e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Dy kamerierë grabisin tre turistë anglezë në kryeqytet

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Dy kamerierë grabisin tre turistë anglezë në kryeqytet
Mashtrimi
Tre turistë anglezë kanë rënë pre e grabitjes nga dy kamerierë, të cilëve u kishin kërkuar ndihmë për të gjetur një hotel. Ngjarja ka ndodhur në mes të Tiranës, kur dy të rinjtë shqiptarë i kanë marrë me makinë dhe duke i kërcënuar u kanë marrë çfarë kishin me vete. Sipas të dhënave, tre anglezët, në moshë të re, ishin ulur në një lokal për të ngrënë diçka të shpejtë, por i ka zënë nata. Duke komunikuar me një nga kamerierët e lokalit, ata kanë kërkuar një hotel, ku do të kalonin natën. Kamerieri, bashkë me kolegun e tij kanë thurur plan për t’i grabitur dhe më pas u kanë premtuar se do i dërgonin tre turistët te një hotel luksoz. Dy kamerierët dhe tre turistët kanë hipur në një makinë, duke shkuar deri në një lagje të Kamzës, ku banonin kamerierët. Atje, duke i kërcënuar se do i vrisnin, kamerierët kanë mundur t’u merrnin anglezëve gjithçka kishin me vete. Të ndodhur në udhëkryq, pasi nuk dinin nga të shkonin, tre anglezët kanë takuar një punonjës policie dhe janë munduar t’i shpjegojnë se çfarë kishte ndodhur.

Punonjësi i policisë i ka dërguar në ambientet e Komisariatit Nr. 5 dhe aty kanë shpjeguar gjithçka u kishte ndodhur. Tre të rinjtë anglezë kanë shpjeguar se u kishin marrë rreth 300 euro, një pasaportë angleze, kartat e kreditit dhe aparatet fotografike. Ekspertët e policisë i kanë pyetur nëse mbanin mend se ku kishin qenë, kur kamerierët i kishin mashtruar dhe duke bashkëpunuar me Komisariatin Nr. 1 kanë zbuluar lokalin. Sapo lokali është zbuluar dhe është kontaktuar me përgjegjësit e tij, dy autorët e dyshuar të ngjarjes janë identifikuar Fatjon Resul Basha, 21 vjeç dhe Gazmend Baki Mustafa, 21 vjeç, të dy nga Kamza. Grupi hetimor ka mundur të gjejë banesat e tyre dhe brenda një kohe të shkurtër i ka shoqëruar në ambientet policore. Pas shoqërimit, policia u ka sekuestruar edhe disa nga sendet e vjedhura, duke i arrestuar për vjedhje me mashtrim. Nga ana tjetër, anglezëve u janë kthyer sendet e vjedhura, si dhe u janë vënë në dispozicion numrat e telefonave të policisë, me qëllim për të kontaktuar për çdo problem gjatë udhëtimit të tyre në vendin tonë.