e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Edhe FIFA e 'driblon' Xhanin per çeshtjen e Partizanit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Edhe FIFA e 'driblon' Xhanin per çeshtjen e Partizanit
FIFA dje i ka kthyer përgjigje presidentit të Partizanit, Albert Xhani, në lidhje me letrën që ky i fundit i kishte dërguar organizmit ndërkombëtar të futbollit që e vinte në dijeni të çështjes së klubit të kuq. Në letrën që dërgoi më 13 mars, Xhani vinte në dispozicion të gjithë dokumentacionin që zotëron, si dhe vendimin e gjykatës, i cili e lë atë pronar të sh.a. Partizani. Ndërsa FIFA, në përgjigjen e djeshme, sqaron se ky është një problem që duhet zgjidhur brenda Shqipërisë.

Ja letra e plotë që organizmi i futbollit botëror i ka dërguar dje presidentit Xhani dhe për dijeni FSHF-së.

Zyrih, 11 prill 2012-04-12
Zotit Albert Xhani

Në përgjigje të letrës suaj, marrë më 13 mars 2012 I nderuar zotëri, Ne e morëm letrën tuaj më datë 13 mars 2012, përmbajtjen e së cilës e analizuam me kujdes maksimal. Një kopje e kësaj letre i është bashkëngjitur dhe Federatës Shqiptare të Futbollit për t’i vendosur në dijeni. Pas një analize të plotë të fakteve të nënrenditura në letrën e sipërpërmendur, ne kemi detyrën t’iu informojmë se kjo duket një çështje e brendshme, e cila nuk mund të merret në juridiksionin tonë. Si pasojë, FIFA nuk është në një pozicion që mund të ndërhyjë për këtë çështje. Përfundimisht, ne dëshirojmë përzemërsisht t’iu tërheqim vëmendjen për faktin që ky informacion është vetëm i një karakteri të përgjithshëm, pa dashur këtu të paragjykojmë çdo vendim të mundshëm që mund të marrë çdo organ kompetent për këtë çështje, apo çështje të tjera në të ardhmen. Ju falënderojmë për vëmendjen tuaj, dhe shpresojmë të na keni mirëkuptuar.

Sinqerisht i juaji, Marko Viliger, drejtori i Çështjeve Legale

FSHF po abuzon me Partizanin, të ndërhyjë FIFA dhe UEFA
Nga ALBERT  XHANI

Të nderuar zotërinj! Unë që po ju shkruaj, jam Albert Xhani, president i Klubit të Futbollit “Partizani”, i zgjedhur si i tillë nga Asambleja e Jashtëzakonshme e Klubit të Futbollit “Partizani”, në datën 02.09.1999. Sqarojmë se Klubi i Futbollit “Partizani” është një nga klubet më të mëdha dhe më popullorë në Republikën e Shqipërisë, i cili ka fituar deri më sot 33 trofe kombëtare, tifozët e të cilit përbëjnë rreth 70% të tifozerisë shqiptare dhe i cili pothuajse çdo vit ka marrë vazhdimisht pjesë në kompeticionet evropiane të futbollit të organizuara nga UEFA. Në të njëjtën datë dhe mbledhje të Asamblesë së Jashtëzakonshme të Shoqatës së Futboll Klub “Partizani”, është marrë dhe vendimi për shndërrimin e Shoqatës së Futboll Klub “Partizani” në shoqëri aksionare, të emërtuar “Partizani” sh.a., veprim ky i kryer në përputhje me ligjin shqiptar të kohës nr. 8114, datë 28.03.1996 “Për Sportin” dhe Ligjin nr. 7638, datë 19.11.1992 “Për Shoqëritë Tregtare”, si dhe në zbatim e në përputhje të plotë me Udhëzimet e dhëna nga UEFA dhe FSHF, për procedurat e shndërrimit të shoqatave të futbollit në shoqëri aksionere. Në lidhje me këtë shndërrim të shoqatës së Futboll Klub “Partizani” në shoqëri aksionare, në datën 02.11.2000, nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit është dhënë pëlqimi për krijimin e shoqërisë aksionere, duke u theksuar se ky shndërrim dhe funksionimi i shoqërisë aksionare ishte në përputhje të plotë dhe me Statutin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Si rrjedhojë e veprimeve të mësipërme dhe akteve nënligjore, të nxjerra nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë, shoqëria aksionare “Partizani” Sh.a. është regjistruar si person juridik në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 24628, datë 07.11.2000 të kësaj gjykate. Objekti i veprimtarisë tregtare të shoqërisë “Partizani” Sh.a., në momentin e regjistrimit të saj ishte: “Veprimtaria në fushën e zhvillimit të aktivitetit të futbollit në Klubin e Futbollit ‘Partizani’ etj”.

