e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Dushku: Tirana pa karakter, nuk vendos presidenti e trajneri

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dushku: Tirana pa karakter, nuk vendos presidenti e trajneri

Është "ish" i të dyjave dhe askush më mirë se ai nuk mund t'i bëjë skanerin kësaj finaleje për Europën. erion dushkuErion Dushkut nuk i ndahet shpirti nga futbolli shqiptar, paçka se prej muajsh ndodhet në Amerikën e largët.

Në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport", ish-mbrojtësi deklaron se të shtunën fiton Kukësi i Duros, ndërsa nuk heziton që të "thumbojë" Tiranën, duke e lënë jashtë garës për Europë. Lezhjani flet edhe për derbin e fundit, ndërsa "voton" se Skënderbeu shpallet kampion, dhe Laçin si fitues të Kupës.

Luhet një finale për Europën mes Tiranës dhe Kukësit, si e parashikon Erioni këtë duel?

Ndeshjet mes Tiranës dhe Kukësit gjithnjë dhurojnë emocione, si në lojë, ashtu edhe rezultat. Shpresoj të bëhet një ndeshje e bukur. Sa për parashikimin, nuk po flas fare, pasi dy herë kam dështuar.

Ka rokadë pozicionesh, tashmë Tirana është -4 nga zona "Euro"...

E kam thënë dhe e ritheksoj që Tirana do të dështojë në objektivat e saj dhe këtë vit, e them këtë pasi e njoh mirë atë klub dhe njerëzit që e rrethojnë.

Çfarë ka ndodhur me Tiranën sipas jush?

Te Tirana, vendimet nuk merren nga 2 personat më të lartë që mund të ketë një klub, si presidenti dhe trajneri. Aty duhet që çdo njeri mund të jap mendimin e vet, tifozë qofshin, dashamirës apo prindër.

Si ka mundësi që Tirana nuk fiton prej 8 ndeshjesh derbin me Partizanin?

Mungesën e fitoreve në derbi unë e shoh në dy drejtime. Së pari, te Tirana në përbërje ka 3 apo 4 lojtarë, që janë rritur te Partizani dhe ndoshta në derbi nuk mund të japin maksimumin. Dhe e dyta, Tiranës po i bie çdo ditë personaliteti dhe karakteri. S'ka më lojtarë që ta udhëheqin ekipin në fushë.

I qëndroni thënies tuaj për Tiranën që është ekip miqsh dhe kushërinjsh?

Tirana është ekip kushërinjsh dhe miqsh?! Po është e qartë fare, është diçka që duket. Tirana është bërë një hendek i madh dhe mund të nxërë këdo. Po Kukësi, si ju është dukur këtë fazë? Kukësi mendoj që është futur në shinat e Klodian Duros dhe po merr maksimumin e ideve dhe grintës që ai trajner ka.

Cilën skuadër shikoni favorite dhe më të mirë në këtë sfidë?

Kjo ndeshje s'ka favorit, mendoj që Tirana është në gjendje "shoku" dhe Kukësi duhet ta shfrytëzojë këtë gjë.

Kush janë pikat e forta dhe të dobëta të Kukësit?Po të Tiranës?

Pika të forta mendoj që s'kanë asnjëra. Kukësi është më i shpejtë në dalje në sulm, por pak i shfrytëzon siç duhet. Tirana mendoj që ka vetëm një qarkullim të mirë të topit, ndërsa në vertikalizime lë për të dëshiruar. Unë jam gjithmonë me atë që vë shpirtin në fushë ai fiton gjithnjë, pra grinta që do të shfaqë secili ekip, do të bëjë diferencën. Ajo që më bën përshtypje është vazhdimësia, pasi 3 javë një palë është e lumtur, 3 javë të tjera tjetra.

Mendoni që kjo është sfida e zonës euro, nëse fiton Kukësi nxjerr jashtë loje Tiranën dhe nëse fiton apo barazon Tirana është e njëjta gjë?

Unë mendoj që dhe po të fitojë Tirana, këtë vit do të ngelë pa Europë. I mungon shumëçka, ndaj do të ngelet jashtë.

Po me tifozët e Tiranës si i keni marrëdhëniet?

Marrëdhëniet e mia me tifozët e Tiranës janë të shkëlqyera. Tifozët i duan lojtarët që japin shpirtin për atë fanellë. Madje, dhe këtu në SHBA kam disa shokë që janë tifozë të çmendur bardheblu.

Po ndeshjen Partizani-Skënderbeu e patë? Miku juaj Osmani mori karton të kuq?

Osmani është qendërmbrojtësi më i mirë tani, pasi unë kam ikur. I uroj vetëm sukses në karrierë, pasi e meriton si sportist dhe njeri.

Kush e merr titullin kampion?

Kampionati u mbyll, Skënderbeu del kampion. Është e pamundur t'i ndalosh. Ndaj e meritojnë në çdo aspekt.

Po Kupa e Shqipërisë ku do të shkojë këtë vit, shihni favorit?

Për sa i përket Kupës së Shqipërisë, mendoj që Laçi ngelet favorit dhe mendoj që do ta marrë dhe këtë vit.

Do të riktheheni të luani në Shqipëri sezonin që vjen?

Rikthimi im është çështje e mbyllur tani, ndoshta pas disa viteve si trajner.

Përgatiti: SKERDILAID SULOZEQI