e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

E gjithe vemendja ne Milano dhe Londer

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
E gjithe vemendja ne Milano dhe Londer

Milan-Barcelona dhe Arsenal-Dortmund konsiderohen si kryendeshjet e turit të sotëm të UEFA Champions League. E gjithë vëmendja është përqendruar te këto dy sfida, ndërkohë që trajnerët janë duke u përpjekur që përveç përgatitjes fizike dhe taktike, të krijojnë edhe gjendjen e duhur psikologjike te skuadrat e tyre. Trajneri i Barcelonës kërkon të mos mendohet për takimin e javës së ardhshme me Realin, por vetëm te Milani, të cilin e respekton. Ndërkohë, Arsen Venger i Arsenalit, ekipi i të cilit vjen nga një seri e gjatë ndeshjesh pa disfatë, flet me superlativa për kundërshtarin e tij, trajnerin Jurgen Klop të Borusias së Dortmundit.

Milan-Barcelona

Përballjet me Milanin në dy sezonet e fundit të Ligën e Kampionëve janë prova të rëndësishme për trajnerin e Barcelonës, Tata Martino, i cili është i vetëdijshëm për vështirësitë që ofron sfida e San Siro-s. Synimi i katalanasve, sipas Tatas, mbetet kontrolli i topit, por pa e lejuar kundërshtarin të jetë efektiv nëpërmjet kundërsulmeve.

“Është një takim shumë i vështirë, vijmë pas një ndeshjeje të mirë, por pa fitore. Jemi të kënaqur me atë që po bëjmë. Duhet t’i lëmë pak hapësira prapa Milanit dhe të tentojmë kontrollin e lojës. Kur luan kundër ekipeve italiane është thelbësore të mos gjenerosh situata kundërsulmi në favor të kundërshtarëve”.

Për sfidën ndaj kuqezinjve, argjentinasi ka grumbulluar 22 futbollistë, vendim që e argumenton në këtë mënyrë: “Prania e 22 lojtarëve ka të bëjë me faktin që do të luajmë një ndeshje shumë të rëndësishme sa i përket klasifikimit në grup. E pashë të arsyeshme që të ishim të gjithë, por për mua ka më shumë rëndësi që grupi po forcohet. Nëse fitojmë, do të sigurojmë kalimin e grupit”.

Mungesa e Balotelit? “Kur yjet nuk luajnë, kjo është diçka e keqe për publikun, por për kundërshtarin sigurisht që pozitive”.

Si gjithmonë, nuk mungojnë pyetjet për Lionel Mesin, i cili sapo është riaftësuar nga një dëmtim që e mbajti disa javë jashtë fushës së blertë.

“Vendosa ta aktivizoja në Pamplona për ta parë nëse do të ndihej mirë për ndeshjet e ardhshme. Ai u riaftësua më shpejt se sa e prisnim. Sa herë që Leo Mesi zbret në fushë, e gjithë bota pret më të mirën nga ai”.

Pas Milanit vjen Reali i Madridit, por Martino nuk zhbilancohet, për rivalët madrilenë do të nisë të mendojë të mërkurën. “El Clasico? Nuk e kam zakon të mendoj për rivalin që vjen pas. Më shumë se për Realin shqetësohem për gjendjen e futbollistëve të mi. Vetëm të mërkurën do të fillojmë të mendojmë për Realin e Madridit”.

Për të shmangur presionin mbi skuadrën e tij, 50-vjeçari tha se ndaj Milanit dhe Realit Barcelona do të luajë dy ndeshje të rëndësishme, por jo vendimtare për sezonin.

Arsenal-Dortmund

Arsenali është gati për provën e zjarrit, teksa përgatitet të përballet me Borusia Dortmund pas një ecurie pozitive në këtë fillim sezoni, me 12 ndeshje radhazi pa pësuar disfatë në të gjitha kompeticionet ku merr pjesë. Djemtë e Vengerit nuk humbasin që prej mesit të gushtit dhe francezi ndërkohë përgëzon homologun e klubit gjerman para takimit mes tyre në Londër.

“Klop ka bërë një punë të jashtëzakonshme te Dortmundi. Ashtu si çdo njeri i pasionuar, ndoshta e ekzagjeroi pak në Napoli dhe për këtë u penalizua. E kam kaluar edhe unë një situatë të ngjashme, por gjithsesi më duhet ta përgëzoj për punën që ka bërë”.

Duke analizuar potencialin e gjermanëve, Venger deklaroi se arritja në finale në edicionin e fundit të Champions i jep më shumë besim Dortmundit dhe në përgjithësi, thelbi i skuadrës ka mbetur i pandryshuar. Ndonëse është larguar Gëce, për teknikun francez Dortmundi ka ende një armë të fortë dhe të tillë quan 24-vjeçarin Rojs.

Nga ana tjetër, gardiani polak Shçezni e njeh shumë mirë rrezikun që i kanoset Arsenalit nga dy shokët që ka në kombëtare, Levandovski dhe Blaszhikovski. Sipas tij, sulmuesi i nënkampionëve të Europës është ndër më të mirët në kontinent dhe ai që mund ta dëmtojë në çdo moment të mundshëm ekipin londinez.