Eci me 272 km në orë, ja çfarë thotë tani Vajushi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pak ditë më parë, Armando Vajushi publikoi një video ku filmonte veten duke drejtuar makinën ndërkohë që udhëtonte me një shpejtësi prej rreth 272 kilometrash në orë. Në sfond, sulmuesi kishte këngë shqiptare në makinë.
Kjo video e publikuar në llogaritë e tij personale në rrjetet sociale është hequr vetëm pas pak minutash, por nuk e ka shpëtuar shqiptarin nga ndëshkimi. Në ndeshjen e fundjavës së Livornos në Serinë B, ai nuk ishte as në stolin e rezervave.
Pas këtij pezullimi, futbollisti ka bërë një postim në llogarinë e tij në rrjetin social "Facebook", ku ka kërkuar ndjesë ndaj të gjithë atyre personave që janë ndier të ofenduar nga ajo video, ndërkohë që ka premtuar maksimumin e tij për ekipin.
"Dua t'u kërkoj ndjesë të gjithë tifozëve të Livornos dhe atyre që e duan këtë ekip, shokëve të skuadrës, trajnerit dhe drejtuesve të këtij klubi se nuk ishte qëllimi im që të tregoja mungesë respekti për askënd. Për videon e publikuar, ju kërkoj shumë herë falje!
Më vjen keq edhe për faktin që nuk kam qenë mirë fizikisht për ta ndihmuar skuadrën me më të mirën time që të dalë nga kjo situatë. Do të jap gjithmonë maksimumin sa herë që të kërkohet kontributi im nga trajneri. Kërkoj edhe një herë ndjesë dhe do të 'pështyj gjak' për të shpëtuar Livornon. Forca Livorno!", ka qenë postimi i shqiptarit në rrjetin social.