Elbasani harron ndeshjen, lojtarët e shtrojnë me birra
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Me nga një birrë përpara, pak muzikë në sfond dhe një atmosferë ndryshe. Lojtarët e Elbasanit nuk e kanë konsideruar si regjim grumbullimin e djeshëm në Gjirokastër përpara sfidës së sotme ndaj Luftëtarit.
Larg familjeve dhe të mbledhur të gjithë bashkë, duket se verdheblutë e kanë shfrytëzuar ditën e djeshme për të kaluar disa orë relaksi me njëritjetrin dhe për të kthyer disa birra. Ashtu siç shihet edhe në foto, një pjesë e lojtarëve të shoqëruar nga zv.trajneri Marsid Dushku kanë frekuentuar një prej lokaleve të qytetit të gurtë në orët e mbrëmjes.
Nga fotot që ka siguruar gazeta "Panorama Sport", shihet zv.trajneri Dushku, në të djathtë të tij Endri Duka dhe në të majtë të tij Ganjol Kaçuli. Në shoqërinë e tyre kanë qenë edhe disa lojtarë të tjerë të Elbasanit që kanë qëndruar për disa orë duke konsumuar birra.
Edhe një herë duket qartë që Elbasani po kalon momente të vështira. Përveç rezultateve negative dhe faktit që skuadra renditet në vendin e fundit, duket se në klub mungon regjimi dhe disiplina.
Në një kohë që duhej të ishin të fokusuar te përballja e sotme ndaj Luftëtarit, që është shumë e rëndësishme në luftën për mbijetesë, lojtarët nuk kanë e konsideruar si ditën përpara sfidës për të mbajtur regjim.
Dosti Ndërkaq, për sfidën e sotme ndaj Luftëtarit, trajneri Muharrem Dosti ka deklaruar: "Luftëtari është në krye të klasifikimit, ndërsa ne luftojmë për mbijetesë dhe kjo kuptohet që nuk do të jetë shumë e lehtë për ne që të dalim me një rezultat pozitiv. Kemi respekt për kundërshtarin, si edhe trajnerin Haxhiu, por ne do luftojmë minimalisht për një pikë".
