e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Duka: Nuk me interesojne tri piket, do respektojme vendimin e UEFA-s

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Duka: Nuk me interesojne tri piket, do respektojme vendimin e UEFA-s

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se do të respektojë çfarëdo vendimi të UEFA-s për ndeshjen Serbi – Shqipëri, ndërsa ka shtuar se tri pikët nuk janë më të rëndësishme se paqja mes popujve. Megjithëse të gjithë peshën e fajit e kanë serbët dhe UEFA, kreu i FSHF-së në një intervistë për kanalin 2 të “RTK”-së, ka thënë se do ta respektojë plotësisht vendimin e UEFA-s më 23 tetor, pavarësisht faktit se kë prek më tepër ai.

“Ne do të respektojmë çdo vendim të UEFA-s. Nuk më intereson shumë se çfarë do të ndodh me pikët e takimit. Më shumë më intereson përmirësimi i gjendjes dhe i kushteve për të zhvilluar një ndeshje normale”, tha Duka, i cili shtoi se Beogradi nuk siguroi mbarëvajtjen e ndeshjes më 14 tetor në Beograd.

Më tej Duka argumenton se ndeshja Serbi – Shqipëri duhet të shërbente për t’i bashkuar dy popujt, jo vetëm për faktin se janë fqinjë, por edhe sepse të gjitha kombet duhet të jetojnë në paqe.

“Patëm biseduar edhe me federatën e veteranëve serbë për të zhvilluar një ndeshje futbolli me veteranët tanë me qëllim relaksimin e situatës, por ja që loja u anulua”, tha Duka.

Më 23 tetor UEFA do të japë vendimin për fatin e ndeshjes së luajtur në Beograd, ku lojtarët shqiptarë dhe stafi i Kombëtares u dhunuan barbarisht nga huliganët dhe policët serbë.