Po ashtu, në përputhje të plotë me ligjin shqiptar, shoqëria “Partizani” Sh.a., në datën 17.04.2008, ka regjistruar pranë Zyrës Shqiptare të Patentave dhe Markave, në regjistrin e markave, markën “FUTBOLL KLUB PARTIZANI”, fjalë dhe figurë, pasi ishte marrë më parë miratimi nga shteti shqiptar, i përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes në datën 19.11.2007, miratim i cili ishte kërkuar shprehimisht nga Zyra e Patentave dhe Markave dhe Shoqëria “Partizani” Sh.a. Regjistrimi i kësaj marke nga ana e shoqërisë sonë, megjithëse është kundërshtuar në mënyrë abuzive nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, me Vendim të Gjykatës kompetente shqiptare (shkalla e parë) është konsideruar plotësisht i rregullt dhe në përputhje me ligjin, duke u rrëzuar çdo pretendimi i shtetit shqiptar mbi këtë regjistrim. Që nga momenti i regjistrimit të shoqërisë aksionere “Partizani” Sh.a., në datën 07.11.2000 dhe në vijim, deri në datën 20.08.2011, kjo shoqëri ka qenë anëtare me të drejta të plota e Federatës Shqiptare të Futbollit, duke u zhvilluar aktiviteti i saj sportiv, si brenda Republikës së Shqipërisë ashtu dhe në kompeticionet evropiane, në përputhje me rregullat e UEFA. Theksojmë se, po në përputhje me këto rregulla, FSHF dhe vetë inspektorët e UEFA kanë ushtruar vazhdimisht, gjatë 11 viteve, kontrollet e tyre mbi mënyrën e funksionimit të shoqërisë “Partizani” Sh.a., duke u vlerësuar ajo maksimalisht në raportet përfundimtare të miratuara nga UEFA.

Është vendi për t’ju vënë në dijeni se në të njëjtën mënyrë dhe mbi të njëjtat procedura janë shndërruar në shoqëri aksionere dhe vijojnë dhe sot aktivitetin e tyre sportiv dhe 4 shoqata të tjera futbolli në Republikën e Shqipërisë. Në mënyrë paradoksale dhe në kundërshtim flagrant me ligjin shqiptar, Statusin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Rregullat e UEFA, në datën 20.08.2011, moment në të cilin nga ana e shoqërisë “Partizani” Sh.a. është aplikuar dokumentacioni i plotë për regjistrimin e klubit të futbollit “Partizani”, Federata Shqiptare e Futbollit verbalisht i ka komunikuar shoqërisë sonë se ky regjistrim nuk do të mundësohej më për vitin 2011-2012, duke u pretenduar në mënyrë abuzive se nga FSHF, në vend të shoqërisë “Partizani” Sh.a., do të regjistrohej një tjetër ekip futbolli, me të njëjtin emërtim, i administruar nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, pra nga një institucion shtetëror.

