e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Edi Rama: I zhgenjyer nga Meta, Nanon s’e kandidoj as me 2013

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Edi Rama: I zhgenjyer nga Meta, Nanon s’e kandidoj as me 2013
Kur u zgjodh Topi keni thënë ‘turp’, tani me Bujar Nishanin  keni heshtur?

Në këtë rast turpi është i qeverisë që zgjodhi një noter partiak.

Në rast se mbyllni katër reformat dhe ne marrim statusin, do e rishihni qëndrimin?

Nuk kam asnjë panik, por kam shqetësim që lind nga mesazhet e familjes europiane. S’do isha një shqiptar i gëzuar që Shqipëria të mos mbetej në provimin e vjeshtës, gjasat për të cilin tani, pas zgjedhjes së tillë të presidentit janë më të vogla.

E keni uruar zotin Nishani?

Jo

Keni ndërmend?

Nuk e di, koha do e tregojë. Unë e kam thënë që presidenti nuk u zgjodh përmes atentatit të Kushtetutës, por nga ana tjetër me zgjedhjen e tij kemi president një ministër më shumë të Berishës.

Keni marrë pjesë në inaugurimin e Topit. Do merrni pjesë në atë të zotit Nishani?

Nuk kam pasur kohë për të menduar për këtë.

Ju keni dashur president kokulur, sepse po të donit, aty i kishit kandidaturat politike, Nano, Topalli…

Nano nuk ishte nga ana jonë, ishte i paanë. E dini pse? Sepse ka qenë kryetar i PS dhe kryeministër i PS, ndërsa shtatë vitet e fundit, shërbëtor i Sali Berishës ose 7 vjet në shërbim të Sali Berishës. Mjeti për të justifikuar qëllimin e bërjes president ishte vënia në shërbim të Sali Berishës. Ka momente shumë pikante ku ai ka mbështetur Kryeministrin dhe kandidatët e Kryeministrit në fushata të ndryshme.

Keni shkruar se duhet aleancë me LSI-në për të rrëzuar qeverinë?

Nuk kam përcaktuar aleancë me LSI dhe me asnjë forcë tjetër.

Pse nuk e futët zotin Nano në garë?

Sepse nuk donim garë, donim proces konsensual.

Pse nuk propozuat emër në tryezë?

Unë i kam thënë Kryeministrit, në rast se doni emra, ne jemi të gatshëm t’ju japim emra, por gjëja më kryesore është që të biem në konsensus.

A është e vërtetë që Meta ka ardhur te ju për të konsultuar emrin e zotit Zaganjori?

Jo, nuk është e vërtetë.

A ju ka kërkuar Zheji ta propozonit si kandidat për president?

Jo, nuk është e vërtetë.

Sot, si mund të flasim për ju dhe Metën, si miq apo ish-miq?

Si ish-miq. Por ka çështje që i bëjnë armiqtë e betuar që të ulen ballë për ballë. Janë çështje të historisë dhe ky ishte një moment historik. Duhet të kapërcesh veten dhe të gjitha çështjet që mund të kesh. Kur bindja është në zemrën time, nuk dua t’ia di fare çfarë thonë të tjerët.

Pas besimit që i dhatë, tani pas presidentit a ndjeheni i tradhtuar?

Jo, sepse nuk kam premtuar gjë në këmbim. Ndjehem i zhgënjyer për pjesën e dytë të procesit. Ai luajti një rol negativ në pjesën e dytë të procesit.

Nuk ia dhatë ju një mundësi që të luante rol pozitiv?

Kë kandidaturë të pranonim? Më thuaj një emër që mund të pranonim. Rol pozitiv në pjesën e parë, sepse me ministrin e Brendshëm në Presidencë kemi vullnetin e Saliut, ndërsa me Jozefinën do kishim Saliun në katror. Sot në Presidencë kemi një burrë të urtë nën urdhrat e Saliut, me Jozefinën do të kishim një skifter, si ata filmat në Lindjen e Mesme me fajkua në sup.

Sa takime keni bërë me zotin Meta përveç darkës?

Nuk shpenzoj kohën time as për të publikuar telenovelat.

Jeni takuar para darkës me Metën?

Prapë pyetje nga ato romantike.

I keni premtuar 12 deputetë Metës nga PS?

S ka lidhje fare.

Ka rënë dakord Meta që ju të ishit kryeministër?

Kemi folur vetëm për çështje që lidhen me koalicionin jashtë çështjes së presidentit. Kemi folur për shumëçka, por jo për kaq deputetë dhe kryeministra.

A do të ishit të gatshëm të takoheshit prapë me Berishën?

Nëse ka çështje, dhe çështje është edhe reforma zgjedhore, dhe ka nevojë për lidership, pse jo.

Nano ka folur për lëvizje dhe një rimarrje të PS…

Kjo farsë është një turp i madh për njeriun që pak ditë më parë vetëofrohej për të qenë kreu i shtetit dhe pak ditë më pas shpalos një fjalor që do ta kishte zili një karrocier i dehur, siç shkruan diku Kadareja. Fatos Nano ka ikur nga PS-ja pa kthim në 2007. Ka ikur pas votimit të turpshëm të Bamir Topit nga PS. Ka investuar publikisht kundër PS dhe pro Berishës. Në të gjitha momentet kyçe ka dalë hapur kundër PS.

Do ta kandidonit Nanon për deputet në 2013?

Jo

Po zotin Meidani?

S’mund të bëjmë listën e kandidatëve për deputetë.

Do jeni në krye të listës së kandidatëve të PS më 2013?

Do jem deputet në 2013. Listën do e bëjmë në kohën e duhur. Padyshim që do jem në parlament.

Mund të fitoni pa LSI?

Absolutisht po. Fitorja është aty dhe ne do shkojmë ta marrim atë.