e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Motoja e Levizjes Nano: Ne jemi dalezotes, ne mundemi

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Motoja e Levizjes Nano: Ne jemi dalezotes, ne mundemi
Ne jemi dalëzotës dhe motoja jonë është: Unë jam, Unë mundem. Ne jemi, Ne mundemi. Bashkë e bëjmë Shqipërinë fituese. Bashkë e bëjmë Shqipërinë Europiane”. Ky në fakt është slogani që do të përdorë Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve, e shpallur vetëm dy ditë më parë dhe që drejtohet pikërisht nga lideri historik i së majtës, Fatos Nano.

Në një deklaratë të shpërndarë dje për mediat kjo lëvizje, duke folur në emër të kreut të saj Fatos Nano, ndërsa ka bërë të ditur moton e saj, që ka si qëllim shpëtimin e PS-së nga ajo që kjo lëvizje e konsideron si uzurpim të Edi Ramës, i ka kthyer përgjigje këtij të fundit edhe për një sërë deklaratash të bëra ditët e fundit lidhur me figurën e Nanos. “Fatos Nano i sjell në vëmendje kryetarit të pamerituar dhe humbës kronik të PS, Edi Rama, se Nano ka qenë për 15 vite kryetar i PS e sot është aktualisht anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS.

Askush nuk mundet t’i mohojë, deformojë apo zhbëjë historinë dhe vlerat më të mira ndër vite të PS bashkë me Fatos Nanon. Askush nuk mundet ta nxjerrë Fatos Nanon jashtë PS. Historia e Fatos Nanos me PS është histori fituese. Kujtojmë këtu se PS nën drejtimin e Nanos e ka mundur Sali Berishën që në zgjedhjet lokale në korrikun e vitit 1992, pak muaj pas fitores zulmëmadhe të Sali Berishës në 22 marsin e pandalshëm për shkak të rrjedhës historike.

PS me Fatos Nanon e kanë mundur Sali Berishën në kushte shumë më të vështira konkurrimi sesa këto në të cilat ndodhet apo për të cilat ankohet sot kryetari i pamerituar dhe humbës i PS, Edi Rama”, – thuhet në këtë deklaratë, ku ndër të tjera renditen të gjitha fitoret e arritura nga PS nën drejtimin e Nanos, si dhe humbja e 2005-s, e cila siç pretendohet në këtë njoftim, erdhi si pasojë e çarjes së kësaj force dhe luftës që Edi Rama bëri në atë kohë nëpërmjet MJAFT-it. Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve u bën thirrje të gjithë anëtarëve të PS dhe të gjithë të zgjedhurve lokalë e qendrorë të PS që t’i bashkohen nismës “për çlirimin e PS nga ankthi dhe sëmundja e humbësve dhe humbjeve, si edhe për ndërtimin e një bashkudhëtimi të ri prej dalëzotsash si fitues së bashku me Fatos Nanon”.

Më tej kjo lëvizje thekson se Fatos Nano nuk ka si qëllim e as inkurajon konflikte të reja, por “me konstruktivitet synon të bëjë fituese PS, që populli i majtë, populli opozitar të kthehet në krye të detyrave qeverisëse për vendin, në mënyrë që të përshpejtojmë së bashku realizimin e reformave të domosdoshme, si edhe arritjen e objektivave për përparimin e merituar të axhendës së integrimit europian”. Më tej në këtë deklaratë Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve thekson se ka një projekt të qartë për t’i bërë socialistët fitues, për ta mundur Sali Berishën në vitin 2013, dhe për ta integruar Shqipërinë në BE. “Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve ka një vizion të kthjellët atdhedashurie si edhe partneriteti dinjitoz euroatlantik, nëpërmjet të cilit fitorja e socialistëve, mundja e Sali Berishës në vitin 2013, bëhen të sigurta.

