e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Cana i bindur: Januzaj i perket Shqiperise

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Cana i bindur: Januzaj i perket Shqiperise

Shpërthimi i Adnan Januzajt në këtë sezon me fanellën e Mançester Junajtid nuk është diçka e papritur për kapitenin e përfaqësueses shqiptare, Lorik Cana, i cili ka zbuluar se ai ka ndjekur që në fillim progresin e talentit kosovar.

“E kam ndjekur që nga momenti kur ai është larguar 15 vjeç nga Anderlehti, e kam ndjekur disa herë edhe në media, edhe kur luante me Shpresat e Mançesterit. Mesa di unë, vitin e kaluar ka bërë një kampionat të shkëlqyeshëm me Shpresat dhe është shpallur ‘I riu më i mirë’ i Mançesterit dhe është në rrugën e duhur për të qenë lojtari shqiptar me perspektivën më të madhe, po flas duke pasur parasysh cilësinë dhe moshën. Luan në një nga tre klubet më të mëdha në botë dhe të arrish në këtë moshë të re të inkuadrohesh me skuadrën e parë, është një arritje që nuk e ka realizuar asnjë shqiptar më parë. Ai ka një perspektivë të jashtëzakonshme. Unë i uroj pikësëpari të ketë shëndetin, pasi për sa i përket cilësisë, duket se nuk do të ketë asnjëherë probleme. Të ketë shëndetin dhe të ketë fatin për karrierën e tij dhe për familjen e tij, që të arrijë sa më shumë, sepse mund të jetë shqiptari që mund të arrijë gjërat më të mëdha deri tani në futboll”, deklaroi kapiteni i kuqezinjve.

Cana është i bindur se zgjedhja e Januzajt duhet të jetë Shqipëria, pasi vetëm këtu ai do të ndiejë emocionet e vërteta që nuk ia garanton asnjë kombëtare tjetër. “Është një shqiptar tjetër që pak para tij e ka hapur rrugën në këto skuadrat më të mëdha në botë për të fituar një trofe madhor, që është Shaqiri, por ai luan për Zvicrën. Ndërsa Adnani e ka mundësinë e zgjedhjes dhe nëse ai, klubi i tij, i mundëson që të arrijë gjëra më të mëdha në një karrierë futbollisti në klub, për sa i përket Kombëtares, do t’i këshilloja atij dhe me shumë dëshirë do t’i thosha që të bashkohet me Shqipërinë, sepse ai i përket vendit të tij.

Për mendimin tim, Shqipëria do t’i sjellë një krenari, një kënaqësi dhe ndjesi që nuk ia jep dot asnjë përfaqësuese tjetër. Nëse zgjedh Shqipërinë, e bën krenar edhe familjen e tij, na bën krenar edhe neve, ndaj e presim me shumë dëshirë”, ishte ftesa e hapur e Canës ndaj talentit kosovar që për momentin ka refuzuar çdo ftesë të mundshme pasi ka kërkuar kohë që të mendohet. Januzaj ka pasaportë belge dhe mund të grumbullohet me kombëtaren e këtij vendi. Por kohët e fundit ka dalë në skenë edhe hipoteza angleze, pasi ekspertët e futbollit në këtë vend kanë këshilluar drejtuesit e Federatës Angleze që të fillojnë sa më parë procesin e afrimit të këtij djaloshi të talentuar.