e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Duka e pohon: Futbolli shqiptar ka pasur dhe ka trukime

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Duka e pohon: Futbolli shqiptar ka pasur dhe ka trukime
Kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka deklaruar dje se në futbollin shqiptar ka pasur dhe ka trukime. Ai ka thënë gjithashtu, gjatë një interviste për “Ora News”, se Skënderbeu mbetet skuadra favorite për titullin, por ekipe si Tirana, Teuta dhe ndoshta Flamurtari mund ta rivalizojnë atë deri në fund.

Kampionati

Duka ka thënë se klubet deri tani kanë respektuar më shumë rregullat se sa në të kaluarën. “Mendoj se ka garë në kampionat dhe kjo vjen për faktin se zbresin një numër i konsiderueshëm skuadrash. Mund të them se deri më tani ka pasur një kampionat interesant. Sa u përket rregullave dhe mënyrës se si kanë shkuar gjërat, unë mndoj se aktorët e futbollit e kanë respektuar më shumë rregulloren e FSHF-së. Në garën për titull unë mendoj se deri më tani ka ecur shumë mirë Skënderbeu, sepse ka afruar futbollistë cilësorë si Pejic dhe Lilaj. Gjykoj se Teuta, Tirana, por edhe Flamurtari mund ta rivalizojnë skuadrën korçare deri në fund. Skënderbeu ka ecur mirë, por në të ardhmen besoj se edhe kjo skuadër mund të ketë probleme dhe mund t’i rrëshqasë këmba. Çdo ekip gjatë një sezoni kalon momente jo të mira”, – ka thënë Duka.

Investimet

”Qeveria shqiptare, duke filluar nga viti 1990 dhe deri tani nuk ka bërë asnjë investim në futboll. Për të ardhur keq, por kjo është e vërtëta. Vetëm në vitin 2000 janë ndërtuar dy fusha, një në Durrës dhe një në Shkodër, por kaq është shumë pak. Mendoj se futbolli nuk është fare në listën e qeverisë, sepse ka nga ata që thonë se është i fundit, por po ju them se nuk është fare në listë. Të gjitha ivenstimet i ka bërë federata dhe po ju them se ato e kalojnë shifrën e 10 milionë eurove,” – ka deklaruar Duka.

Trukimet

I pyetur nëse ka trukime apo jo në futbollin shqiptar, Duka u tregua i sinqertë, duke thënë se ka pasur dhe do të ketë: Po, mendoj se ka pasur trukime dhe tolerime më parë dhe mendoj se ka edhe tani. Duhet të kemi parasysh se nuk mund të dënohet dikush apo një subjekt pa pasur fakte dhe kjo është shumë e vështirë. Ju siguroj se Komisioni i Etikës ka bërë një punë konstruktive dhe ka të drejtën të hetojë. Ka marrë disa vendime që sot edhe mund të diskutohen (duke iu referuar revokimit të “Këpucës së Artë” në sezonin e shkuar), por ama e rëndësishme është se ato kanë patur tendëncën për mirë. Unë iu kam kërkuar anëtarëve të komisioneve juridike që të bëhen burra dhe të më thonë që X apo Y ndeshje është e trukuar dhe menjëherë do të veprojjmë.”

”Tradhëtarët”

Presidenti i FSHF-së ka mohuar të ketë thënë se futbollistët kosovarë të Zvicrës janë tradhëtarë, por nuk ka ngurruar t’i shigjetojë ata në distancë. “Nuk kam thënë nëse janë tradhëtarë apo jo. Kam thënë se nuk pajtohem me zgjedhjen e tyre. Megjithatë, kjo nuk cënon asnjë të drejtë apo imazh. Ky është mendimi im personal. Mendoj se gjithçka më pas ka qenë një abuzim. Megjithatë, po ju them edhe një gjë tjetër: nuk më pëlqen kurrë të bëjnë demagogji. Nuk më pëlqen kur zgjedhin Zvicrën dhe sillen sikur janë më patriotë dhe më shqiptarë se lojtarët që kanë zgjedhur Shqipërinë. Madje po ju them se në të ardhmen do të miratojmë një vendim, ku një futbollisti që i bëhet ftesë dhe refuzon, nuk do të thirret më me Shqipërinë. E them këtë, sepse shpesh kanë abuzuar me ndjenjat e një kombi dhe tifozërie, por edhe kanë bërë presion duke u thënë federatave të tjera se i kërkon Shqipëria. Kjo nuk është aspak e ndershme,” – ka përfunduar kreu i futbollit shqiptar, Armand Duka