Duka: Vijojme betejen ne KAS, serbet na ofruan kompromis
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Megjithëse vendimi i Komisionit të Apelit pritej, delegacioni shqiptar i Federatës Shqiptare të Futbollit ka mbetur gjithsesi i zhgënjyer. Pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit, presidenti i FSHF-së, Armando Duka ka shprehur zhgënjimin e tij, por duke i qëndruar fort planit që çështja do të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS).
“Në përgjithësi, Komisioni i Apelit në UEFA nuk i rrëzon vendimet e Komisionit të Disiplinës, por gjatë zhvillimit të seancës së djeshme u krijua përshtypja se diçka do të ndryshonte duke dëgjuar dëshmitarët: arbitrin dhe delegatin. Në fund, vendimi më zhgënjeu duke u nisur nga ajo që pashë gjatë ditës”, tha Duka.
“Realisht prisnim diçka ndryshe duke parë interesimin për zbërthimin e kësaj çështjeje. Gjyqtari, delegati dhe shefi i sigurisë ishin konfuzë në deklaratat e tyre dhe kjo na dha shumë shpresa. Por në fund mbetëm të zhgënjyer nga vendimi i Komisionit. Do ta vijojmë deri në fund luftën tonë, në gjykatën e Lozanës”, tha më tej kreu i FSHF-së.
Pika kyçe e të gjithë ngjarjes që implikon Shqipërinë dhe që nuk na jep atë çka meritojmë, 3 pikëshin në tavolinë, është relacioni i gjyqtarit të ndeshjes, i cili ka shkruar se përfaqësuesja e Shqipërisë ka refuzuar të rikthehet në fushën e lojës. Një gjë të tillë gjyqtari britanik Atkinson, në cilësinë e dëshmitarit në Apelin e UEFA-s, është përpjekur deri diku ta zbusë apo ta thotë ndryshe.
“Deklarata e arbitrit ishte: ‘Unë nuk kisha vendosur nëse do të vazhdonte ndeshja, më parë pyeta palën shqiptare e më pas do të dilja të verifikoja nëse kishte kushte sigurie apo jo’. Nuk do të thotë se kishte një refuzim të një urdhri për rifillimin e lojës”, tha presidenti i FSHF-së.
Ndërkohë, përpara fillimit të kësaj seance të Apelit, pala serbe ka kërkuar bisedime dhe gjetjen e një konsensusi me palën shqiptare, ku sigurisht kanë synuar favorizimin e tyre.
“Para nisjes së seancës, serbët kërkuan një shtyrje prej 30 minutash për të gjetur një konsensus me ne. Propozimi i tyre ishte që t’i kërkonim UEFA-s të përsërisnim ndeshjen pa tifozë në Beograd. Kundërpropozimi ynë ishte që të merrnim ndeshjen në tavolinë”, deklaroi zoti Duka.
Duka foli edhe për ndeshjen e ardhshme të kuqezinjve, ajo kundër Armenisë, e cila sipas kreut të FSHF-së do të jetë vendimtare për fatin e Shqipërisë drejt Kampionatit Evropian “Francë 2016”.
“Për Kombëtaren është e rëndësishme ndeshja me Armeninë, pasi nëse nuk fitojmë me ta është e kotë të marrim tre pikët në tavolinë. Nëse fitojmë në Lozanë do të jetë një bonos për ne, por që nuk vlen pa fitoren ndaj Armenisë”, tha Duka.
Ndeshja me Armeninë do të luhet më 29 mars të vitit 2015 në stadiumin “Elbasan Arena”.