e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Endrra e Skenderbeut vazhdon, fitore e shpresa per kualifikim

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Endrra e Skenderbeut vazhdon, fitore e shpresa per kualifikim
Skënderbeu dhe e gjithë Korça vazhdon të ëndërrojë kualifikimin, pas fitores 1-0 ndaj hungarezëve të Debreçenit në ndeshjen e parë të turit të dytë të Champions League të luajtur në shtëpi. Korçarët kanë dominuar totalisht kundërshtarin, por pas rasteve të shumta të humbura, ka mundur të gjejnë golin e vetëm me Plakun. Tani sytë janë te 90 minutat e kthimit në Hungari.

Pesë minutat e para kanë qenë të zjarrta për Skënderbeun, i cili e ka vënë në vështirësi serioze kundërshtarin me anë të Plakut dhe Allmuçajt. Sidomos rasti i sulmuesit, i cili i vetëm përballë portierit të Debreçenit, nuk arriti ta kalonte topin poshtë trupit të Novakoviç në minutën e 3. Një mundësi e mirë e humbur nga “Ujqërit e Dëborës”. Edhe Debreçeni nuk ka ndenjur këmbëkryq.

Ka rrezikuar dy herë portën e korçarëve, por pa mundur të vërë në provë portierin Orges Shehu. Skënderbeu duket më entuziast dhe tenton të shikojë nga porta kundërshtare, por pa forcën e duhur për të ndëshkuar. Rasti më i mirë erdhi në minutën e 33-të, kur Sebino Plaku shpëtoi një top që po dilte jashtë vijës anësore, shmang një lojtar kundërshtar dhe lëshon një të majtë të jashtëzakonshme, nga këndi i majtë i zonës hungareze, e cila përfundon në traversën e miqve. Vetëm pak sekonda më vonë, rasti tjetër ishte ai i Daniel Xhafajt, i cili humbi një mundësi të artë për t’i dhënë avantazhin Skënderbeut, nëse nuk do ishte treguar egoist, duke mos pasuar për Allmuçën. Sulmuesi i kampionëve shqiptarë provoi të shënonte vetë, por topi i goditur prej tij përfundoi pak mbi traversë.

Në minutën e 43-të, Rasdas provon të gjejë golin me një goditje dënimi thuajse perfekte, por portieri i hungarezëve bën mrekullinë, duke e grushtuar atë në goditje këndi. Skënderbeu insiston për minuta të tëra, por megjithatë, pjesa e parë nuk ofron mundësi të tjera për t’u mbajtur mend. Të dyja skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes në barazim 0-0. Edhe në pjesën e dytë, Skënderbeu ruan dominimin e lojës. Në minutën e 53-të, korçarët i afrohen golit me anë të një aksioni të rrezikshëm, që konkludoi me një gjuajtje të Allmuçajt, që krijoi iluzionin e golit, por kishte përfunduar jashtë portës.

Hungarezët e kanë të vështirë të ndërtojnë lojë, pasi djemtë e Levit ushtrojnë presing lart dhe mbrohen mirë. Ndërsa vendasit e mbajnë të lartë rimtin e lojës, duke dominuar në çdo repart të fushës. Dhe në minutën e 65-të, vjen edhe zhbllokimi i merituar i rezultatit në favor të Skënderbeut: Fagu fut në zonë një asist për Plakun, që me një prekje plot finesë me pjesën e jashtme të këmbës, befason portierin Novakoviç, të cilit topi i kalon mes duarve dhe përfundon në rrjetë.

Pesë minuta më vonë korçarët sërish shfaqen të rrezikshëm në zonën e miqve: Plaku pason për Xhafajn, gjuajtja e të cilit është ndalur nga portieri, i cili ka meritë që Debreçeni nuk ka pësuar më shumë gola. Në minutat në vazhdim, Skënderbeu i lëshon më shumë terren hungarezëve, të cilët i afrohen më shpesh portës korçare, por pa mundur të krijojnë rrezikshmëri të madhe. Rezultati nuk ndryshon deri në fund dhe Skënderbeu mori një fitore 1-0 të merituar. Por për kualifikimin do të duhet të presë edhe rezultatin e ndeshjes së kthimit.

Champions

Plaku

Një gol i Sebino Plakut, që asistin e Fagut në minutën e 65-të të ndeshjes, e depozitoi në rrjetën e portës së Debreçenit dhe vendosi rezultatin e takimit

Dominimi

Skënderbeu e dominoi totalisht kundërshtarin, duke krijuar raste të shumta për gol, në një ndeshje që duhej ta kishte fituar me rezultat më të thellë

Kthimi

Pas fitores së parë në tri ndeshje të luajtura në Champions League (dy humbje ndaj Apoelit sezonin e kaluar), tani Skënderbeu beson te kualifikimi në kthim