e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Duka: Asnje kosovar s'iken nga Shqiperia. Takoj Januzajn bashke me kryeministrin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Duka: Asnje kosovar s'iken nga Shqiperia. Takoj Januzajn bashke me kryeministrin

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka hedhur poshtë çdo mundësi largimi të lojtarëve kosovarë që luajnë aktualisht me Kombëtaren shqiptare. Nisur nga debati pas lejimit nga FIFA të Kosovës që të zhvillojë ndeshje miqësore, Duka ka qartësuar se për momentin asnjë nuk do të largohet dhe puna e FSHF-së me kosovarët do jetë e njëtrajtshme. Sakaq, vetëm në një moment të dytë do të vendoset nëse shqiptarët do përfaqësohen në arenën botërore me një Kombëtare apo me dy të tilla. Gjatë dhënies së stemave të FIFA-s për arbritrat shqiptarë, kreu i FSHF-së foli edhe për një takim të mundshëm që ai së bashku me kryeministrin Rama mund të bëjnë me Adnan Januzajn.


Së fundmi, Kosova ka marrë të drejtën që të zhvillojë ndeshje miqësore, sa ndikon kjo gjë te Shqipëria?


Në gjykimin tim është një vendim pozitiv, i cili i gëzon të gjithë shqiptarët kudo që janë. Ne kemi punuar shumë për të arritur deri këtu, ndaj mendoj se në momentin kur edhe FIFA e UEFA lejojnë që Kosova të bëjë një hap përpara, kjo do të thotë shumë për futbollin shqiptar.


A do të ketë bisedime me Kosovën sa i përket lojtarëve që luajnë në Kombëtaren shqiptare?


Shikoni, unë them se për momentin gjërat duhen parë me pragmatizëm. Në këtë kohë kjo është ajo që i shërben Kosovës, ajo që i shërben futbollit shqiptar dhe shqiptarëve kudo që janë, në këtë apo atë anë të kufirit. Në momentin kur Kosova të jetë anëtarë me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA, do të vendosim nëse ne shqiptarët do të përfaqësohemi me një ekip kombëtar apo dy të tillë. Zërat që thonë se pranimi i Kosovës për të luajtur miqësore do të cenojë lojtarët që luajnë sot me Shqipërinë, nuk është aspak i vërtetë. Ata do të vijojnë të jenë pjesë e skuadrës sonë dhe ne si federatë do vazhdojmë të seleksionojmë lojtarë të rinj si për Kombëtaren e parë dhe atë të moshave, qofshin këta nga Shqipëria, Kosova apo gjetkë, mjaft që të duan të luajnë për ngjyrat kuqezi. Ju siguroj se kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me Federatën Kosovare të Futbollit dhe në këtë këndvështrim do vijojmë punën tonë me të njëjtin ritëm.


Një tjetër çështje është ajo e stadiumit të ri. Ju keni pasur një takim me kryeministrin Rama para disa ditësh, ç’mund të na thoni në lidhje me këtë gjë?


Procesi për ndërtimin e “Qemal Stafa”-s vazhdon brenda të gjitha afateve që kemi thënë edhe më përpara. Qeveria shqiptare e mbështet projektin tonë dhe besoj se në mars do të shpallim edhe kompaninë fituese, e cila do të merret me ndërtimin e stadiumit të ri, punimet e të cilit me shumë gjasa do të startojnë brenda vitit.


Sakaq, me z.Rama keni folur edhe për Januzajn, a do të ketë një takim me talentin e Mançester Junajtid?


Edhe kryeministri është i përfshirë në këtë iniciativë për ta bërë këtë supertalent që të vijë të luajë për Shqipërinë. Është i gatshëm për çdolloj kontributi. Kemi rënë dakord që të bëjmë një takim së bashku dhe besoj se së shpejti do ta realizojmë.


Duke qenë se jemi në një moment kritik të sezonit, ku arbitrat kanë një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë, cili është komenti juaj për këta të fundit?


Gjykimi në përgjithësi ka qenë i mirë dhe është një komponent i rëndësishëm, pasi ndan garën, për më tepër në një kampionat ku bien katër skuadra. Duhet një menaxhim shumë i mirë i ndeshjeve nga gjyqtarët, dhe këtë gjë u kam kërkuar edhe unë. Ne kemi bërë maksimumin për t’i kualifikuar ata dhe u kam kërkuar që të jenë sa më korrektë, të bëjnë sa më pak gabime në një garë shumë të vështirë.

Januzaj mund të luajë me Belgjikën në Botëror


Mesfushori kosovar, Adnan Januzaj, pritet të pranojë gjatë muajve të ardhshëm ftesën që të luajë për Belgjikën, kanë bërë të ditur të enjten zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës. Kjo lëvizje thuhet se do të bëhet me pajtimin e drejtuesve të FFK-së, në mënyrë që Januzaj të fitojë rastin të paraqitet për Belgjikën në Botëror, e në të njëjtën kohë të lërë të hapur mundësinë që në të ardhmen të përfaqësojë Kosovën. 18-vjeçari po shkëlqen te gjiganti anglez Mançester Junajtid dhe tashmë është bërë ndër lojtarët kryesorë të kësaj skuadre. Ai ka prejardhje nga Kosova, por ka lindur në Belgjikë. Ende nuk ka vendosur se cilin vend do të përfaqësojë, ndërsa nuk ka luajtur asnjë ndeshje me ndonjë ekip përfaqësues. Në garë për Januzajn janë Belgjika, Kosova, Shqipëria dhe Anglia, por ai po lakmohet edhe nga vende të tjera si për shembull Turqia. “FFK-ja ka vënë kontakte me familjen e Januzajt dhe po mendohet për një lëvizje që do të ishte e përshtatshme për të gjitha palët. Ai ka gjasë të pranojë ftesën e Belgjikës, që me këtë përfaqësuese të luajë në Botëror.

Në të njëjtën kohë, kështu do të linte të hapur mundësinë që në të ardhmen të luajë për Kosovën si dhe kosovarët e tjerë të përfaqësueseve europiane. Kur Kosova të pranohet në FIFA me të drejta të plota, lojtarët kosovarë pritet të kenë të drejtën të vendosin se për cilën përfaqësuese do të luajnë. Besohet se në një rast të tillë Januzaj e shumë të tjerë do të zhvendosen te Kosova”, – ka thënë për “Koha Ditore” një zyrtar i FFK-së, i cili ka dashur të ruajë anonimatin. Belgjika është duke insistuar që ta ketë Januzajn në përfaqësuese, ndonëse ylli i ri i ka injoruar të gjitha ftesat e deritashme nga Federata e Futbollit të këtij vendi. Ai ka refuzuar të luajë për të rinjtë e Belgjikës, pasi ka dashur të përqendrohet te skuadrat ku ka luajtur. Rol të madh në të gjitha vendimet e Januzajt merr babai i tij, Abedini. Mediat belge dhe angleze të enjten kanë raportuar se trajneri i Belgjikës, Mark Vilmots, e ka ndjekur të mërkurën mbrëma Januzajn në ndeshjen kundër Sandërlendit. Nuk është përjashtuar edhe një takim mes tyre.