e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Dy vjet nga ngjarja e 21 Janarit, opozita tubim homazh per kater viktimat

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Dy vjet nga ngjarja e 21 Janarit, opozita tubim homazh per kater viktimat
Opozita do të përkujtojë sot në dy vjetorin e 21 Janarit katër personat që humbën jetën gjatë protestës së 2011-së.  Ashtu si edhe një vit më parë Partia Socialiste do të organizojë një tubim homazh, që do të nisë nga selia e PS-së, për tu drejtuar më pas në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e deri përpara kryeministrisë aty ku u vranë edhe katër protestuesit Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Përveç homazheve me lule, kalim para fotove  të të të rënëve do të ketë edhe një dokumentar që do të pasqyrojë ngjarjen e ndodhur në 21 Janar 2011.  

Ndërkohë që mbështetës të Partisë Socialiste nga Fieri dhe Elbasani janë nisur drejt Tiranës për të marrë pjesë në tubimin homazh të organizuar sot për nder të 4 viktimave të 21 janarit. Sipas informacioneve, anëtarët e Asamblesë së PS-së në Fier, mbështetës të opozitës nga ky qytet por edhe 300 persona nga Elbasani do të marrin pjesë në tubimin homazh të organizuar nga PS-ja në kryeqytet.

Rama: Një tjetër 21 Janar pa drejtësi

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama kërkoi dje vendosjen e drejtësisë.  Në një bashkëbisedim me gazetarët, Rama theksoi se 21 Janari është një nga ato plagë që kombet nuk e mbyllin dot me sytë e harresës dhe se Partia Socialiste do të bëjë çmos që kjo plagë të shërohet përmes drejtësisë. “Nesër është një 21 Janari, një tjetër 21 Janar pa drejtësi, madje një 21 Janar që e gjen procesin gjyqësor në një fazë rrënimi të mëtejshëm. Ne do të jemi nesër aty ku kemi qenë qysh nga dita e parë, në kërkim të drejtësisë, duke kujtuar 4 dëshmorët e 21 Janarit”,- tha Rama.