e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Eksperiment me sukses, Shqiperia bind!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Eksperiment me sukses, Shqiperia bind!

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mundur 2-0 Armeninë në miqësoren e zhvilluar dje në “Qemal Stafa”, por sidomos ka bindur me lojën e saj, pavarësisht emrave të rinj në përbërje. Ndonëse De Biazi ka eksperimentuar me rreshtimet në fushë dhe me emrat e atyre që ka aktivizuar, kuqezinjtë kanë dhënë një paraqitje më se të mirë, duke treguar se puna e bërë deri tani nuk ka qenë aspak rastësore, por meritë e një planifikimi që më në fund po jep frytet e veta.

De Biazi tregoi se po mendon realisht të ndryshojë rreshtimin e kombëtares për ndeshjet e shtatorit, duke aplikuar një skemë me 3 mbrojtës. Cana, Dallku dhe Teli u rreshtuan në prapavijë, me Agollin që iu bashkua Ramës në krahun e majtë të mesfushës, repart ku Basha dhe Abrashi qëndrojnë para mbrojtjes, ndërsa Roshi është në të djathtë. Risia i përket më shumë sulmit, ku trajneri italian ka aktivizuar njëkohësisht Kapllanin e Januzin, duke hedhur në fushë një formacion tërësisht ofensiv.

Kuptohet që ky rreshtim favorizoi aksionet e kuqezinjve, me Roshin e Ramën që krijojnë panik herë pas here në krahët e mbrojtjes kundërshtare. Megjithatë, rreziku i parë serioz vjen në portën tonë me një gjuajtje nga distanca të Markos që neutralizohet nga Berisha. Rreshtimi me tre mbrojtës detyron portierin shqiptar të tregohet më i vëmendshëm se zakonisht, pasi manovra e prapavijës kuqezi nuk është e kolauduar. Por Berisha bën detyrën duke shmangur çdo rrezik që i shfaqet para dhe duke u dhënë mundësinë mesfushorëve të shohin më shumë nga sulmi. Insistimi i gjatë i kuqezinjve në repartin e avancuar sjell edhe golin e shumëpritur në minutën e 21-të. Roshi harkon nga e djathta, Januzi devijon me kokë, ndërsa topi përfundon te Rama që gjuan fluturimthi dhe falë një devijimi të një mbrojtësi kundërshtar, dërgon sferën pas krahëve të Berezovski. Menjëherë pas golit vjen një reagim i armenëve, por Berisha duket i pagabueshëm edhe në daljet e sigurta me këmbë. Më pas është përsëri shumë Shqipëri, me lojtarët kuqezinj që krijojnë disa raste të rrezikshme pas portës kundërshtare, falë kombinimeve në krahë apo goditjeve standarde, por pa gjetur përsëri rrjetën, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me rezultatin 1-0.

Në pjesën e dytë, nga fusha e lojës largohen Teli e Rama për Mavrajn e Lilën pa ndryshuar skemën, por më pas ndryshon përsëri duke larguar Roshin e Kapllanin, për t’i bërë vend Gashit e Gjasulës. Tani kuqezinjtë luajnë 4-1-4-1, një rreshtim që trajneri duket qartë që kërkon ta testojë për ndeshjet e shtatorit. Kjo mori zëvendësimesh, që vazhdon me Kaçen në vend të Bashës, sjell edhe golin e dytë, pasi është pikërisht i sapofuturi në fushën e lojës në minutën e 67-të që gjen rrugën e rrjetës me një gjuajtje të fortë ballore, me topin që përfundon në pjesën e poshtme të traversës dhe pastaj ndalet në rrjetë. 2-0 dhe entuziazmi i pankinës kuqezi është i kuptueshëm, duke pasur parasysh lodhjen për të bindur këtë futbollist të zgjedhë Shqipërinë dhe jo Greqinë. Më pas ka kohë edhe për një zëvendësim të fundit ku Vullnet Basha bën debutimin e tij me kombëtaren, duke zënë vendin e Abrashit.

Por edhe kaq i mjafton De Biazit, i cili ka marrë sinjale të qarta se ka në duar tashmë jo vetëm një grup të konsoliduar lojtarësh, por edhe alternativa të barasvlefshme, që teorikisht bëjnë më të vështirë punën e tij për përzgjedhjen e atyre që do të hedhë në fushën e lojës në ndeshjet që vlejnë me të vërtetë, ato të shtatorit ndaj Sllovenisë dhe Islandës.

 

Shqipëri-Armeni 2-0

Shënues: 21’ Rama, 67’ Kaçe

Shqipëria: Berisha, Cana, Teli (46’ Mavraj), Dallku, Agolli, M. Basha (66’ Kaçe), Abrashi (77’ V. Basha), Roshi (56’ Gjasula), Rama (Lila 46′), Januzi, Kapllani (56’ Gashi).

Trajner: Xh. De Biazi

Armenia: Berezovski (46’ Kasparov), Hovhanisjan, Harojan, Haçeaturov (74’ Voskanjan), Airapetjan (69’ Avgajan), Ghazarjan (76’ Aslanian), Ozbiliz, Mkrtçjan, Jedigarjan (67’Papikjan), Markos (59’ Sarkisov), Movisisjan.

Trajner: V. Minasjan

KV: Januzi, Cana

Gjyqtar: Todorov (Bullgari)