Pas shumë kërkesave të vazhdueshme dhe insistimit të përfaqësuesve të shoqërisë “Partizani” Sh.a., në datën 10.02.2012, plot 7 (shtatë) muaj nga data kur ishte refuzuar regjistrimi i shoqërisë “Partizani” Sh.a., FSHF na ka komunikuar Vendimin e Komitetit Ekzekutiv të saj nr. 48, datë 04.09.2011, në përmbajtjen e të cilit konfirmohej regjistrimi nga FSHF i një ekipi futbolli të emërtuar “Partizani”, në administrim të shtetit shqiptar. Në kushtet kur shoqëria “Partizani” Sh.a. është një nga shoqëritë më të mëdha dhe me një veprimtari 11-vjeçare në aktivitetin sportiv të futbollit, mohimi i të drejtës së saj për t’u regjistruar në kampionatin shqiptar të futbollit në vitin 2011-2012 përbën një veprim në shkelje të hapur të Statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Statutit dhe Rregullores së UEFA e FIFA, akte këto detyrimisht të zbatueshme dhe nga FSHF, si anëtare e UEFA dhe FIFA.

Vendimi i marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF, për të regjistruar një tjetër ekip futbolli me të njëjtin emër, në administrim të shtetit shqiptar dhe për të refuzuar njëkohësisht regjistrimin e shoqërisë “Partizani” Sh.a., për sa kohë që nga ana e shoqërisë sonë është respektuar dhe zbatuar çdo detyrim ligjor e rregull i FSHF, UEFA e FIFA, përbën një shkelje të rëndë dhe një ndërhyrje të jashtëligjshme të shtetit në veprimtarinë e pavarur të futbollit shqiptar. Në të njëjtin drejtim, rikujtojmë se ky veprim i shtetit shqiptar është i njëjtë me ngjarjet e disa viteve më parë (2006) gjatë zgjedhjeve të organizuara për kreun e FSHF (Presidentin), moment kur shteti shqiptar ushtronte presion dhe në mënyrë abuzive kërkoi të ndërhynte në veprimtarinë e pavarur të FSHF. Dhe në këtë rast, qëndrimi i shoqërisë “Partizani” Sh.a. ishte tepër i qartë dhe në përputhje me Statutin e FSHF, UEFA e FIFA, duke mbështetur hapur zgjedhjen e Presidentit të ri vetëm nga anëtarët e FSHF e jo nga urdhrat e dhënë nga shteti shqiptar.

Dhe në rastin konkret, vendimi i Komitetit Ekzekutiv të FSHF për mosregjistrimin e shoqërisë “Partizani” Sh.a. në vitin futbollistik 2011-2012, shpresojmë dhe kërkojmë të besojmë se është marrë si pasojë e ndërhyrjes politike dhe presioneve të shtetit shqiptar dhe jo si një veprim i kryer me bindje të plotë dhe në mënyrë profesionale nga ana e organit drejtues të FSHF. Me anë të kësaj ankese, ju drejtohemi juve si autoriteti më i lartë i futbollit evropian dhe botëror, si garantues i veprimtarisë së ligjshme të futbollit në vendet anëtare të FIFA dhe UEFA, për të ndërhyrë me çdo kompetencë tuajën për korrigjimin e kësaj padrejtësie dhe veprimeve të paligjshme të FSHF dhe shtetit shqiptar, duke u ri-kthyer dhe lejuar shoqëria “Partizani” Sh.a. në ushtrimin e plotë të të drejtave të saj mbi Klubin historik të Futbollit “Partizani”. Është e qartë se mohimi i të drejtës për t’u regjistruar në kompeticionet kombëtare nga FSHF, i ka shkaktuar dhe po i shkakton shoqërisë “Partizani” sh.a. një dëm tepër të madh dhe të pariparueshëm, duke qenë po kaq i qartë për ju fakti se sa e kushtueshme dhe e papërballueshme ekonomikisht është mbajtja dhe organizimi në vijim i një Klubi Futbolli historik, siç është “Partizani”, në kushtet konkrete.

Për sa më sipër shpjeguam, kërkojmë nga ana Juaj që të na mundësoni gjithashtu një takim nga afër me autoritetin përkatës të FIFA dhe UEFA, për të paraqitur të gjitha aktet provuese dhe faktet ku mbështesim pretendimin tonë, takim i cili do të shërbente esencialisht për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë të këtij problemi. Përfitojmë nga rasti për të shprehur konsideratat tona më të larta dhe vlerësimin tonë, duke qenë plotësisht të bindur për autoritetin tuaj si organi më i lartë i futbollit, për të vendosur drejtësi në rastin e shoqërisë “Partizani” Sh.a.

