e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ekskluzive/ Rrëfehet Andrea Agostineli: Ja si e dua Partizanin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ekskluzive/ Rrëfehet Andrea Agostineli: Ja si e dua Partizanin

Ka marrë një mis ion të vështirë mbi shpatulla, t'i rikthejë titullin e munguar skuadrës së Partizanit, megjithatë Andrea Agostineli është gati të rrezikojë.

12645207_468928473301554_1499705397717758547_nTrajneri italian i të kuqve vjen në një rrëfim ekskluziv për "Panorama Sport", ku flet për gjithçka. Edhe pse të gjithë ishin skeptikë për afrimin e tij, italiani ka krijuar stabilitet në ekip, duke harmonizuar lojtarët e afruar në merkato me ata që ishin në skuadër.

Pa dyshim që një gjë e tillë nuk do të arrihej pa mbështetjen e presidentit Demi dhe drejtorit Dervishi, i cili është parë gjithmonë pranë skuadrës.

Në intervistën e tij, trajneri komenton edhe derbin e kryeqytetit, ethet e të cilit kanë nisur. "Derbi nuk luhet, fitohet", ka cituar trajneri një thënie që sipas tij është e njohur në vendin e tij.

Gjithashtu, tekniku ka komentuar edhe jetesën në Tiranë, duke thënë se është një qytet i këndshëm dhe me njerëz miqësorë.

Keni pak kohë që punoni në Shqipëri. Çfarë mund të na thoni në lidhje me futbollin që keni parë këtu?

Të them të drejtën, kam mbetur shumë i surprizuar nga futbolli shqiptar, pasi kam parë që ka trajnerë dhe skuadra shumë të përgatitura. Edhe Kombëtarja ka bërë mirë në ecurinë e saj dhe ka rritur cilësinë. Pra, është një futboll që po rritet shumë.

Sa e vështirë është të punosh në këtë vend, duke nisur nga mentaliteti, terrenet dhe gjithçka tjetër?

Për mua, vështirësia e parë është gjuha. Edhe pse ke përkthyesin gjithmonë afër, ndonjëherë edhe ai nuk mjafton për të transmetuar fjalët, pasi ndonjëherë duhet të kuptosh edhe ndjenjat e atyre me të cilët po flet.

Ndërsa në lidhje me përshtatjen në punën time, ishte pak e vështirë, pasi nuk është si në Itali, ku kam kaluar një jetë.

Këtu luhet ndryshe, janë lojtarë të tjerë. Megjithatë unë kam nisur menjëherë punën dhe jam i kënaqur për atë që po bëj në këtë skuadër.

E kishit menduar më parë që të punonit në Shqipëri?

Ndoshta 20 vite më parë futbolli këtu nuk ka qenë shumë i rëndësishëm, por sot gjërat kanë ndryshuar. Kombëtarja është në Europian dhe skuadrat janë të njohura.

Sapo më ka ardhur propozimi për të punuar në Shqipëri, e kam pranuar me shumë kënaqësi me objektivin për të dhënë maksimumin për këtë skuadër.

Përveç futbollit, ju keni punuar edhe në media. Por, në vendin tonë keni zgjedhur të jeni shumë pak mediatik. Përse keni marrë një vendim të tillë?

Atë që mendoj, unë e them gjithmonë, nuk fshihem mbrapa fjalëve, apo gjërave të tjera. Kam ardhur këtu për një objektiv dhe shpresoj që t'ia arrij.

Besoj se jam mësuar me këto gjëra, me pyetjet, me emisionet dhe gjithçka tjetër, pasi kam 40 vjet që jam pjesë e futbollit. Unë e dua këtë punë dhe kam respekt për të gjithë, nga më i madhi te më i vogli.

Kthehemi te Partizani. Keni mbetur i kënaqur nga lojtarët që gjetët në ekip në momentin që morët drejtimin?

Po, kam mbetur i kënaqur dhe jam i bindur se nuk ka qenë shumë e lehtë përshtatja edhe për ta. Po punonin me një trajner që nuk e di gjuhën dhe kjo nuk është e lehtë si për mua, ashtu edhe për ata.

Por, bashkëpunimi me të gjithë djemtë që nga dita e parë ka qenë shumë i mirë dhe për këtë them që jam i kënaqur me punën time, pavarësisht nëse një top shkon në rrjetë apo jo, pra nëse e fiton apo jo ndeshjen. Pasi futbolli është i tillë.

Cila nga ndeshjet ka qenë më e vështira për t'u fituar nga ekipi juaj gjatë kësaj periudhe?

