Ekskluzive/ Duelet e zjarrit, Duro dhe Canaj: Ja si do vendosen
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skënderbeu-Tirana dhe Partizani-Kukë si janë kryendeshjet e javës së 22-të. Rezultatet që do të prodhojnë sfidat e nesërme në Korçë dhe në kryeqytet, natyrisht që nuk do të vendosin fatin e kampionatit, por gjithsesi mund të tregojnë shumë për vazhdimësinë e skuadrave drejt objektivave madhorë që kanë.
Skënderbeu dhe Partizani luftojnë për titull, ndërsa pas tyre vjen Tirana më e distancuar. Kukësi ndodhet shumë larg sezoneve të kaluara, ku ka rivalizuar korçarët.
Gjithsesi, nënkampionët në fuqi vijnë pas kualifikimit në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ndërsa skuadrat kryeqytetase kanë dalë jash të këtij kompeticioni.
E hëna sjell dy përballje delikate, reklamë për futbollin shqiptar. Me avantazhin +4 nga të kuqtë, kampionët në fuqi presin Tiranën e eliminuar nga Flamurtari në Kupë.
Ndërsa Partizani sfidon një skuadër fatsjellëse, të cilën e ka mundur sistematikisht. "Panorama Sport" foli dje me dy ishtrajnerët e mirënjohur, Shpëtim Duro dhe Agim Canaj, të cilët u munduan të analizonin kryendeshjet.
Të dy janë të një mendimi: Skënderbeu dhe Partizani fitojnë sfidat. Duro dhe Canaj japin argumentet e tyre, ndërsa shohin si më delikate ndeshjen që do të luhet në "Qemal Stafa". Sipas ish-trajnerëve, nëse të kuqtë nuk fitojnë ndaj Kukësit, mund të kenë larë duart me titullin që tani.
"Më të lehtë mendoj se e ka Skënderbeu me Tiranën, sesa Partizani ndaj Kukësit", thekson Canaj, i cili ka drejtuar disa ekipe në Superiore, duke filluar nga Dinamo, Vllaznia, Skënderbeu etj.
"Partizani është futur në një ngërç prej disa ndeshjesh. Nëse nuk fiton edhe me Kukësin, atëherë do ta ketë shumë të vështirë për të rivalizuar më pas Skënderbeun në luftën për titull", shton vlonjati. Favoritët "Skënderbeu e kaloi atë momentin e keq pas humbjes me Vllazninë.
Jam i bindur se do të dominoj në lojë dhe rezultat ndaj Tiranës. Kjo e fundit ka rregulluar mbrojtjen, por ama nuk është e rrezikshme në sulm.
Edhe në Korçë besoj se do të bazohet te ndonjë rastësi. Eliminimi në Kupë e ka goditur", është shprehur dje Duro, ndërsa kur e pyet për Partizani- Kukësi, sheh favorit të kuqtë. "Kukësi do të jetë më i lirshëm, pasi vjen me moral të lartë nga kualifikimi në Kupë.
Gjithsesi, prapë besoj se do të fitojë Partizani. Shanset i shoh 60 me 40 për të kuqtë, ndërsa më duhet të theksoj se mungesa e Mazrekajt do të jetë një minus i madh për Partizanin", deklaroi ish-trajneri i Partizanit. Edhe Canaj mendon se Tirana do ta ketë të vështirë në Korçë, për vetë faktin se ka marrë një goditje nga eliminimi në Kupë.
"Skënderbeun e shoh favorit në shumë aspekte. Ka një sulm shumë harmonik me Xhejmsin dhe Salihin", përfundon Agim Canaj.
SHPËTIM DURO
"Skënderbeu dominon Tiranën, Raçiç e Sukaj mundin Kukësin"
Shpëtim Duro sheh favorit Skënderbeun dhe Partizanin në kryendeshjet e javës. Ish-trajneri jep disa argumente pse këto dy skuadra do të fitojnë.
Fillimisht, Duro flet për ndeshjen e Korçës. "Mendoj se Tirana vjen në këtë takim pas një goditjeje shumë të madhe që mori në Kupë. Eliminimi ndaj Flamurtarit ndikon shumë në aspektin psikologjik, pasi është hequr dorë nga një trofe i rëndësishëm.
Nga ana tjetër, Skënderbeu e kaloi atë momentin e keq pas humbjes me Vllazninë. Reagoi mirë me Kukësin dhe arriti të kualifikohej në Kupë. Shikoj një skuadër të qetë dhe të sigurt drejt objektivave pas ardhjes së Orelesit dhe Xhejmsit.
