Duro: Nuk më intereson Tirana e Teuta, vetëm fitorja ndaj Laçit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri i Kukësit, Klodian Duro, mbas dy fitoreve radhazi beson te ruajtja e ecurisë së ekipit. Kuksianët kanë pasur vetëm tri ditë kohë që ta përgatisin ndeshjen me Laçin, një kundërshtar që u ka hapur shumë punë në sezonet e fundit.
Por trajneri Duro pohoi se kontingjenti që ka në dispozicion do të bëjë të mundur që Kukësi të fitojë edhe këtë sfidë të mesjavës. Trajneri theksoi se tani po korren frytet e punës së madhe që është bërë me skuadrën.
Sot prisni Laçin me pak ditë në dispozicion. A e shikoni të përshtatshme këtë periudhë për t'u përballuar me të?
Normalisht koha ka qenë e shkurtër për të përgatitur një ndeshje të rëndësishme si kjo me Laçin. Por futbolli i sotëm i njeh këto ndeshje që luhen në çdo tri ditë. Nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme, pasi kemi grupin e duhur të lojtarëve, që mund të përballojë ndeshje të tilla. Plus që kemi kapacitete të mjaftueshme për të hedhur në fushën e lojës, të cilët mund të japin maksimumin ndaj Laçit.
Laçi shpeshherë i ka hapur shumë punë Kukësit, po këtë herë mund të jetë e njëjta gjë?
Jemi përgatitur për të bërë një ndeshje siç duhet. Mua nuk më intereson Laçi, jam i fokusuar vetëm tek ekipi që drejtoj, ku në këtë sfidë do të kërkojmë më të mirën. Sigurisht që Laçi ka një ekip të mirë, të konsoliduar, kanë shumë vite që lojtarët luajnë bashkë. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk do arrijmë synimet tona, pasi jemi përgatitur fort për të marrë fitoren e radhës.
Do të kënaqeshit edhe me një fitore minimale?
Duke parë lojërat e mira që kemi zhvilluar, duke qenë të prirur drejt sulmit, nuk kemi arsye që të ndryshojmë kurs. Skuadra ka treguar në shumë ndeshje që luan mirë dhe shënon, ndaj dhe për këtë takim besoj se do ndodh e njëjta gjë. Synimi kryesor është trepikëshi, por kur luan nuk kanë pse të mungojnë edhe golat.
Duke parë edhe kalendarin e Tiranës dhe Teutës, do tentoni që këtë javë të shkoni të tretët në tabelë?
Ne shikojmë ndeshjet tona dhe për detyrë na del ruajtja e ritmit deri në fund të kampionatit. Ne duhet të fitojmë ndaj Laçit, të tjerët të bëjnë çfarë të duan. Jemi të vendosur për të realizuar objektivat.
Në të mirë të skuadrës, presidenti vendosi të hapë dyert për tifozët, sa e ndihmon ekipin kjo lëvizje e Gjicit?
Nuk është hera e parë që presidenti Gjici e bën këtë lëshim. Është një veprim shumë i mirë i presidentit për tifozët, ashtu siç ai i hapi rrugët drejt Europës Kukësit, ashtu edhe po i hap dyert e stadiumit për tifozët. Unë e përshëndes këtë veprim të presidentit, pasi ka treguar që e do futbollin dhe i do tifozët kuksianë, të cilët janë një armë plus për skuadrën në stadiumin "Zeqir Ymeri".