Emini-Dvornekoviç, dyshja e sulmit që po bind drejtuesit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas fitores së thellë që mori ndaj Flamurtarit në shtëpi, Kukësi po mendon për takimin e radhës që do të luajë ndaj Vllaznisë, një ndeshje, e cila parashikohet të jetë mjaft delikate.
Kjo pasi pozicioni i shkodranëve në tabelën e renditjes nuk është aspak komod. Megjithatë, verilindorët janë të përgatitur për të marrë një tjetër sukses. Në prag të kësaj ndeshjeje, interesant është fakti se Vllaznia e ka mposhtur vetëm një herë në Shkodër, Kukësin dhe ajo i përket datës 16 shkurt 2013.
Ndërsa Kukësi i ka mundur tri herë brenda shkodranët. Për këtë përballje, trajneri Duro nuk do të ketë të gatshëm kapitenin Renato Malota për shkak se ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.
Ndërkohë që lajmi i mirë për këtë transfertë vjen nga mbrojtja ku rikthehet Ylli Shameti, i cili mungoi me vlonjatët, pasi ishte ndëshkuar me karton të kuq në sfidën e humbur ndaj Partizanit. Fakti që mbrojtësi shtatlartë do të jetë në fushë, ka qetësuar disi trajnerin Duro.
Sulmi - Nën drejtimin e trajnerit Duro, skuadra e Kukësit është rikthyer në formën e saj më të mirë dhe një gjë e tillë është konstatuar jo vetëm me rezultatet, por edhe me lojën e treguar. Janë dy lojtarët që kanë treguar se janë binom i fuqishëm në sulmin e Kukësit. Izair Emini dhe Matija Dvornekoviç nga java në javë po bindin me paraqitjen e tyre, por nuk duhet lënë pas edhe pjesa tjetër e skuadrës.
Emini është një lojtar shumë i fortë, që ngjall frikë te kundërshtarët dhe kjo verifikohet lehtë, pasi shtatlartin e mbulojnë në më të shumtën e takimeve nga dy mbrojtës kundërshtarë. Ai ka shënuar 4 gola në 5 ndeshje në kampionat, ndërsa ende nuk ka gjetur rrugën e rrjetës në Kupën e Shqipërisë.
Gjithashtu, kroati Dvornekoviç ka arritur të bindë trajnerin Duro, pasi në tri ndeshjet e fundit është aktivizuar si titullar. 27-vjeçari ka realizuar 2 gola në kampionat, por gjithashtu ka shërbyer edhe asiste. Ai gjithashtu mund të luajë edhe në disa role, si mesfushor apo sulmues i djathtë, por së fundmi është parë edhe në vijën e parë të sulmit së bashku me Eminin