdueshme nga anëtarësia.