e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

FSHF-ja akuzon: Policia 'lejon' dhunen ne stadiume

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
FSHF-ja akuzon: Policia 'lejon' dhunen ne stadiume
Aktet e fundit të dhunës që kanë përfunduar në prokurori, kanë nxjerrë në pah edhe një problem shumë të madh në futbollin shqiptar. Apatinë apo braktisjen e policisë, quajeni si të doni, që pothuajse veç Tiranës, nuk reagon, por lejon që lojtarë e zyrtarë të dhunohen në sytë të tyre. Të tilla, kanë qenë ngjarjet e ndodhura në fundjavën e kaluar, që sollën dy histori të pahijshme në Ersekë dhe Kavajë-Lushnjë. Në të dyja rastet policia ka qenë apatike dhe nuk ka reaguar fare, edhe pse në sy të tyre janë dhunuar, e rrahur, por edhe kërcënuar gjyqtarët e zyrtarët. Policia në atë rast nuk ka reaguar fare dhe ka lejuar që gjyqtari të dhunohet në sy të të gjithëve. Po kështu edhe në Kavajë, sërish janë kërcënuar gjyqtarët dhe asnjë nga uniformat blu nuk kanë bërë gjë për të mbrojtur të dërguarit e FSHF-së. Edhe në rastin kur është kërcënuar Daniel Xhafaj, policët kanë qenë aty, dhe nuk kanë “lëvizur gishtin” për të ndaluar dhunuesit.

Të gjitha këto duket se kanë sjellë një gjendje jashtë normales në futboll. Në FSHF, dje kanë qenë të pakënaqur me sjelljen e uniformave blu. Për ta, nga zyrtarët e institucionit të futbollit ka shumë ankesa, rezerva, madje edhe akuza. Konkrete madje, sepse me mos lëvizjen e saj, policia po përkrah dhunën. “Në fundjavë keni parë ngjarje të jashtëzakonshme ku janë dhunuar gjyqtarë, apo janë kërcënuar zyrtarë të FSHF-së. Të gjithë këto ngjarje kanë ndodhur në sy të policisë, që nuk ka lëvizur qoftë edhe njërin gisht për të ndaluar dhunuesit që kanë bërë ç’të donin edhe brenda dhomave të zhveshjes. Është e patolerueshme dhe e jashtëzakonshme kjo që po ndodh, sepse dhunuesit po përkrahen nga policia. Veç Tiranës e ndonjë qyteti tjetër, policia nuk ka bashkëpunim dhe bëhet palë me agresorët”,-është shprehur dje një burim në FSHF për “Shekulli”-n.

Kërkohet takim me, policia hesht

Gjendja bëhet edhe më gri kur mësohet se institucioni i futbollit ka kërkuar takim me drejtues të policisë, por nga zyrat e Drejtorisë së Policisë ka vetëm heshtje. Asnjë komunikim dhe asnjë sinjal nuk po jepet nga ky institucion. Në kushtet kur asnjë nuk po i përgjigjet apelit të federatës, kjo e fundit ka kërkuar takim me drejtorin Hysni Burgaj, por edhe ky i fundit ende nuk i ka pritur drejtuesit e futbollit, që mesa duket kanë mbetur “në mes të rrugës”. Sipas tyre nëse policia nuk ndërhyn, rrezikohet që në fushat e futbollit të kemi sërish ngjarje nga ato që kemi parë këtë fundjavë, ku uniformat blu në vend të arrestojnë agresorët, me indiferencën e tyre, kthehen në spektatorë, e bëhen përkrahësit e dhunës.