Mund të them se më e vështira ka qenë ndeshja e fundit ndaj Kukësit, pasi kundërshtari ka një ekip shumë cilësor.

Gjithashtu vështirësia shtohet kur zhvillon shumë aksione për gol dhe nuk arrin që t'i konkretizosh. Por, të fitosh me vështirësi është një gjë që më pëlqen, pasi lojtarët japin më të mirën e tyre deri në momentin e fundit.

Keni parë pothuajse të gjithë lojtarët e Superiores. Kë prej tyre do dëshironit që ta kishit në ekipin tuaj?

Dua të them që çdo skuadër ka karakteristikat e saj të veçanta. Për shembull një lojtar teknik që më ka pëlqyer shumë është Cetkoviç i Laçit, por gjithashtu edhe sulmuesi "pykë" që është transferuar nga Laçi te Skënderbeu (Xhejms), por edhe Hasani që luan te Kukësi më pëlqen gjithashtu.

Këta veçova, por ka shumë talente në këtë kampionat. Por, dua të them se edhe unë kam të tillë në skuadër.

Mund të na thoni cilët?

Më mirë jo.

Çfarë do të thotë derbi për Agostinelin?

Nëse them se për mua vlen si një ndeshje e zakonshme në të cilën duam tri pikë, do të isha hipokrit, pasi derbi nuk vlen vetëm tri pikë.

Është ndeshja e tifozëve, e qytetit dhe unë e kam bërë një ndeshje të tillë me Romën dhe Lacion, e kam përjetuar si trajner në Serinë B me Krotonen dhe Katanzaron. Janë derbi që më shumë kanë vlera për tifozët, sesa për skuadrën.

Partizani nuk humbet prej shtatë ndeshjesh një derbi...

Statistikat janë vetëm numra, pasi çdo ndeshje është e veçantë. Dua të citoj një frazë që e ka thënë një trajner në Itali që thotë: "Në derbi nuk luhet, por fitohet".

Por, siç them unë, thonë edhe ata të Tiranës, pra siç duam të fitojmë ne, do të synojnë të fitojnë edhe ata.

Keni parë ndonjë video të derbeve të kaluara?

Për këtë nuk duhet të keni dyshime, pasi kam parë shumë ndeshje përfshi edhe derbin. Por, në derbi është bukur të shikosh çfarë ndodh mes tifozëve, pasi e përsëris që është festa e tifozëve. Në fushë është gjithmonë një ndeshje futbolli, por pak më e ndier se të tjerat.

Ju siguroj se do të keni një takim me tifozët përpara takimit. Çfarë keni ndër mend t'u thoni?

Dua t'u premtoj se fanella e lojtarëve do të jetë me djersë dhe për t'u shtrydhur në fund të ndeshjes, do të vendosim zemrën në fushë. Pastaj rezultatin nuk e vendosim dot ne.

Partizani ka shumë vite pa fituar një titull dhe shumë prej atyre tifozëve që shihni në stadium ende nuk kanë festuar. Mendoni se do të jetë ky viti i rikthimit?

I kam shtrënguar dorën presidentit dhe i kam thënë: "Unë dua të fitoj". Nëse humbas, do të kem humbur. Por me profesionalitetin dhe dëshirën time dhe të djemve të mi do të bëjmë gjithçka për të fituar. Por, nëse ka më të mirë se ne që e arrijnë këtë, atëherë duhet t'i shtrëngojmë dorën.

Si është një ditë e zakonshme e juaja në Tiranë?

Shumë futboll, një shëtitje në qendër për të shkuar në hotelin e klubit. Jetoj duke menduar për kampionatin, për skuadrën dhe ato pak momente që kam në dispozicion më pëlqen të konsumoj diçka në restorant, pasi hahet mirë.

Është një qytet shumë mikpritës dhe njerëzit janë miqësorë e të qeshur në momentin kur unë bisedoj me ta. Më flasin kur dal xhiro dhe më urojnë suksese. Tirana është një qytet i bukur dhe europian.

Keni një ushqim tradicional shqiptar që ju pëlqen?

Më pëlqen shumë mishi i qengjit, gjithashtu edhe trileçja është e mirë.

Nga statistikat, llogaritet që në Shqipëri punojnë rreth 35 mijë shtetas italianë dhe të gjithë kanë objektiv që të jenë të suksesshëm në punën e tyre. Është ky edhe objektivi i Agostinelit?

Do të jetë koha që do ta tregojë. Unë jam këtu për të pasur sukses, por në jetë humbet dhe fitohet, askush nuk e di sesi do të shkojë. Punën time e bëj me pasion prej 40 vitesh, pasi kjo është bota ime.

ARMAND HALILI