Duka: Te gjithe lojtaret shqiptar jane tanet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka thotë se të gjithë lojtarët e Kosovës janë edhe lojtarë të Shqipërisë dhe se e tëra kjo është arritur nga bashkëpunimi me Federatën e Futbollit të Kosovës. Duka thotë se të gjithë shqiptarët e kanë të hapur derën e Kombëtares. Në një intervistë dhënë për gazetën “Iliria”, presidenti Duka thotë gjithashtu se e sheh të mundshme që në stadiumin e Mitrovicës të luajë ndeshje miqësore edhe Shqipëria.
Intervista e plotë:
-President, Shqipëria përgatitet të luajë tri ndeshje miqësore (Rumani, Hungari, San Marino) çfarë do të thotë kjo në mbylljen e një sezoni dhe në tërësi për përgatitjen e Ekipit Kombëtar?
Tani janë, si të thuash, kolaudimet e fundit të Ekipit Kombëtar për të shkuar në ndeshjet zyrtare në shtator kundër Portugalisë dhe për të pasuar me ndeshjet e tjera. Këto tri ndeshje do t’i shërbejnë trajnerit për të parë futbollistët, për të realizuar skemat e tij dhe tifozët presin pse jo edhe rezultate pozitive. Sepse, tifozët kanë gjithnjë nevojë për rezultate pozitive.
-Me takimin e trajnerëve Xhani de Biazi dhe Albert Bunjaki duket sikur është rivendosur një lloj qetësie, që shumëkush po e mendonte se ishte prishur, për shkak të përfshirjes së Kosovës në ndeshje të njohura ndërkombëtarisht.
Shikoni, unë kam biseduar edhe vetë me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës (Fadil Vokrri), me trajnerin e Kosovës (Albert Bunjaki) dhe me të gjithë pothuajse stafin e Kosovës. Ne jemi mirëkuptuar për gjithçka! E mira është që ne të bashkëpunojmë, që të arrijmë më të mirat e mundshme për të dyja skuadrat, për futbollin mbarëshqiptar. Dhe, e vetmja mënyrë për të arritur maksimumin është që të bashkëpunosh ngushtë dhe të dëgjosh në një lloj mënyre njeri-tjerin. Kështu kemi qenë dhe kështu po vazhdojmë, pavarësisht ndonjë skeptiku, që nuk e di, padashje e prish këtë klimë.
-Emrat padyshim që janë të rëndësishëm, por në parim më i rëndësishëm është bashkëpunimi që Ju thoni. A ka lojtarë nga Shqipëria që ju mund t’i jepni leje për të luajtur me Kosovën apo që mund të merret një vendim që ata të mos vijnë më për Shqipërinë?
Jo, jo, jo, jo! Absolutisht po, që çdo lloj futbollisti pa i prishur punë, të shkojë të luajë atje ku dëshiron ai dhe atje ku është më e mira për të dyja skuadrat. Edhe një futbollist shqiptar le të shkojë të luajë ndeshje miqësore atje, në një kohë që të mos i prishë punë ndeshjeve zyrtare të ekipit të Shqipërisë apo anasjelltas.
-Rasti i Loret Sadikut, Samir Ujkanit apo Ilir Azemit të Grojter Fyrtit, ndër shënuesit nmë të mirë të Bundesligës 2, janë domethënës. A mund t’i ftoni ata?
Janë të gjithë lojtarët tanë. Janë të gjithë alternative dhe për ne të gjithë e kanë derën të hapur për të luajtur për Ekipin Kombëtar Shqiptar… Ujkani, Sadiku, Azemi dhe gjithë të tjerët!
-Besnik Hasi doli kampion me Anderlehtin në Belgjikë. A ka ndonjë “rishikim” të marrëdhënieve Tuaja për shkak të një mospranimi më parë, që ai të ftohet në një të ardhme shumë të afërt me Kombëtaren ?
Marrëdhëniet e mia me Besnik Hasin janë të shkëlqyera! Kam komunikuar vazhdimisht, edhe tani që ai drejton Anderlehtin. Jo vetëm tani që ka dalë kampion, por edhe gjatë ndeshjeve të tjera. I kemi përcjellë bashkarisht vështirësitë që ka pasur dhe jam shumë i gëzuar që ai arriti një sukses, suksesi i parë i karrierës së tij. Edhe, pse jo është edhe sukses i futbollit shqiptar, sepse ai është pjesë e jona.
-President, si e vlerësoni me pak fjalë mbylljen e sezonit futbollistik në Shqipëri, përkatësisht Kategorisë Superiore?
U mbyll një garë, që ka dhuruar lojëra të mira, ka dhuruar emocione, ka dhuruar goxha spektatorë në shkallët e stadiumit, ka dhuruar goxha interes. Relativisht një garë e mirë.
-Jeni i kënaqur edhe nga gjykimi?
Në përgjithësi, jo vetëm gjykimi, por edhe lojërat e futbollistëve në raste të veçanta kanë gabime dhe kanë kontestime. Por, e përgjithshmja është pozitive.
-Një pjesë e madhe e infrastrukturës sportive, kryesisht stadiumet, janë pothuajse të gatshme (në Shqipëri). Por, a mendoni që në stadiumin e Mitrovicës të ketë mundësi të luajë Shqipëria ?
Aktualisht, stadiumi i Mitrovicës për ndeshje zyrtare nuk është i miratuar nga UEFA. Nuk është një stadium i licencuar. Nëse do të jetë i licencuar, unë nuk di, nëse Shqipërisë i lejohet apo jo që të shkojë të luajë atje. Por, për një ndeshje miqësore, përse jo ?