Me rikthimin në formë edhe të Lilajt, Skënderbeu është i destinuar për të fituar edhe ndaj Tiranës", ka thënë Duro.
Taktika
"Jam i bindur se Skënderbeu do të jetë zotërues i lojës. Me finalizues si Salihi dhe Xhejms e ka më të lehtë, kështu që i shikoj korçarët superiorë, si në lojë dhe rezultat.
Tirana e këtij viti është e kujdesshme në mbrojtje. Nuk është një ekip i rrezikshëm në sulm dhe gjykoj se në takimin në Korçë do të bazohet nga ndonjë rastësi.
E kam të qartë si do të luajë, duke shfrytëzuar Muzakën apo Gilman Likën dhe Bakajn përmes kundërsulmeve", analizon trajneri 56-vjeçar.
Diferencat
"Te Skënderbeu normalisht që diferencën e bën dyshja e sulmit: Xhejms-Salihi. Ndërsa Tiranën e shoh jo të rrezikshme në fazën ofensive. E them këtë, duke pasur parasysh mënyrën e lojës që bën Tirana, aq më tepër që përballë ka një skuadër si Skënderbeu. Nëse do të kualifikohej në Kupë, do të shkonte me më shumë besim në Korçë.
Daja ka krijuar një formacion stabël tashmë dhe nuk besoj se do të ndryshojë shumë në Korçë. Ndërsa Skënderbeu besoj se do të jetë i bazuar te formacioni tip, me Latifin dhe Prognin nga krahët".
Shanset
"E shoh shumë të avantazhuar Skënderbeun për të fituar ndaj Tiranës. Shoh një lojë që do të shkojë drejt shfrytëzimit të momenteve nga Tirana dhe një dominimi të korçarëve. Kampionati tashmë është vetëm Skënderbe dhe pastaj vjen Partizani, ndërsa skuadrat e tjera mendojnë se nuk kanë lidhje me garën, gjithnjë sa i përket luftës për titullin", deklaroi ish-trajneri i Partizanit për "Panorama Sport".
Partizani-Kukësi
"Partizani ka marrë një goditje pas eliminimit në Kupë nga Laçi, që normalisht do të ndikojë te lojtarët. Duhet theksuar se janë histori të ndryshme nga eliminimi i vjetshëm dhe i këtij edicioni në Kupë.
Problemi tashmë është se Partizani nuk duhet të bëjë asnjë gabim në kampionat, sidomos në ndeshjen ndaj Kukësit, ku i duhet në mënyrë të padiskutueshme fitorja, në mënyrë që të ndjekë Skënderbeun. Nëse nuk arrin të marrë tri pikë, atëherë mendoj se me 80% titulli sërish mbetet në Korçë. Nga ana tjetër, Kukësi e kaloi momentin e vështirë dhe tani u qetësua pas kalimit në gjysmëfinale. Do të jetë më i lirshëm, por gjithsesi prapë besoj se do të fitojë Partizani.
E shoh më të avantazhuar Partizanin, por mendoj se mungesa e Mazrekajt do të jetë një minus i madh në mënyrën e interpretimit të lojës sulmuese.
Në këtë takim, besoj se Sukaj dhe Raçiç do të bëjnë diferencën. Besoj shumë te sulmuesi serb dhe gjykoj se duhet të luajnë të dy nga minuta e parë. Me Sukajn dhe Raçiçin së bashku në sulm, Partizani është më i fortë. Ndërsa te Kukësi ai që mund të bëjë diferencën është sulmuesi Izair Emini.
Kukësi ka një grup të mirë lojtarësh, nuk i mungojnë kualitetet, por shoh që pëson lehtësisht gola. Mbrojtja e Kukësit ka probleme, ndërsa është Partizani më solid sa i përket prapavijës.
Shanset? Më shumë Partizani, besoj 60 me 40. Kukësi vjen me moral të lartë, por nuk pres që të bëjë surprizën në kryeqytet. Nëse Partizani arrin të kalojë Kukësin, atëherë do jetë deri në fund në luftën për titull", përfundoi trajneri që drejtoi "demat" sezonin e kaluar.
AGIM CANAJ
"Partizani luan një finale, më të lehtë e kanë korçarët"
Për Agim Canajn, Partizani luan një ndeshje ku duhet të fitojë me çdo kusht nëse kërkon të kapë Skënderbeun. Ish-trajneri i disa skuadrave në Kategorinë Superiore mendon se të kuqtë janë të avantazhuar ndaj Kukësit.