Fatos Nano di ta mundë Sali Berishën. Fatos Nano mundet ta mundë Sali Berishën”, – thuhet në këtë njoftim. Më tej bëhet e ditur se kjo Lëvizje shumë shpejt do të ndërmarrë një nismë për të kërkuar largimin e Ramës nëpërmjet rrugëve që përcakton Statuti i PS-së. “Së shpejti do të nisë nismën statutore me anëtaret e PS për të kërkuar largimin e kryetarit të pamerituar dhe humbës kronik Edi Rama, si edhe për të sjellë në krye të PS, kryetarin historik dhe fitues Fatos Nano”, – thuhet në këtë deklaratë. Ndaj ajo u bën thirrje të gjithë anëtarëve të PS dhe të gjithë popullit të majtë, popullit opozitar, që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje duke regjistruar emrat e tyre pranë zyrave përkatëse të kordinimit që po ngrihen në çdo qytet e fshat. Gjithashtu në këtë deklaratë bëhet e ditur se procesi i regjistrimit të mbështetësve e vullnetarëve të kësaj Lëvizjeje ka filluar, e shumë shpejt do të bëhen të njohur emrat e të gjithë kordinatorëve kudo në çdo cep të Shqipërisë, si edhe detajet e kontakteve ku mund të drejtohen të interesuarit. “Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve është një projekt përbashkues i socialistëve, popullit të majtë, popullit opozitar, e si i tillë është një projekt fitues”, – thuhet në këtë deklaratë.

Nano: Objektivi im të marr drejtimin e PS-së

Ish-kryeministri Fatos Nano fillon lëvizjen e re brenda PS-së përmes zhvillimit të takimeve me përfaqësues të së majtës dhe socialistë të qendrës, për mënyrën e organizimit të saj

Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve ka nisur ndërtimin strukturor të saj. Pas shpalljes që iu bë dy ditë më parë, dje kreu i kësaj lëvizje, ish-kryeministri Fatos Nano, ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të së majtës dhe socialistë të qendrës apo nga baza, për të përcaktuar dhe mënyrën e organizimit të saj. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje vetë ish-kryesocialisti Fatos Nano, i cili duke folur për mediat ka prezantuar dhe koordinatoren e qytetit të Tiranës, Majlinda Ketën, ndërsa bëri të ditur se ka nisur dhe regjistrimi i vullnetarëve dhe aktivistëve të saj. “Ne jemi në procesin e regjistrimit të vullnetarëve dhe të aktivistëve të kësaj lëvizjeje, që është pritur me entuziazëm nga të gjitha kategoritë e socialistëve. Ka shumë të rinj nga përfaqësues të strukturave të PS-së apo militantë të traditës nga të katër anët e Shqipërisë dhe nisëm lëvizjen duke ndërtuar armatën. Jam këtu me koordinatoren e Tiranës, zonjën Majlinda Keta, dhe me një numër të rinjsh që po gjejnë veten në këtë lëvizje”, – u shpreh Nano në deklaratën e tij.

Më tej ai dhe një herë ka bërë të ditur se qëllimi i kësaj lëvizjeje nuk është tjetër veçse të orientojë të majtën drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme. “Kjo Lëvizje do të synojë jo vetëm të ridrejtojë lëvizjen e së majtës drejt vlerave, por do të orientojë elektoratin e majtë drejt një formule fituese me ose pa Edi Ramën. Në rast se Rama vazhdon të qesëndisi me nervozizëm nevojën për të rikthyer fuqinë e socialistëve të bashkuar, atëherë fundi do të jetë edhe gjykimi i këtij fenomeni nga Rama në Ramë”, – tha Nano. Ish kreu i socialistëve nuk ka mohuar edhe ambicien për të rrëzuar Ramën nga posti i kryetarit të PS-së dhe për ta rimarrë vetë atë dhe për ta drejtuar këtë forcë drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme. “Nuk e përjashtoj këtë objektiv dhe, në rast se Rama dhe struktura e atrofizuar që ai drejton do ta pengojnë këtë gjë, ne do të orientojnë gjithë ushqimin elektoral të socialistëve drejt një liste tjetër, jo të Ramës, përmes këtij uragani që sapo ka nisur dhe do të përfshijë edhe Partinë Socialiste”, – theksoi Nano, ndërsa mohoi që qëllimi i tij është të dëmtojë PS-në.