Shënim: Kjo është letra që aksionari i klubit Partizani, Albert Xhani, e ka dërguar si ankesë në FIFA dhe UEFA, në emër të dy sekretarëve, Zherom Valke (FIFA) dhe Xhani Infantino (UEFA), duke pretenduar se FSHF është sjellë arbitrarisht ndaj klubit të tij, duke regjistruar një skuadër tjetër nën emrin e Partizanit.

Partizani kalon nga Mbrojtja tek Ekonomia, gati ankandi

Problemet ligjore që ka pasur gjatë këty re viteve skuadra e Partizanit do të marrin fund sot. Ministria e Mbrojtjes, e cila ka marrë nën administrim klubin më të madh dhe me më shumë tifozë në vendin tonë, gjatë kësaj periudhe ishte duke punuar për të përpiluar dosjen e kalimit të këtij klubi në një shoqëri aksionere, në të cilën mund të blejë aksione çdo individ që është i shoqëruar. Gjatë ditës së djeshme, mësohet se specialistët e kësaj ministrie i kanë dhënë fund dokumentacionit të ekipit të kuq dhe sot zyrtarisht dosja do të shkojë në Ministrinë e Ekonomisë, ku pritet që stema dhe emri i Partizanit të dalin në shitje. Burime të besueshme pranë Ministrisë së Mbrojtjes kanë bërë me dije se, tashmë gjithçka është përfunduar, por nuk kanë dhënë detaje, nëse emrit dhe stemës i janë bashkangjitur edhe asete të tjera, të cilat do të privatizohen së bashku me to. Gjithsesi, i rëndësishëm është fakti, që shumë shpejt skuadra e Partizanit, e cila kryeson edhe Grupin B në Kategorinë e Dytë do të ketë investitorë të rinj.

Regjistrimi Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve (QKR) logoja dhe emri i skuadrës së Partizanit, do të regjistrohet si “Futboll Klub Partizani sh.a” duke bërë edhe një ndryshim nga Shoqëria Aksionere, që është aktualisht në pronësi të Albert Xhanit dhe Paro Laçit. Kjo është e regjistruar në QKR si “Shoqëria Tregtare Partizani sh.a”. Ky është edhe ndryshimi juridik që ka bërë Ministria e Mbrojtjes, në mënyrë që presidenti aktual i Partizanit, Albert Xhani, të mos ketë më asnjë pretendim në lidhje me shoqërinë e re tregtare, e cila do të themelohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe që do të administrojë skuadrën e Partizanit në të ardhmen, duke e shkëputur atë përfundimisht nga presidenti Xhani.

Logoja me probleme, mund të ketë ndryshime

I vetmi problem që Ministria e Mbrojtjes mund të ketë me themelimin e “Futboll Klub Partizani sh.a” është stema e klubit, e cila është e regjistruar më parë me Shoqërinë Tregtare të themeluar nga Albert Xhani, si dhe në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Markave të Patentave. Në këtë drejtim regjistrimi mund të hasë probleme, pasi çështja nuk është zgjidhur ende në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit do të rishqyrtojë vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, në të cilin gjyqtari Iliri Çeliku i la stemën dhe emrin Shoqërisë Tregtare ku është administrator Albert Xhani.

Xhani

Albert Xhani, që pretendon se ka pjesën më të madhe të aksioneve, është ankuar në FIFA dhe UEFA. Ai pretendon se FSHF-ja dhe Ministria e Mbrojtjes po veprojnë në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare, duke mos njohur dokumentacionin që ai disponon si pronar i këtij klubi dhe i logos së “demave”.

Terrenet

Pronarët e ardhshëm që pritet të blejnë aksionet e Partizanit pasi të dalë në treg, do të duhet të sigurojnë edhe terrenet e përhershme se ku do të vendoset klubi legjendar. Momentalisht, të kuqtë janë pa një seli fikse, pas largimit nga ambientet e mëparshme, të cilat përfunduan në pronësi të pronarëve të tokës.