"Partizanin e shikoj në metrat e fundit të shtrëngesës. Pra, duhet të fitojë me patjetër ndaj Kukësit për të vazhduar garën. Çdo rezultat tjetër, do ta vendoste në një udhëkryq, jo vetëm për vendin e dytë, por edhe për më poshtë.
Sa i përket Kukësit, ka bërë mirë në Kupë, por e kundërta është në kampionat. Kjo e dallon në krahasim me Partizanin, pasi Kukësi ka shumë luhatje si skuadër. Nëse do të luajë si në ndeshjen ndaj Teutës, mund të marrë pikë.
Po pati luhatje, do ta ketë shumë të vështirë. Kukësi ka mungesë ekuilibri dhe prandaj shoh më favorit Partizanin për të fituar.
Ndaj një Kukësi që lë hapësira mbrapa, të kuqtë duhet ta shfrytëzojnë këtë. Të dyja ekipet kanë kualitete, pasi edhe Kukësi është forcuar shumë me Eminin, por siç e thashë edhe më lart, i duhet të rregullojë mbrojtjen.
Avantazhi i Kukësit në këtë takim është se Partizani vjen me një ngarkesë të madhe psikologjike, pasi i duhet me patjetër fitorja.
Gjithsesi, Partizani di të ringrihet", ka thënë fillimisht Canaj për "Panorama Sport".
Sulmuesit
"Sukaj dhe Raçiç janë dy lojtarë që mendoj se duhet të bëjnë diferencën ndaj Kukësit. Partizani nëse luan si skuadër, të mposht. Pra, me forcën e grupit mund të fitojë ndaj kujtdo.
E ka treguar në fazën e parë ndaj Skënderbeut, ku edhe pse arriti të pësonte, bëri një përmbysje të madhe, duke konfirmuar forcën që ka.
Gjithsesi, nëse bëjmë një krahasim me korçarët, unë mendoj se më të lehtë e ka Skënderbeu me Tiranën, sesa Partizani kundër Kukësit. Korçarët janë tashmë një makineri, pasi i kanë gjërat në vijë dhe dinë të administrojnë çdo situatë.
Ndërsa Partizani është futur në një ngërç prej disa ndeshjesh. Nëse nuk fiton edhe me Kukësin, atëherë do ta ketë shumë të vështirë për të rivalizuar më pas Skënderbeun".
Skënderbeu-Tirana "Skënderbeun e shoh favorit në shumë aspekte. Ka fituar me rivalët javët e fundit, u kualifikua në Kupë dhe pret e qetë takimin me Tiranën.
Kjo e fundit është një skuadër që deri në këto momente ka pasur një ecuri pozitive në kampionat, ndërsa në Kupë është eliminuar. Dalja nga ky kompeticion mendon se ndikon shumë për keq te Tirana, pasi i iku një objektiv madhor që mund ta kapte, ndërsa tashmë lufton vetëm për të qenë në Europë përmes vendit të tretë në kampionat.
Sa i përket ndeshjes së nesërme, mendoj se Skënderbeu në fushën e vet është një skuadër me autoritet dhe këtë e kemi parë në çdo takim me rivalët, ku ka gabuar shumë pak. Sukseset e fundit dhe diferenca me 4 pikë nga Partizani, mund ta kenë futur Skënderbeun në një vetëkënaqësi momentale.
Megjithatë, sërish korçarët janë një skuadër që dinë t'i ndajnë mirë situatat dhe jo më kot janë shpallur 5 herë radhazi kampionë.
Nisur nga ajo Tiranë që pashë ndaj Flamurtarit, mendoj se Skënderbeu është më i favorizuar për të fituar. Në ndeshjet e para të këtij viti, Skënderbeut i mungoi disi harmonizimi i skuadrës, duke pasur parasysh edhe afrimet e largimet.
Lojtarë si Berisha dhe Olainka ishin në një nivel të lartë, por gjithsesi e kapi shpejt ritmin. Ka një sulm shumë harmonik me Xhejmsin dhe Salihin.
Ndërsa Tirana atë që ka bërë më mirë është aspekti mbrojtës. Ka rregulluar fazën difensive, ndërsa në sulm çalon dhe ka shumë për të përmirësuar.
Duke parë diferencat mes dy ekipeve, mendoj që do ta ketë të vështirë Tirana për të shënuar në Korçë. Gjithsesi, duke u mbrojtur mirë, mund të marrë diçka.
Shoh pozitiv faktin te Tirana që pëson pak gola dhe ky është një avantazh, pasi përmes kundërsulmeve mund ta godasë Skënderbeun. Unë pres një ndeshje shumë të luftuar", përfundon Canaj.
JORGIS MEMO