e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Eksperti Harrison: 'Januzaj mund te behet Ronaldo i ri'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Eksperti Harrison: 'Januzaj mund te behet Ronaldo i ri'

Adnan Januzaj mund të kthehet në një nga yjet më të shndritshme të futbollit botëror. Parashikimin në fjalë e jep një nga personat më të njohur në futbollin anglez, Erik Harrison, i cili beson se talenti kosovar ka potencialin e duhur për t’u bërë Kristiano Ronaldo i ri.

Vlerësimi në fjalë është i jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh se 75-vjeçari Herrison është personi përgjegjës për shpërthimin e brezit të artë të Mançester Junajtid. Ishte pikërisht ai trajneri i skuadrës së të rinjve, që morën nofkën “brezi i ‘92”, me emra si Devid Bekam, Pol Skols, Rajan Gigs apo vëllezërit Nevill, të cilët u bënë protagonistë absolutë me “djajtë e kuq” në vitet në vazhdim. Sipas tij, talenti i Januzajt është i padiskutueshëm dhe me atë që futbollisti kosovar ka shfaqur në fazën përgatitore, duhet të bëhet gati për një karrierë të ndritur.

“Januzaj është i jashtëzakonshëm dhe unë mendoj se ai është i ngjashëm me Kristiano Ronaldon. Ai mund të kalojë kundërshtarët dhe bashkë me Zaha, mendoj se këtu kemi të bëjmë me një cilësi të jashtëzakonshme”, tha Harrison për futbollistin në fjalë. Mediat angleze kujtojnë se kjo nuk është hera e parë kur Januzaj krahasohet me portugezin, pasi ai ka mahnitur stafin e Mançester Junajtid me ekuilibrin e tij, gjuajtjen e fortë dhe besimin që ka kur është në kontroll të topit. Shumëkush e ka cilësuar atë një “të destinuar” për t’u bërë i madh, pasi ndan edhe datëlindjen, 5 shkurt, me Kristiano Ronaldon dhe brazilianin Neimar. “Unë mendoj se trajneri i ri do t’u japë të rinjve një shans. Kam folur me Rajan Gigs dhe Fil Nevill, ndërsa të gjithë janë shumë të lumtur me mënyrën se si drejton Mojes. E dimë se sa shpejt mund të rritet trysnia te Junajtid, por unë mendoj se ai do të vazhdojë t’u japë një shans të rinjve”, deklaroi Herrison, duke iu referuar minutave në dispozicion që pritet të përfitojë talenti 18-vjeçar nën drejtimin e David Mojes, që e ka afruar me ekipin e parë.

Tifozët belgë kopjojnë shqiptarët

Januzaj nuk ka vendosur ende se me cilën kombëtare do të luajë në të ardhmen, atë belge apo atë shqiptare. Për të bindur futbollistin kosovar për të pranuar një ftesë të mundshme nga kombëtarja shqiptare e futbollit, prej disa ditësh është krijuar një faqe në “Facebook”, “Adnan Januzaj thuaj po Shqipërisë”, e cila që tani ka kaluar 27 mijë mbështetësit. Këtu, tifozë të ndryshëm postojnë fotot e tyre me sloganin e mësipërm, për të provuar të bindin futbollistin e Mançester Junajtid që të bëhet pjesë e grupit të De Biazit. Kjo iniciativë popullore ka bërë shumë bujë, duke përfunduar edhe në gazetat belge, të cilët shohin nismën e tifozëve shqiptarë si “rrezikun” kryesor për zgjedhjen e Shqipërisë nga Januzaj. Tifozët belgë kanë menduar të bëjnë të njëjtën gjë, duke krijuar një faqe të ngjashme në “Facebook”, për të ftuar futbollistin të zgjedhë Belgjikën. Por duket qartë se iniciativa belge nuk është aq e suksesshme dhe bindëse sa ajo e tifozëve shqiptarë, pasi mbështetësit e kësaj faqe nuk arrijnë as shifrën e 3 mijë mbështetësve.

Tifozët belgë kanë kopjuar në “Facebook” iniciativën “Adnan Januzaj thuaj po Shqipërisë” duke bërë një faqe të ngjashme për Belgjikën