E treta me e mire, sa shanse ka Shqiperia te marre bileten e France 2016?
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Barazimi me Danimarkën dhe humbja në shtëpi me Portugalinë i vështirëson në maksimum Shqipërisë që të zërë vendin si e treta më e mirë e grupeve kualifikuese të Euro 2016.
Pas ndeshjeve të raundit të tetë që kanë përfunduar sot, kuqezinjtë e De Biazit kanë më shumë mundësi të dalin në vendin e dytë mbi Danimarkën, sesa të marrin një biletë direkt për në Paris si e treta më e mirë.
Aktualisht Shqipëria është në vendin e katërt të ekipeve që renditen aktualisht në vendin e tretë, me 11 pikë, por me një ndeshje më pak se skuadrat e tjera kundërshtare.
Por sa mundësi kanë kuqezinjtë që në rast se nuk i marrin vendin e dytë Danimarkës, të dalin të tretët më të mirë?
Ukraina- Është në vendin e parë si e treta më e mirë me 13 pikë. Në këtë renditje Ukrainës do ti llogariten vetëm pikët që do marrë në ndeshjen e fundit me Spanjën (sipas parashikimeve shanset i ka të vogla), pasi pikët me Maqedoninë nuk do ti llogariten. Sipas rregullores së UEFA-s, në përfundim të eleminatoreve, të gjitha ekipeve te treta më të mira do ti zbriten pikët që do marrin me ekipin e fundit të grupit. Kjo për të barazuar numrin e ndeshjeve me grupin e Shqipërisë që ka një 5 skuadra dhe jo 6 si të gjitha ekipet e tjera. Në rast të humbjes me Spanjën, Ukraina do të vijojë të mbetet në kuotën e 13 pikëve.
Kroacia- Kjo skuadër mban vendin e dytë në renditjen e të tretave më të mira me 12 pikë, por një ndeshje më shumë se Shqipëria. Skuadrës kroate do ti llogariten vetëm pikët me Bullgarinë ndërsa ato me Maltën jo. Me këtë kalendar skuadra kroate mund të shkojë maksimalisht 15 pikë dhe minimalisht të qëndrojë në këtë kuotë që ka.
Hungaria- Ky ekip është gjithashtu në kuotën e 12 pikëve me 1 ndeshje më shumë se Shqipëria. Skuadra hungareze ndeshjen e ardhshme e ka me Ishujt Faroe dhe pikët që do të marrë do ti llogariten ndërsa ato me Greqinë jo pasi skuadra greke ndodhet në vendin e fundit. Në rast fitoreje Hungaria shkon 15 pikë dhe nëse humbet qëndron sërish në kuotën e 12 pikëve.
Shqipëria- Ekipi i De Biazit ka 11 pikë dhe dy ndeshje në dispozicion për të luajtur, pikët e të cilave do ti llogariten. Nëse kuqezinjtë marrin një fitore në këto dy ndeshje, ka më shumë mundësi të sigurojnë vendin e dytë në grup (Danimarka luan në fushën e Portugalisë). Vetëm me një kombinim ku Ukraina, Kroacia dhe Hungaria të humbasin, Shqipëria mund të dalë e treta më e mirë në këto eleminatore dhe të fitojë një biletë direkte për në Francë 2016.