e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Duka syte nga Apeli: Me Platinin perseri 'mik'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Duka syte nga Apeli: Me Platinin perseri 'mik'

Humbëm një betejë, por jo luftën. Tashmë sytë drejtohen drejt apelimit të vendimit të Komisionit të Disiplinës së UEFA-s, ose dhe arbitrazhit për të marrë atë që poshtërsisht humbëm në shkallën e parë.

“Kam pasur kontakt me avokatin e çështjes që ne do ta ndjekim dhe jam i bindur që do ta fitojmë këtë çështje. Do të kisha shumë dëshirë që vendimin e duhur ta jepte shkalla e parë, komisioni i disiplinës, por nuk dushoj që do ta fitojmë këtë betejë. Në apel dhe në arbitrazh” tha në një linjë telefonike për Ora Neës, Armando Duka.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit është optimist se Shqipëria do të marrë 3 pikët në apel, por nga ana tjetër nuk fsheh zhgënjimin e mosdistancimit të institucionit kryesor të futbollit nga dhuna në sport.

“I zhgënjyer,po ndoshta dhe e prisja.l Nuk jam i sigurtë se çfarë duhet thënë tani. I zhgënjyer duke pretenduar që do kishte një vendim juridik sportiv të drejtë, e prisja duke dëgjuar deklaratat që i kanë paraprirë Komisionit.

Për mua është një vendim që nuk i bën mirë askujt, nuk i bën mirë futbollit, përmirësimit të klimës së futbollit, largimit të dhunës. Nuk e di se çfarë precedenti do të krijojë ky vendim. Ne nuk do ta bëjmë kurrë, por një skuadër tjetër të rrahë futbollistët në fushë dhe të marrë tre pikët në tavolinë? Nuk e di!”

Për Dukën vendimi i sotëm i UEFA-s ishte një kompromis politik.

“Një ndeshje nderprerë për probleme disiplinore duhet ta fitojë një skuadër. Ky është një lloj kompromisi politik, i jep tre pikë dhe i merr tre pikë. Kjo nuk ka të bëjë me drejtësi sportive”.

I pyetur sesa ndikoi raportimi jo real i ndeshjes nga gjyqtari, Presidenti i FSHF-së tha:

“Nuk ka të bëjë , ata kanë pasur në tavolinë të gjitha faktet që ajo ishte një fushë në të cilën nuk mund të luhej. Në bisedat joformale me çdo zyrtar më është pohuar se anjë skuadër nuk mund të rihynte në këtë fushë. Nuk jam i zhgënjyer vetëm për pikët e Shqipërisë, por për mosdistancimin e institucioneve nga dhuna”.

Historia e Beogradit u mbyll në 14 tetor. Pyetja që shtrohet tani është sesa do të ndikojë vendimi i sotëm në ndeshjen e kthimit.

“Një vendim i drejtë do ti shërbente më mirë asaj klime, por kemi kohë për menduar sesi ne do ta pregatisim ndeshjen e kthimit në Elbasan” tha Duka.

Një pozicionim qartazi i Presidentit të UEFA-s në mbështje të Serbisë që zhgënjeu mbarë shqiptarët edhe pse mik i mirë i Kryeministrit tonë dhe vetë zotit. Duka. E për këtë të fundit, asgjë nuk ka ndryshuar, “marrëdhëniet me Mishel Platini do të vijojnë të jenë të njëjta” ,deklaroi Duka.

“Kjo nuk do të thotë se ne do të prishim marrëdhëniet me asnjë lloj institucioni të futbollit. Ne kemi këndvështrime të ndryshme për çështje të ndryshme, por marrëdhëniet do të vazhdojnë të jenë të njëjta”.